Rrëfen ish-oficeri madhor i Flotës Luftarke Detare, kolonel në rezervë, Myfit Qorduka: Në vitin 1959, në bazën e Pashalimanit, atë të Sarandës dhe të Butrintit, kreu një vizitë ish-kreu i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi, i shoqëruar nga Enver Hoxha dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit shqiptar të kohës
I impresionuar vërtet nga Ksamili dhe hapësira e tij. Kështu do të paraqitej ish-kreu i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi, gjatë vizitës që kreu pranë tij, para se mes dy vendeve tona të prisheshin marrëdhëniet. Kështu rrëfen ish-oficeri madhor i Flotës Luftarake Detare, Myfit Qorduka, për “Albanian Free Press”. “Shiko ç’mrekulli është këtu. Mund të ndërtohet një bazë ideale për nëndetëset tona. Të gërmohen dhe të hidhen në det këto vjetërsira, ta shpojmë këtë mal e të dalim matanë”. Do kemi në dorë bazën me ideale e më të sigurt në Mesdhe. Që këtej mund të paralizojmë e sulmojmë gjithçka…”, thoshte ai teksa kundronte Ksamilin…Përgatiti për “Albanian Free Press”: Albert Zholi
Incidenti i nëndetëses shqiptare me kryqëzorin amerikan “De Mojn“
“Në misionin sekret të nëndetëseve shqiptarë, të cilat në vitet 1958-1959 ishin ende nën komandën e dyfishtë shqiptaro- sovjetike, një nga detyrat luftarake të kohës ishte dhe diktimi, njohja, fotografimi dhe grumbullimi i të dhënave të anijeve, nëndetëseve, korridoreve të lundrimit, si edhe zbulimi i aktivitetit të përditshëm të dy grupimeve goditëse të NATO-s që ushtronin aktivitet në detin Mesdhe.
Këtë detyrë, ashtu si dhe detyra të tjera të vështira luftarake, fillimisht i kryenim në bashkëpunim me komandat sovjetike, ndërsa më vonë këto operacione planizoheshin e drejtoheshin nga kuadrot e Flotës sonë Luftarake”, – tregon ish-komandanti shqiptar i nëndetëses, Shyqyri Çuka, i cili së bashku me komandantin sovjetik, Valentin Stepanoviç Kozllov, me pseudonimin “Doraci”, mori pjesë në përballjen me kryqëzorin amerikan “De Mojn”.
Në një prej inkursioneve sekrete të nëndetëseve shqiptare në vitin 1959, në Kanalin e Tunizit, regjistrohet një incident me pasoja me Flotën Luftarake Amerikane, pikërisht me grupin e anijeve amerikane që shoqëronin kryqëzorin “De Mojn”, në të cilin po udhëtonte edhe presidenti amerikan, Ajzenhauer, i cili po kthehej nga një vizitë miqësore që kishte bërë në Athinë. Misioni sekret i nëndetëses shqiptare u përgatit dhe u realizua në fshehtësi të madhe.
Kur kuadrot shqiptare përgatiteshin të merrnin në dorëzim komandën e nëndetëseve dhe anijeve nga sovjetikët zhvilloheshin stërvitje intensivë të shumta, me qëllim aftësimin e kuadrit komandues shqiptar.
Ishin ditët e para të dhjetorit 1959, kur nëndetësja e katërt e bazës, e komanduar nga “Doraci“, ndër komandantët rusë më të zotë në Pashaliman, nis udhëtimin sekret njëmujor në ujërat e Mesdheut. Ajo e filloi lëvizjen në itinerarin Pashaliman-Gjibraltar-Pashaliman.Me ekuipazhin sovjetik, në këtë detyrë luftarake ishin dhe komandanti shqiptar i nëndetëses, Shyqyri Çuka, bashkë me ushtarakët e tjerë, A.Popa, G. Rryta dhe A. Katro.
Udhëtimi i atij misioni po ecte sipas planit të parashikuar (ditën në thellësi të ujërave, ndërsa natën më në sipërfaqe). Temperatura nën ujë, ndonëse ishte dhjetor, nuk përbënin shqetësim për këtë detyrë të gjatë.
Sipas specialistëve, ky mision kishte si veçori vështirësinë e lartë, pasi kalonte përgjatë korridoreve pranë bazave e poligoneve luftarake të anijeve dhe aviacionit të NATO-s, ku mes të tjerave, në këtë rrugëkalim kryenin aktivitet të përditshëm luftarak dy grupime goditëse atomike të NATO-s.
“De-Mojn” zbuloi nëndetësen shqiptare dhe u vu në ndjekje të saj. Megjithë regjimin e rreptë të gatishmërisë në kryerjen e misionit, sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmitarëve, nëndetësja shqiptare, pak ditë pas nisjes në këtë mision, përballet e diktohet nga vrojtues të anijeve amerikane që shoqëronin kryqëzorin”De-Mojn”. Kjo, sipas ditarit të FLD-së, ndodhi në Kanalin e Tunizit, hapësira ujore midis ishullit të Maltës dhe bregdetit tunizian, në çastin që nëndetësja e Pashalimanit po shkonte drejt Gjibraltarit.
Ndërsa nëndetësja e Kozllovit, sipas shënimeve të mësipërme, tentonte t’i afrohej sa më pranë kryqezorit amerikan, me qëllim që ta fotografonte sa më mirë me aparatin e periskopit, u zbulua nga fregata amerikane, e cila dha alarmin për zbulimin e nëndetëses së huaj nën ujë, me synim neutralizimin e saj dhe evitimin e ndonjë incidenti të mundshëm, në një kohë që në kryqëzor ishte dhe presidenti.
Në çastin e diktimit, tregojnë ushtarakët shqiptarë, filloi ndjekja e nëndetëses sonë nga anijet dhe aviacioni amerikan, i destinuar për luftë kundër nëndetëseve, për ta detyruar atë të dilte në sipërfaqe e për ta bërë të parrezikshme. Në këto kushte, ushtarakët shqiptarë e sovjetikë të nëndetëses u vunë në situatë luftarake reale.
Me qëllim që të ruanin fshehtësinë e veprimeve të mëtejshme luftarake, ndërprenë lidhjen me bazën dhe manovruan me shkathtësi. Në kujtesën e ish-ushtarakëve që kanë qenë në atë lundrim luftarak, mbetet i pashlyer qëndrimi profesional dhe i guximshëm i komandantit sovjetik Kozllov. Ai me mjeshtëri e shpejtësi ndërroi kursin e lundrimit, duke e spostuar atë drejt gjirit të Sitres në Libi.
Kështu evitohej efekti i anijeve dhe aeroplanëve amerikanë. Ishte një situatë dramatike dhe e vështirë që zgjati 48 orë, por që u përballua me sukses. Në fund, gjithçka shkoi mirë e të gjithë ishin të gëzuar nga ky sukses. Komandanti Kozllov mblodhi gjithë ekuipazhin, sovjetik e shqiptar dhe i përgëzoi për suksesin. Ky incident që u raportua në udhëheqjen e lartë të Moskës, deri te Hrushovi, shpejt do të futej në rrugën e analizave dhe pasojave…
Ndëshkimin për Kozllovin, Hrushovi e kthen në falenderim
Zbulimi i nëndetëses nga anijet shoqëruese të presidentit amerikan, në Moskë nuk u prit mirë, veçanërisht nga komanda e Flotës Sovjetike. Në këto kushte, kjo komandë parashikoi dhe propozoi shkarkimin e Kozllovit, një nga specialistët më të mirë të asaj flote luftarake. Por kur morën informacionin se një nëndetëse sovjetike kishte mundur të depërtonte në brendësi të ordenit të lundrimit, në të cilin udhëtonte dhe Ajzenhaueri, Hrushovi kishte ndjerë kënaqësi duke u shprehur:
“E marr me mend sa duhet të jetë trembur presidenti amerikan nga prezenca e nëndetëses sonë brenda ordenit që e shoqëronte”. Në këto kushte edhe fati i Kozllovit merr tjetër kah. Pas vlerësimit të Hrushovit, komanda sovjetike, në vend që ta shkarkonte nga detyra, e ngriti në përgjegjësi, duke e emëruar zëvendëskomandant të Brigadës Sovjetike të Nëndetëseve të Pashalimanit, ku shërbeu deri në prag të ikjes përfundimtare.
Enver Hoxha e Hrushovi vizitojnë Bazën e Pashalimanit dhe Ksamilin
Kur Hrushovi vizitoi Ksamilin, thirri pranë ministrin e tij të Mbrojtjes, Malinovskin. Dëgjova t’i pëshpëriste: “Shiko ç’mrekulli është këtu. Mund të ndërtohet një bazë ideale për nëndetëset tona.Të gërmohen dhe të hidhen në det këto vjetërsira, ta shpojmë këtë mal e të dalim matanë”. Dhe duke treguar me dorë Ksamilin vazhdoi: “Do kemi në dorë bazën me ideale e më të sigurt në Mesdhe. Që këtej mund të paralizojmë e sulmojmë gjithçka…”.
Pas nja dy ditësh, po të njëjtën gjë e përsëriti edhe në Vlorë:
“E mrekullueshme, e mrekullueshme”, – thirri Hrushovi, duke u drejtuar nga Malinovski. Mendova se e kishte fjalën për peisazhin më të vërtetë mahnitës të rivierës sonë. Por mendja e tyre rrihte gjetkë: “Çfarë gjiri, sigurisht rrëzë këtyre maleve, -thanë, – që këtej, me një flotë të fuqishme kemi në dorë krejt Mesdheun, që nga Bosfori deri në Gjibraltar. Mund të bëjmë zap këdo…”.
1 qershor 1959, Enveri, Hrushovi e Grotenvold shkojnë për vizitë në Pashaliman
Në këtë vit, në bazën e Pashalimanit, atë të Sarandës dhe të Butrintit, bëri vizitën ish-kreu i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi, i shoqëruar nga Enver Hoxha dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit shqiptar të kohës. Vizita e Hrushovit në bazat luftarake detare të vendit, u mësua në fund të muajit maj 1959, kur kreu i vendit më të madh të kampit socialist, kishte ardhur për një vizitë të gjatë në Shqipëri.
Një urdhër i dërguar nga kreu i ministrisë së Mbrojtjes për komandat e bazave ushtarake, kërkonte vënien në shkallën më të lartë të gatish-mërisë, si teknikën luftarake, ashtu dhe efektivat përkatëse, shqiptare e sovjetike.
Njëkohësisht, që të krijonin mjedise të kulturuara e funksionale në të gjithë territorin e shtrirjes së njësive.
Sipas burimeve të mësipërme, drejtues të lartë të ministrisë, ato ditë u gjendën në komandat e bazave për të ndihmuar nga afër, veçanërisht në bazën e Pashalimanit, ku ishin përqendruar teknika dhe forcat kryesore të flotës, ku mendohej se do të kalonte më gjatë Hrushovi gjatë vizitës nëpër njësitë detare të jugut.
Baza e Pashalimanit, kujtojnë ish-ushtarakët që drejtonin bazën atë vit, u përgatit si në festë. Në mëngjesin e 1 qershorit 1959, ditën e henë, në këtë bazë erdhën vizitorët e shumëpritur. Nën shoqërimin e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e drejtuesve të tjerë të lartë të shtetit shqiptar, Hrushovi, së bashku me ministrat sovjetikë qe e shoqëronin, mbërriti në Pashaliman, ku u prit me ceremoninë përkatëse ushtarake.
Së bashku me mikun e madh sovjetik, në këtë vizitë ishte dhe Otto Grotenvold, kryeministër i Gjermanisë Lindore. Udhëtimi nga Pashalimani në Sarandë, sipas kërkesës së Hrushovit, u bë me anije. Pritja e Hrushovit dhe miqve të tjerë në bazën e Pashalimanit, ishte një festë e vërtetë për efektivat shqiptare e sovjetike që shërbenin në këtë bazë të rëndësishme.
Efektivat e bazës së Pashalimanit në atë kohë, nën drejtimin e kuadrove të aftë e të përkushtuar, Xhemal Shani, komandant i Brigadës së Nëndetëseve, bashkë me komandantët e nëndetëseve Aleko Pojani, Petrit Myftiu, Jak Gjergji, Mihal Xhamo, Pali Carapuli e ushtarakë të tjerë, si Skënder Doçi, Beqir Gerbi e Dashamir Ohri, një pjesë e të cilëve më vonë do të ishin titullarë të FLD-së, kishin arritur jo vetëm të aftësoheshin profesionalisht e në një nivel me kolegët sovjetikë, por ishin të gatshëm në çdo moment, të zgjidhnin në mënyrë të pavarur detyra luftarake nga më të rëndësishmet.
Hrushovi, në fjalën e tij, midis të tjerave, përgëzoi efktivat sovjetike dhe shqiptare për shkallën e gatishmërisë luftarake, miqësinë dhe bashkëpunimin e mirë mes tyre, si reflektim të miqësisë së pathyeshme shqiptaro-sovjetike, por duke theksuar nevojën e fuqizimit të FLD-së, për të neutralizuar e pasur në shënjestër Flotën VI Amerikane “që e kemi përballë” dhe forcave ushtarake të NATO-s në Mesdhe.
Sipas kujtimeve të ish-drejtuesve të FLD-së të pranishëm në atë takim, edhe Enver Hoxha, duke falenderuar miqtë që vizituan Shqipërinë e bazën e Pashalimanit, theksoi nevojën e forcimit të gatishmërisë për të mbajtur të paprekshëm kufijtë nga “imperialistët amerikanë dhe shërbëtorët e tyre të mbledhur në paktin agresiv të NATO-s”.
Miqtë, të shoqëruar nga Enver Hoxha, pas takimit me kuadro e detarë të bazës së Pashalimanit, u nisën në udhëtimin drejt Sarandës me anijen luftarake të komanduar nga kapiteni sovjetik, Maksimov. Përkrah Maksimovit, në drejtimin e anijes ku lundronin dy udhëheqësit më të lartë, ishte komandanti shqiptar Stavri Çika e disa kolegë të tjerë ushtarake, si Skënder Doçi dhe Aleko Pojani.
EPISODI
Si i tha fermeri shqiptar Hrushovit: Ti e braktise buqjësinë dhe u bëre politikan!
Xhebro Gjika, nga Tërbaçi i Vlorës, i njohur në zonën e jugut për humorin e tij të hollë, thumbues dhe shprehës i opinionit kritik popullor, për ngjarjet nëpërmjet bejteve e sarkazmave, tregonte:
“Në mbarim të vizitës Enver Hoxha shtroi një darkë në Pallatin e Brigadave për nder të Hrushovit. Në këtë pritje isha ftuar edhe unë për të përshëndetur në emër të kooperativistëve. Më erdhi radha të shkoja tek Hrushovi, po në holl më ndaloi njëri, duke thënë:
– Nuk lejohet sepse Xhebrua nuk ka vënë gravatë!
Unë u shtanga, por më nxori nga ky siklet Kadri Hazbiu, i cili urdhëroi të më lejonin.
– Lëreni, – u tha, – se Xhebrua njeh vetëm kapistrën dhe jo gravatën…
Me gotën e rakisë në dorë, u drejtova për te Hrushovi. Enveri më prezantoi:
– Ky vjen nga bujqësia.
– Sa mirë, – m’u drejtua Hrushovi, – se dhe unë jam i bujqësisë.
– Jo, – iu përgjigja unë aty për aty, – ti je tradhtar! – Të gjithë u habitën, po unë vazhdova: – Ti ke tradhtuar bujqësinë dhe je bërë politikan i lartë, ndërsa unë jam akoma i bujqësisë.
Qeshën të gjithë tashmë të çliruar nga domethënia e shakasë sime. Ia përkthente Mehmet Shehu. Kur do largohesha më thanë që të takoja gotën edhe me mikun kinez, ministrin Pinde Huaj, që ishte në krah të Hrushovit dhe unë atë e kisha marrë për Shefqet Peçin.
– Mirë, – i thashë atij, – do pimë nga një gotë plot për gabimin që bëra!
– Jo, jo, – u përgjegj ministri kinez.
– Pije, – i tha Mehmet Shehu, – se nuk të ndahet Xhebro Gjika!…
Dhe kështu u bë. E piu me fund dhe iu ndezën sytë flakë.”
***
Jo shumë kohë pas vizitës së Hrushovit në Pashaliman e Sarandë, vizitë që u shoqërua me pritje madhështore e entuziazëm, nisi të ndihej njëfarë ftohje edhe në marrëdheniet midis bashkëdrejtuesve shqiptarë e sovjetikë të nëndetëseve, në raste të veçanta shtrirë edhe në rangje më të ulëta. Referuar dokumenteve që u publikuan vite më vonë, kjo ftohje vinte nga kontradiktat që sapo kishin nisur midis udhëheqjeve përkatëse të dy vendeve, ku një nga pikat e mospërputhjeve, ishte dhe qëndrimi rus për misionin e bazës së Pashalimanit, për interesa të tyre, pa përfillur të zotët e shtëpisë, palën shqiptare. Enver Hoxha, në ditarin e tij (2 qershor 1959), midis të tjerave, sjell një fragment bisede mes Hrushovit dhe ministrit të tij të mbrojtjes, për Butrintin e Pashalimanin, ku Hrushovi është shprehur: “…që këtej, me një flotë të fuqishme, ne kemi në dorë të gjithë Mesdheun, që nga Bosfori në Gjibralatar!…” Gjë që kundërshtohet prerë nga Enver Hoxha. Ndërkaq, mesviti 1959, është periudha e incidenteve të para sporadike midis ushtarakëve tanë dhe atyre sovjetikë, por muaj më vonë, ato do të ishin më të shpeshta e më të ashpra.
PRAPASKENA
Pas vizitave të Hrushovit ishin interesa strategjike
Prapa publicitetit të gjatë që iu bë në mediat e vendeve përkatëse si dhe ato botërore, vizitës së Hrushovit në maj të vitit 1959 në Shqipëri,veçanërisht në bazat ushtarake të Pashalimanit e Sarandës, të motivuara “në frymën e miqësisë e bashkëpunimit”, sipas dokumenteve të kohës dhe siç u vërtetua pak kohë më vonë, pas kësaj vizite qëndronte interesi sovjetik dhe i Traktatit të Varshavës për pozicionin strategjik të këtyre njësive luftarake detare, përballë Flotës Amerikane e aleatëve të tjerë të NATO-s që ishin të dislokuara e kryenin aktivitet stërvitor luftarak të përditshëm në Mesdhe. Kuadrot që u përgatitën ishin të pranishëm në inspektimin e Hrushovit e Enverit në nëndetëse e efektiva, sigurisht që dinin më shumë rreth këtij misioni, por njëkohësisht, edhe efektivat amerikane në kuadër të paktit perëndimor që ndodheshin në detin Mesdhe, nga ana e tyre, në kuadër të detyrës që kishin, shpesh afroheshin fare pranë me nëndetëset, duke shkaktuar dhe situata luftarake, deri në përplasje me arsenalin e fuqishëm të armëve.