Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri thotë se kjo forcë politike kërkon bërjen e reformës zgjedhore, ndryshe nga Rithemelimi.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Kulluri u shpreh se deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar nisjen e punës dhe do të marrin pjesë në punimet e komisionit të reformës zgjedhore, nëse do të zhvillohet normalisht.
Sipas Kullurit, deputetët e Rithemelimit dhe të grupit të Gazment Bardhit, e kthyen sallën e komisionit javën e kaluar në një arenë boksi.
“Ne kemi kërkuar nisjen e punës së komisionit të reformës zgjedhore, janë të tjerë që nuk e kanë dashur. Uroj të ndryshojnë mendje deputetët që janë pjesë e Rithemelimit ose grupit Bardhi. Ne kemi dashur të marrim pjesë. Ne nuk kemi qenë në sallën e boksit që e shndërruan ata.
Ne kemi shkuar në çdo seancë parlamentare që ka pasur seancë normale. Kjo nuk ka ndodhur për faj të deputetëve të Partisë Demokratike, por të zotit Berisha dhe zotit Bardhi. Ne do të pranojmë çdo mbledhje të komisionit, por nëse është e pamundur mund të bëhet edhe online. Nuk është reformë zgjedhore, zëvendësimi i bashkëkryetarit, por ndryshimi i sistemit elektoral. Do marrim pjesë në çdo seancë normale, në komisionet e Kuvendit”, theksoi ai./m.j