Intervista me drejtorin e përgjithshëm të projektit ‘Si Je?’ dhe punonjës të projektit
Prej shkurtit të vitit 2015, shqiptarët e një grupmoshe të caktuar, kanë përfituar shërbimin e kontrollit shëndetësor falas, një herë në vit. Qytetarët, mund të drejtohen në Qendrën e tyre Shëndetësore pranë vendbanimit, për të bërë kontrollin shëndetësor bazë, pa pagesë.
Në fillim ka qenë për moshën 40-65 vjeç, por me vendimin e ri, qeveria ka zgjeruar bazën e përfituesve në 35-70 vjeç. Debati politik, por edhe mediatik, ka hedhur një sërë akuzash për procesin e Check-Up, duke krijuar një kaos informacioni, i cili ka ndikuar në krijimin e një klime mosbesimi dhe refuzimi të shërbimit.
Por çfarë është në të vërtetë Check-Up? Çfarë analizash përmbledh? Si bëhen? Pse bëhen? Ku bëhen? Cili është ndikimi i tyre i drejtpërdrejt në jetën e shqiptarëve? Kush përfiton nga Check-Up?
Teknologjia e avancuar dhe kujdesi me të cilën punohet, kuptohet sapo hyjmë në ambientet e laboratorit “SI JE”. Bëhet një punë zinxhir, ku çdo sektor ka funksionin e vet. Sapo vijnë ambulancat e “SI JE”, personeli merr kampionët mjekësor dhe i vendos në sektorët përkatës, ku nisin diagnostikimet në rrjetin e laboratorëve, me pajisje dhe reagent të firmave të mirënjohura në fushën e mjekësisë diagnostikuese zviceriane “Roche” dhe amerikane “Abbott”. Ndërkohë, sektori i të dhënave kujdeset që të gjitha rezultatet të jenë të arkivuara në sistem.
Kushtet bashkëkohore dhe puna profesionale e punonjësve bëjnë të mundur që rezultatet e analizave që kryhen të jenë sa më të sigurta.
Janë pikërisht këta njerëz, të cilët sapo i takon, ia u dallon pasionin me të cilin punojnë, dëshirën për të qenë revolucionarë dhe njëkohësisht njerëzorë siç janë edhe Laura, supervizore e cilësisë së sigurisë dhe Fiona, koordinatore laboratori.
Për to qëllimi kryesor i projektit është që njerëzit të ndërgjegjësohen dhe të bëjnë më shumë për shëndetin e tyre.
Për herë të parë, flasin Drejtori i Përgjithshëm i Projektit “SI JE”, Altin Fani, si dhe disa punonjës të projektit, të cilët tregojnë gjithë procesin, kohëzgjatjen, ndikimin dhe sidomos, arsyetimin e një projekti, nga më të rëndësishmit realizuar në shëndetësinë shqiptare, qysh prej ’90, kur sistemi ra dhe u fundos në kaos. Ndërsa tani, edhe pse është hera e parë që ofrohet kontroll falas, si një mundësi e mirë parandalimi, por edhe krijimi të një baze të dhënash të munguara për shëndetësinë shqiptare, sërish ka zëra kundër. Në pjesën më të madhe ata janë zëra politikanësh që vetë e kryejnë rregullisht kontrollin, por në spitalet private, ose dhe jashtë, për shkak se munden. Duke krijuar kaos dhe mosbesim te një shërbim falas, për njerëz që nuk kanë mundësitë si të tyre.
Flet Altin Fani, Drejtor i Projektit “SI JE”
- Fani, cila është rëndësia e Check-Up dhe përse duhet bërë kontrolli i shëndetit?
Të gjithë njerëzit duhet të bëjnë depistimin për të gjetur shenjat e para të ndonjë anomalie e t’i parandalojnë. Ideja është që ti ta parandalosh sëmundjen dhe jo ta kurosh, pasi kurimi është dhe më i vështirë e ka kosto më të lartë dhe për më tepër, nuk i dihet nëse do të ketë rezultat ose jo. Ndërsa parandalimi është më pak i kushtueshëm dhe ka rezultat më të sigurt.
Përse mendoni se një pjesë e njerëzve janë skeptikë përkundrejt këtij projekti dhe refuzojnë të vijnë e të bëjnë Check-Up?
Kudo ku hyn politika, vijnë dhe vështirësitë. Politizimi i një çështjeje, sado teknike qoftë, bën që njerëzit të stepen.
Vërtet që projekti është i financuar nga qeveria, por ne nuk kemi aspak lidhje me politikën. Ne jemi profesionistë në fushat përkatëse. Qëllimi ynë është të ndihmojmë njerëzit për të parandaluar sëmundje që mund edhe t’i rrezikojnë jetën.
Duke qenë se projekti është një partneritet me qeverinë, cili është roli juaj?
Kompania jonë bën mbështetjen logjistike të këtij projekti, kjo do të thotë që ne merremi me gjithë organizimin dhe funksionimin e tij. Si projekt është menduar dhe financuar nga qeveria shqiptare dhe janë infermierët që punojnë në Qendrat Shëndetësore që bëjnë procesin e marrjes së gjakut, matjen e tensionit, intervistën me pacientët dhe kryerjen e EKG-së. Ne kemi pajisur te gjitha Qendrat Shëndetësore me pajisjet e nevojshme logjistike dhe mjekësore, përfshirë këtu dhe artikujt e konsumit si shiringa, tuba, leukoplaste, pambuk etj.
SHQIPTARËT MË SHUMË TË PREKUR NGA DIABETI DHE ANEMIA
Përse u bë ndryshimi i grupmoshës nga 40-65 në 35-70 vjeç?
Ndryshimi i moshës është bërë për t’i dhënë më shumë mundësi kontrolli, një game më të madhe të qytetarëve. Projekti është menduar si diçka që parandalon sëmundjet dhe i diagnostikon ato. Pra, gjithë procesi është parandalues dhe diagnostikues.
Pse nuk është një shërbim për të gjithë?
Individët e kësaj grupmoshe kanë rrezik më të lartë për një sërë gjendjesh shëndetësore, jo të favorshme për shëndetin. Janë pikërisht këta individë që i’u ofrohet përfitimi maksimal për zbulimin e hershëm të sëmundjeve të tyre. Qëllimi është që qytetari të ketë mundësi të marrë masa parandaluese përpara se të jetë shumë vonë.
Sa kohë zgjat dalja e rezultatit të analizave, që nga koha kur qytetari shkon të bëjë Check-Up?
Të gjithë kampionët mjekësorë analizohen brenda ditës, por për shkak të administrimit të një game shumë të gjerë dokumentacioni, përgjigjet e analizave kthehen në Qendrat Shëndetësore 10 ditë pas kryerjes së vizitës nga qytetari. Kjo periudhe kohore na siguron të mbulojmë të gjithë Shqipërinë pa harruar askënd. Në raste kur vlerat e parametrave të matur përbëjnë një rrezik akut për shëndetin e qytetarit, kontaktohet Qendra Shëndetësore dhe përgjigjet dërgohen me procedurë të përshpejtuar.
Si është një ditë pune, duke nisur nga agjentët tuaj që shkojnë të marrin kampionët e gjakut e deri tek dalja e përgjigjeve të analizave?
Ne shkojmë në 415 Qendra Shëndetësore në të gjithë Republikën, deri tek vendet më të thella. Në shumë zona që bllokohen gjatë dimrit nga bora dhe kanë infrastrukturë të rënduar, kemi disa njësi mobile, të cilat shkojnë dhe i ofrojnë shërbimin qytetarëve.
Pasi agjentët tanë grumbullojnë kampionët, ato transportohen me një teknologji gjermane të kompanisë së njohur Delta T, e specializuar në transportin e kampionëve biologjikë deri dhe te organet e njerëzve. Makinat tona janë të pajisura me GPS dhe ne i kontrollojmë në çdo moment për të garantuar transportin sa më efikas të kampionëve.
Pasi vijnë në laborator, sigurohet që temperatura e kutive termike është brenda parametrave të lejuar. Më pas kryhet regjistrimi dhe kontrolli fizik I cdo kampioni të ardhur në laborator.
Në laborator kemi një staf të trajnuar e të specializuar. Mjekët janë me një eksperiencë pune shumëvjeçare. Ata bëjnë ekzaminimin e kampionëve me shumë kujdes, të mbështetur në dy liderët në fushën e Laboratorëve Diagnostikues; “Roche” kompani zvicerane dhe “Abbott” që është amerikane. Pas kësaj përgatiten përgjigjet e analizave. Është e rëndësishme të theksohet që laboratorët tanë janë të akredituar, kjo do të thotë që është e garantuar ndjekja e gjithë procedurave të duhura gjatë gjithë procesit.
Neve na vijnë informacione çdo ditë. Sot, për shembull, kemi qenë në Kukur, në qarkun e Gramshit, ku kanë kryer Check-Up, 22 qytetarë. Kemi tre ditë që shkojmë në Gramsh dhe gjatë kësaj kohe e kanë kryer 69 qytetarë kontrollin shëndetësor bazë.
GRATË BËJNË MË SHUMË CHECK-UP.
NË TOTAL JANË 60% GRA DHE 40% BURRA
Sa është numri i njerëzve që bëjnë kontrollin dhe a mund të bëhet një dallim midis gjinive dhe moshave?
Ne kemi rreth 60 automjete në dispozicion të projektit, bëjmë gati 7137 km në ditë dhe printojmë rreth 14 mijë fletë analizash në ditë dhe bëjmë rreth 42 mijë teste në ditë. Shumica e të dhënave administrohen nga Ministria e Shëndetësisë, ato janë pronë e tyre dhe nuk na takon neve t’i përdorim dhe publikojmë. Por mund te themi që është një numër më i lartë i femrave që vijnë të bëjnë kontrolle, në krahasim me meshkujt. Mund të flasim për një raport 40% meshkuj me 60% femra. Por nga publikimet e nxjerra nga Ministria, është mosha 50 vjeçare ajo e cila është më e sensibilizuar të kryej Check-Up.
KUSH E KA BËRË CHECK-UP NË 2015, E KA PËRSËRITUR NË 2016
Mund të bëhet një diferencë, nëse njerëzit që vijnë për të bërë kontrolle janë të njëjtët që i kanë bërë dhe një vit më parë, apo janë të rinj?
Ka akoma qytetarë që nuk e kanë bërë kontrollin në vitin 2015, por gjysma e qytetarëve janë ata që kanë ardhur edhe një vit më parë. Është shumë gjë e mirë që njerëzit po rikthehen prapë, por edhe që po vijnë qytetarë të rinj për ta bërë për herë të parë. Po na gëzon fakti që kush ka ardhur një herë, ka krijuar besim dhe jo vetëm vjen sërish, po sjell edhe familjarët.
Cilat analiza bëhen gjatë procesit të Check-Up?
Janë analizat më bazike që ndodhin në gjithë rastet e depistimeve. Është gjaku komplet. Bëhen analizat biokimike: kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, triglyceride, glicemia, albuminuria, është analiza e përgjithshme e urinës, si dhe ajo e feçes.
Kur shkohet në Qendrën Shëndetësore për të bërë Check-Up, plotësohet një formular me pyetje për të kuptuar stilin e jetesës siç janë ushqyerja, konsumimi i duhanit e i alkoolit apo dhe niveli i stresit e depresionit etj. Gjithashtu, ndër të tjera, ofrohet këshillim, vlerësim dhe trajtim për qytetarët në mënyrë që të përmirësojnë cilësinë e jetesës.
Cilat janë ndërlikimet më të shpeshta që janë identifikuar te qytetarët?
Sëmundja më e gjendur është anemia, por edhe diabeti. Është shumë e rëndësishme që ta kapësh në kohë, pasi ka efekte pozitive si në anën shëndetësore, por edhe atë monetare.
Performanca më e lartë vjen nga zonat urbane apo ato rurale?
Zonat urbane janë më të predispozuara të bëjnë procesin, ndërkohë në zonat rurale ka vështirësi për të aksesuar Qendrën Shëndetësore, pasi mund të jenë larg. Ndonjëherë ndikojnë faktorë si moti i keq, punët e përditshme që kanë. Qendrat Shëndetësore në qytete kanë performancë më të lartë.
Mund të përdoren të dhënat si një indikator për të kryer studime mbi popullsinë apo sëmundjet që prekin shqiptarët?
Sigurisht, vlera kryesore e këtij projekti është se nga ana jonë është ndërtuar një program shumë kompleks, i cili administron gjithë këto të dhëna. Ato ruhen e janë pronë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe në çdo kohë ata mund t’i përdorin këto të dhëna për të bërë politikat e tyre shëndetësore, e për të dalë në konkluzione të ndryshme. Mund të kuptojnë se me çfarë ritmesh po rritet hipertensioni, sa për qind e njerëzve kanë probleme me zemrën, me kolesterolin, veshkat etj. Por është shumë e rëndësishme që, me këto të dhëna, krijohet një histori shëndetësore e çdo njeriu dhe ka të dhëna të mjaftueshme për të bërë studime afatgjata. Projekti ka një shtrirje në të gjithë Shqipërinë dhe ne kemi trajnuar pothuajse çdo fshat e qytet. Pasi ku ka Qendra Shëndetësore, jemi edhe ne.
Cilat kanë qenë problematikat me të cilat jeni përballur gjatë projektit?
Ne jemi partner me shtetin, por problemi është se ne punojmë me tjetër ritëm e ata kanë një ritëm dhe kulturë pune të ndryshme. Na është dashur të trajnojmë të gjithë stafin në Qendra Shëndetësore, çdo infermier pa përjashtim. I kemi trajnuar edhe për marrjen e gjakut, që është gjëja më e rëndësishme.
Një risi e këtij projekti është aplikimi i marrjes së gjakut me metodën e re, atë të vakuumit. Vetëm në disa laboratorë privatë kryhet marrja e gjakut me këtë metodë. Është teknologji e fundit që zbatohet në çdo spital të botës. Për ta aplikuar këtë metodë na është dashur t’i marrim të gjithë infermierët, një nga një, duke i bërë kurse dhe duke i pajisur me certifikata të veçanta. Për herë të parë infermierët janë duke bërë gjithë punën që i takon një infermiereje të mirëfilltë. Ato matin tensionin, bëjnë EKG, marrin gjakun, përdorin teknologji të re e bashkëkohore.
“SI JE” KA TEKNOLOGJINË BASHKËKOHORE QË SJELL GARANCI
DHE PROFESIONISTËT QË SJELLIN BESIM
Cila është siguria që i jepni njerëzve, që të kenë besim në gjithë procesin e Check-Up?
Forca e kompanisë sonë qëndron te njerëzit. Janë persona që kanë studiuar kryesisht jashtë dhe janë gjithë kohës në trajnime dhe specializime. Jemi një ushtri e madhe njerëzish, djem dhe vajza që e bëjnë punën me shumë pasion, të gjithë japim maksimumin që ky projekt të ketë sukses. Pa diskutuar dhe aparaturat e teknologjia e avancuar që kanë rolin e vet, por gjëja më e rëndësishme janë njerëzit. Janë ata aseti më i madh që ka kompania jonë. Sepse teknologjia jep garanci, por janë njerëzit që japin besim.
Cila është rëndësia e projektit?
Laura-Në përgjithësi ne na mungon kultura shëndetësore. Eksperienca ka treguar që ne i drejtohemi mjekut vetëm kur kemi probleme shëndetësore. Ky projekt është një qasje e re që vë në fokus shëndetin dhe ruajtjen e tij, dhe jo vetëm sëmundjen dhe kurimin e saj.
Parandalimi është kryesorja, si nga ana shëndetësore, por edhe nga pjesa financiare. Kursen individin, por edhe shtetin. Ky projekt po mundëson mbledhjen e informacioneve dhe të dhënave shëndetësore të cilat janë të strukturuara, e që nuk ekzistonin deri tani në sistemin shëndetësor.
Çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët para se të vijnë për të kryer Check-Up?
Laura- Qytetarët përpara se të shkojnë në Qendrat Shëndetësore duhet të kujdesen për mënyrën e ushqyerjes. Deri në 8 orë përpara marrjes së gjakut, ata nuk duhet të konsumojnë asnjë lloj ushqimi, përfshirë këtu kafe, ujë dhe duhan. Nëse individi ka probleme me yndyrnat, këshillohet që për rreth katër ditë të mos konsumohen ushqime shume të yndyrshme dhe sidomos alkool, në mënyrë që analiza të jetë sa më reale e të mos ndikojë tek përgjigja finale.
Sa shpesh duhet një njeri të bëjë Check-Up?
Fiona- Një herë në vit është e mjaftueshme për të bërë Check-Up. Normalisht, dikush që ka një shqetësim shkon më shpesh, por një njeri që është i shëndetshëm, dhe e bën vetëm për t’u kontrolluar, I mjafton kjo periudhë kohore. Ky projekt synon që të ndërgjegjësojë individët të njohin më mirë shëndetin e tyre.
Përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë qytetarët që i përkasin kësaj grupmoshe të paraqiten përpara Qendrave Shëndetesore, për të përfituar falas kontrollin mjekësor bazë. Ne u garantojmë standarde dhe besueshmërinë më të lartë, të monitoruar nga autoritete vendase dhe të huaja. /dritare.net