Dritëro Agolli ka shprehur shqetësimin e tij përsa i përket nismës së qeverisë për dhënien e informacioneve nga qytetarët për bizneset. I intervistuar nga gazeta “Panorama”, Agolli thotë se ka frikë se nga kjo nisëm mund të kthehet koha e komunizmit, kur njerëzit spiunonin njëritjetrin.
“Denoncimi nga qytetarët nuk më duket i studiuar mirë, sepse bën të gjithë popullin spiun, ne kemi vuajtur nga kjo gjë. Njerëzit do të kenë frikë të rrinë dhe të flasin në tavolinë. Mund të ketë dhe shtrembërime fjalësh dhe informacionesh, sepse ka dhe xhelozira dhe inate, dhe kërkon shumë kujdes kjo gjë. Por duhet të kihet kujdes kur fillohet një nismë, që të mos ketë prapësim rrugës apo të kthehesh në pikën e parë, atje ku ishe”, thotë Agolli.
Shkrimtari i njohur vlerëson performancën e qeverisë duke thënë se kryeministri e ka nisur mirë punën për të rregulluar shtetin por kjo sipas tij nuk duhet të bëhet me hov të madh , me aksione.
“Kryeministri e ka nisur mirë punën, për të rregulluar funksionimin e shtetit, por kjo nuk duhet të bëhet me hov të madh, me aksione. Lufta kundër informalitetit është punë e përditshme e institucioneve të shtetit. Edhe një organizëm i sëmurë nuk shërohet brenda natës, sado terapi të fortë të marrë, do ditë që të reagojë ndaj ilaçeve që i jepen”, shprehet Agolli.
Në rrëfimin e tij, shkrimtari i vjetër kujton edhe një episod në lidhje me Berishën, ndodhur në Itali.
“Ishim në një promovim të “Zylos”, kur një profesor i universitetit të Leçes thotë se Sali Berisha është fashist. Iu përgjigja se nuk është e vërtetë, unë e kam mik. Sigurisht që Berisha është polemist, por do të mirën vendit të tij. Mund ta kem kundërshtar politik, por nuk mund te lejoj që ta shajnë të huajt”.
E shoqja e shkrimtarit, Sadie Agolli, ndërhyn në bisedën me “Panoramën” dhe thotë se në një aktivitet të organizuar nga Ekrem Bardha në SHBA, Dritëroi ka ngritur edhe një dolli për Berishën. “Ishin festat e nëntorit dhe Dritëroi tha se shqiptarët e kanë zakon ta ngrenë një dolli për kreun e shtetit. Në atë kohë ishte Sali Berisha president dhe Dritëroi e piu dollinë, edhe pse politikisht ishin kundërshtarë”.