Kryeministri Edi Rama sqaroi situatën me informacionet që qarkullojnë se vaksina AstraZeneca është e dëshme. Rama sqaroi se sasia prej 38 mijë e 400 doza që ka marrë Shqipëria ka ardhur nga Suedia dhe se është një seri e sigurtë. Rama tha se seria që po diskutohet se ka shkaktuar probleme është një seri tjetër.
“AstraZeneca është pezulluar në disa vende, siç është e vërtetë që ju jeni në detyrimin e madh dhe njerëzor të mos bëheni përçues të lajmeve të pavërteta që hapin panik. Mund të jetë në rrjetet sociale por jo në ekrane ku një staf i tërë punon. Nëse do ishte e vërtetë do qe e pamundur që bota ta lejonte. Sasia që morëm ne dje ka ardhur nga Suedia. E mendoni dot ju që Suedia ta lejonte një gjë të tillë? Sot kam parë një prononcim të drejtorit në Itali, thotë që bëhet fjalë për një seri të veçantë. Ne kemi një seri tjetër. Anglia vazhdon vaksinimin me AstraZeneca. Nuk ka shans që të jetë një injeksion që të shkaktojë komplikime me shëndetin. Nuk ka asnjë problem. Është një vaksinë që vazhdon dhe qarkullon”, deklaroi Rama.
Rama ishte i pranishëm në shkollën 4 dëshmorët në kryeqytet ku po zhvillohet vaksinimi i mësuesve. Kreu i qeverisë u shpreh se nga dita e hënë do të nisë vaksinimi i mësuesve në të gjithë Shqipërinë.
‘Kemi nisur vaksinimin e mësuesve do të shtrihet ditën e hënë në të gjithë Shqipërisë, sipas njësive administrative dhe me shkolla që do të shërbejnë si njësi vaksinimi. Ka orare dhe do të vijnë të bëjnë vaksina. Është një hap i madh para dhe në ditët në vijim do të kemi një lajm shumë të mirë për të ardhur më shumë vaksina. Do të arrijmë që të kryejmë vaksinim intensiv, do të vaksinojmë pensionistët’– tha Rama.
g.kosovari











