Nga ILIR RUSMAJLI*
Sot fushatës zgjedhore të dy mijë e shtatëmbëdhjetës i vihet kapaku. Liderët politikë nga nesër nisin të qërojnë zërin dhe të harrojnë gradualisht premtimet. Zgjedhësit nesër qërojnë mendjen dhe bëhen gati të sillen si shtetarë.
Këtë privilegj e kanë vetëm për një ditë, ndaj s’guxoj dot ta lë këtë reflektim për nesër. Për profesion a për forcë zakoni e kam përcjellë këtë fushatë sa kam mundur dhe jam përpjekur të krijoj një ide për tiparet e saj. Më ka mbetur në mendje një fjali e Kryeministrit, i cili përpara pak ditëve e cilësonte fushatën si “fushatë e çuditshme”.
Arsyetimi i tij i shërbente interesit të tij. Për të, fushatën e bënte të çuditshme roli i Ilir Metës dhe asgjë tjetër. Për mua sjellja e Metës mund të jetë ose e ligjshme, ose e paligjshme (zgjidhni e merrni), por nuk mund të jetë “e çuditshme”. Rama e Meta janë të dy “kafshë politike”, i përkasin së njëjtës “stallë”, ndaj nuk mund veçse të sillen politikisht. Pavarësisht nga kjo kundërshti, nuk më hiqet nga mendja përcaktori “i çuditshëm” i Kryeministrit.
Historia përcaktorin “i çuditshëm” e ka përdorur në mënyrë inçizive në një rast tjetër të famshëm, për një ngjarje madhore dhe me impakt ndërkombëtar, e cila u shtri në periudhën midis viteve 1939-1940, kur Franca dhe Anglia i shpallën luftë Gjermanisë, sapo kjo e fundit pushtoi Poloninë. Atëkohë, lufta e shpallur u quajt “Drôle de guerre-Luftë e çuditshme”, sepse kishte luftë, por nuk bëhej asnjë betejë.
Pastaj nuk kaloi shumë dhe lufta e çuditshme u kthye në luftën e tmerrshme që njohim nga historia. A shërben paralelizmi me luftën pa beteja që edhe zgjedhjet tona të marrin përcaktorin “i çuditshëm”? A ka në këtë histori diçka më shumë sesa arsyetimi në frëngjisht, në gjuhën e preferuar nga ana e Kryeministrit shqiptar dhe asociacioni instinktiv me fjalën drôle?
A ka arsye të mjaftueshme që zgjedhjet tona t’i quajmë drôle d’election? Zgjedhjet janë garë. Të tilla ishin dhe këtë herë. Veçse këtë herë ato nisën si garë, por nuk regjistruan konkurrues. Opozita refuzoi pjesëmarrjen, deri një muaj para datës së zgjedhjeve. Kryeministri kishte disa muaj që kishte shpallur “luftën” elektorale, por “beteja” nuk bënte dot. Opozita nuk i dilte dhe nuk i doli kurrë përballë, sepse opozita kishte marrë tjetër shteg.
Opozita ishte në shtegun e marrëveshjes (qeveri teknike, shtyrje e datës së zgjedhjeve). Në këtë shteg e tërhoqi edhe Kryeministrin. Po të ishin për “luftë”, do t’i ishin nënshtruar menjëherë “rregullores së luftës”, Kodit Zgjedhor. Ishin për pakt, ndaj iu nënshtruan “rregullores së paqes”, marrëveshjes dypalëshe. Në këtë shteg dalin nga pak çdo ditë, sa herë në fushatë futen ministrat teknikë, sa herë hedhin dhe presin me njëri-tjetrin fjalën “bashkëqeverisje”, sa herë bashkohen në miqësitë dhe armiqësitë e njeri-tjetrit.
Kjo garë pa konkurrim është njëlloj si lufta pa beteja, është drôle. Marrëveshjet politike në vetvete nuk janë të këqija, sa herë ato i shërbejnë dhe respektojnë interesin publik (sidomos kur kapërcejnë mbi interesin e palëve në marrëveshje). Marrëveshja e 18 majit riktheu opozitën në proces, i dha asaj mundësinë që të regjistrohej në garë. Edhe nëse qëllimi i saj duket se është rregullimi i vijës së sjelljes së opozitës pas zgjedhjeve, në përputhje me vizionin e Kryeministrit për sjelljen që duhet të mbajë opozita karshi tij (perifrazuar nga biseda televizive e Kryeministrit Rama me gazetarin Ylli Rakipi, datë 19.06.2017), fakti që opozita u fut në zgjedhje formon pa dyshim një efekt pozitiv për vendin.
Por një anë është të lejosh regjistrimin e konkurrentëve në zgjedhje dhe një anë tjetër është t’u japësh atyre kohën e mjaftueshme për të bërë fushatë dhe për të arritur efektivisht te zgjedhësit. Marrëveshja nuk i la kohë opozitës as për të bërë nxehje. Ky konkurrim në Zeitnot është njëlloj si ta mbyllësh luftën pa thënë dot urra! Ky konkurrim është drôle. Gara këtë herë nisi me marrëveshje të re dhe historike, me marrëveshjen që do të garantonte, të paktën sipas opozitës, standardin e zgjedhjeve, por në fakt u zhvillua tërësisht sipas zakonit të vjetër.
Fushata nuk la mangët asnjë nga akuzat për presione, manipulime, shitblerje, kërcënime dhe dhunë që jemi regjur së dëgjuari në zgjedhje të shkuara. Si dhe në zgjedhje të shkuara nuk pati asnjë reagim të mirëfilltë institucional për sqarimin dhe zbardhjen e akuzave. Loja e aktorëve u përsërit pa asnjë bjerrje apo harresë, sipas të njëjtit skenar. Fushata pati shumë lekë, por nuk pati shpenzime, pati përballje, por nuk pati debat, pati ide, por nuk pati programe, u shfaq si kacafytje njerëzish të mëdhenj, por të gjithë ata u morën vetëm me vogëlsira, pati gallatë, por asfare seriozitet, pati gallatë, por kripën e kishte pa karar.
Zgjedhje që ngrihen mbi marrëveshje historike, por që mbyten nga histori banale si këto, nuk mund të jenë veçse të çuditshme. Në këto zgjedhje palët janë të rreshtuara fort për betejë, por të gjitha duket sikur janë në njërën anë të frontit. Zgjedhje të çuditshme! Unë nuk mund ta di se ç’qeverisje na pret pas këtyre zgjedhjeve. Do jetë e mirë, do jetë e çuditshme, apo do jetë e tmerrshme?
Në çdo rast do jetë qeveria që unë dhe ju meritojmë, ndaj e pres i qetë dhe pa emocion rezultatin. Vetëm një gjë më shqetëson: Në vitin 1940 lufta që opinioni publik e etiketoi me elegancë si drôle de guerre u kthye në luftën e tmerrshme që njohim nga historia. Nëse zgjedhjet që po mbyllim sot i mirëpresim dhe përshëndesim me të njëjtën elegancë si zgjedhje të çuditshme, mund të mos kemi shans nesër që të shpëtojmë nga tmerri i tyre…
*Ekspert kushtetues, ish-deputet i PD. Botuar te “Panorama”