Kryetari i Partisë Republike Fatmir Mediu ka dënuar veprimin e mazhorancës për votimin në mënyrë të njëanshme që drafti me ndryshimet kushtetuese të kalojë në Parlament për votim.
Aleati i Partisë Demokratike, Mediu ka qenë në të njëjtën linjë me deklaratën e kryedemokratit Lulzim Basha, duke rikonfirmuar kështu edhe njëherë faktin se nuk do të ketë rrjedhje votash nga PR.
Sipas kreut të republikanëve, ky veprim i njëanshëm i mazhorancës tregon se Kryeministri kërkon që të kapë sistemin e drejtësisë dhe të ndëshkojë prokurorët e gjykatësit që nuk i binden.
Mediu ka bërë thirrje gjithashtu që opozita të përdorë të gjitha mënyrat demokratike për të ndaluar veprime të tilla që vënë në rrezik integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Mazhoranca ka kryer një akt të turpshëm duke marrë një iniciativë të njëanshme për miratimet e ndryshimeve kushtetuese në Parlament. Përjashtimi i konsensusit me opozitën sipas rekomandimeve të Venecias tregon qartë se ka vetëm një qëllim Rama dhe mazhoranca e tij, kapjen politike të sistemit të drejtësisë, ndëshkimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk i binden atij dhe interesave politike e korruptive të qeverisë. Njësoj si në fillimet e komunizmit në Shqiperi, Rama kërkon të riformojë Gjykatat Popullore me gjyqtarë dhe prokurorë të emëruar nga ai dhe që i binden vetem atij. Tenderi që po zhvillohet nga mazhoranca duke caktuar çmim për votat që mund të vijnë nga opozita është sa i turpshëm edhe korruptiv, është fundi i parlamentarizmit dhe që do kete nje produkt politik te korruptuar. Sistemi i drejtesise i kontrolluar nga politika do të thote shkatërrim i interesave, të drejtave dhe të ardhmes së biznesit dhe cdo shqiptari. Opozita duhet të mblidhet dhe te organizoje cdo veprim demokratik për ta kundërshtuar këtë shkatërrim të shtetit dhe të ardhmes sonë europiane”, shprehet kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu.