Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991, gara ideologjike e shekullit të 20 u duk se mori fund, shkruan The Economist.
Kapitalizmi kishte fituar ndërsa socializmi u shndërrua në një term që lidhej me shpjegimin e dështimeve ekonomike dhe shtypjes politike. Ai po ndeshej më rrallë dhe zakonisht në mbledhjet e parëndësishme, në qeveritë e shteteve të dështuara dhe sidomos në liturgjinë e Partisë Komuniste të Shtetit Kinez.
Sot, 30 vjet më pas, socializmi është kthyer sërish në modë. Në Amerikë, kemi shembullin e Aleksandra Ocasio-Cortez, anëtare e sapozgjedhur në Kongres, e cila po konsiderohet si “ylli në ngjitje” i socialistëve. Ndërsa në Britani, Jeremy Corbyn, lideri i vijës së ashpër të Partisë Laburiste, i cili ka shumë mundësi që të marrë çelësat e 10 Downing Street. Socializmi po kthehet sërish, sepse ai ka krijuar një kritikë intriguese të asaj që ka shkuar keq në shoqëritë perëndimore.
Ndërkohë që politikanët e krahut të djathtë kanë hequr shpeshherë dorë nga betejat e ideve dhe janë drejtuar kah politikave shovinste dhe nostalgjisë, krejt e kundërta ka ndodhur me të majtët. Ata janë përqendruar në çështjet e ndryshme të pabarazisë, në ato të mjedisit dhe si t’u japin qytetarëve më shumë pushtet në duart e tyre dhe jo elitave. Megjithatë edhe pse e majta e rilindur mund të ketë një sërë ideologjish të sakta, pesimizmi i saj për botën moderne është i tepruar.
Politikat e saj vuajnë nga naiviteti rreth buxheteve, burokracive dhe bizneseve. Energjia e këtij socializmi të ri është e jashtëzakonshme. Në vitet 1990, partitë e majta u zhvendosën drejt qendrës. Si liderë të Britanisë së Madhe dhe Amerikës, Tony Blair dhe Bill Clinton pretenduan se kishin gjetur një “rrugë të tretë”, një marrëveshje midis shtetit dhe tregut. “Ky është socializmi im”, deklaroi në vitin 1994 z. Blair.
E majta e ditëve të sotme e sheh “rrugën e tretë” si një fund pa krye. Shumë nga socialistët e rinj i përkasin gjeneratës së mijëvjeçarit të ri. Sipas një sondazhi të kryer nga Gallup, rreth 51% e amerikanëve të grupmoshës 18-29 vjeç kanë një pikëpamje pozitive për socializmin. Në zgjedhjet e vitit 2016, numri i të rinjve që votuan Bernie Sanders ishte shumë më i lartë se numri i atyre që votuan Hillary Clinton apo edhe për Donald Trump. Pothuajse një e treta e votuesve francezë nën moshën 24-vjeçare, ia dhanë votën në zgjedhjet presidenciale të 2017, kandidatit të majtë.
Por, socialistët e rinj, nuk i takojnë vetëm gjeneratës së mijëvjeçarit. Shumë nga mbështetësit më të zjarrtë të z. Corbyn kanë thuajse të njëjtën moshë sa ai. Jo të gjitha objektivat e socialistëve që i takojnë gjeneratës së mijëvjeçarit janë radikale. Në Amerikë, një prej objektivave kryesore është kujdesi shëndetësor universal, i cili është një prej politikave më të zakonshme dhe më të dëshiruara në botën e pasur. Ndërsa radikalët e majtë shprehen se duan të ruajnë përparësitë e ekonomisë së tregut.
Si në Europë ashtu edhe në Amerikë, e majta është një koalicion i gjerë, fluid dhe ku mund të gjesh pika të përbashkëta. Socialistët e gjeneratës së mijëvjeçarit të ri mendojnë se pabarazia ka dalë jashtë kontrollit dhe se ekonomia është manipuluar në favor të interesave të caktuara. Ata besojnë se të ardhurat e pushtetit duhet të rishpërndahen nga vetë shteti, në mënyrë që disnivel i lartë i pabarazisë të zvogëlohet.
Socialistët mendojnë se mendjengushtësia dhe lobimi kanë bërë që qeveritë të injorojnë situatën problematike të katastrofës klimatike.
Ata besojnë se hierarkitë që qeverisin shoqërinë dhe ekonominë, duke filluar nga rregullatorët, burokracitë apo edhe kompani të ndryshme nuk i shërbejnë më interesave të popullit të zakonshëm dhe duhet të “demokratizohen” sa më parë. Pabarazia në Perëndim është rritur shumë në 40 vitet e fundit. Në Amerikë, të ardhurat mesatare të 1% të më të pasurve janë rritur me 242%, rreth gjashtë herë më shumë se rritja e të ardhurave të shtresës së mesme.
Fatkeqësisht, një pjesë e konsiderueshme e diagnozës së të majtës së re është është e “gabuar, por gjithashtu edhe një pjesë e madhe e recetave të saj”. Është e gabuar të mendosh se pabarazia duhet të vazhdojë të rritet në mënyrë të pashmangshme. Pabarazia amerikane e të ardhurave shënoi një rënie nga viti 2005 deri në 2015, menjëherë pas një rregullimi të taksave dhe transfertave. Nga 2014 deri në 2017, të ardhurat mesatare të një familjeje amerikane u rritën me 10% në terma realë.
Në vitin 2017, nga 100 punonjës të grupmoshës 25-54 vjeç, 97 ishin me kohë të plotë krahasuar me vetëm 89 punonjës me kohë të plotë që ishin në vitin 2005.
Burimi më i madh i pasigurisë nuk është mungesa e vendeve të punës të qëndrueshme, por rreziku ekonomik i një rënieje tjetër. Socialistët e gjeneratës së mijëvjeçarit të ri gabojnë edhe në drejtim të asaj se çfarë mendon publiku. Edhe pse ata kanë të drejtë në faktin se njerëzit mendojnë se kanë humbur kontrollin mbi jetën e tyre dhe se krijimi i mundësive të reja është reduktuar shumë. Publiku ankohet edhe për pabarazi. Dhe megjithatë, nuk ka një dëshirë të madhe për rishpërndarje radikale.
Mbështetja e amerikanëve për rishpërndarjen nuk është më e lartë se ajo në vitin 1990, aq më tepër që së fundmi ky popull ka zgjedhur në krye të saj një miliarder, i cili ka premtuar shkurtime të taksës së korporatës. Britanikët e pasur janë më të qetë sesa amerikanët e pasur në drejtim të disa masave të ndërmarra.
Nëse diagnoza e të majtëve është pesimiste, problemi i vërtetë i saj qëndron në recetat e saj, të cilat janë nuk janë aspak të sakta dhe mbi të gjitha, politikisht të rrezikshme. Le të analizojmë, për shembull, politikat fiskale. Disa të majtë mendojnë se zgjerimet e mëdha të shërbimeve qeveritare mund të paguhen kryesisht nga vendosja e taksave më të larta tek të pasurit.
Në të vërtetë, plakja e moshës së popullsisë e vështirëson mirëmbajtjen e shërbimeve ekzistuese në rast se nuk rriten edhe taksat mbi shtresën e mesme të popullsisë.
Znj. Ocasio-Cortez ka prezantuar një normë tatimore prej 70% mbi të ardhurat më të larta, por sipas një vlerësimi të kohëve të fundit, të ardhurat shtesë janë vetëm 12 miliardë dollarë, ose 0.3% të totalit të mbledhjes së taksave. Disa radikalistë shkojnë më tej, duke mbështetur “teorinë monetare moderne”, e cila thotë se qeveritë mund të huazojnë lirshëm vlera të caktuara parash, në mënyrë që të financojnë shpenzimet e reja dhe mbi të gjitha, duke mbajtur normat e interesit të ulëta. Edhe nëse qeveritë, kohët e fundit kanë qenë në gjendje të marrin hua më shumë se sa politikëbërësit mund të prisnin, nocioni se huamarrja e pakufizuar nuk do të ketë ndikim në ekonomi është një formë tjetër mashtrimi.
Mosbesimi ndaj tregjeve i udhëheq socialistët e gjeneratës së mijëvjeçarit të ri në përfundime të gabuara edhe rreth mjedisit. Ata refuzojnë taksat e karbonit si mënyra e vetme për të nxitur inovacionin e sektorit privat dhe për të luftuar ndryshimet klimatike. Ata parapëlqejnë planifikimin qendror dhe shpenzimet publike masive mbi energjinë e gjelbër. Por vizioni socialist i gjeneratës së mijëvjeçarëve të rinj mbi një ekonomi “demokratizuese” e përhap fuqinë rregullatore në vend që ta përqendrojë atë.
Dhe kjo u bën thirrje lokalistëve, por lokalizimi ka nevojë për transparencë dhe llogaridhënie dhe jo për grupet e manipuluara lehtësisht nga britanikët e krahut të majtë. Nëse shërbimet e ujësjellësit të Anglisë do të ishin rishtetëzuar ashtu siç synonte z. Corbyn, ato nuk do të ishin shembujt më të mirë të demokracisë lokale.
Kërkesa për demokratizimin shtrihet në drejtim të biznesit. Të majtët e gjeneratës së mijëvjeçarit të ri dëshirojnë të përfaqësohen nga një numër më i madh punëtorësh në bord dhe në rastin e laburistëve, të konfiskojnë aksionet e kompanive dhe t’ua japin ato punëtorëve.
Vende si Gjermania kanë një traditë të pjesëmarrjes së punonjësve. Por kërkesa e socialistëve për një rritje të kontrollit të kompanive nga ana e tyre shoqërohet edhe me një ndjenjë e lartë dyshimi. Fuqizimi i punëtorëve për t’u rezistuar ndryshimeve do të dëmtonte ekonominë.
Më pak dinamizëm është krejt e kundërta e asaj që nevojitet për ringjalljen e mundësive ekonomike. Në vend që të mbrojnë firmat dhe vendet e punës nga ndryshimet e mundshme, shteti duhet të sigurojë që tregjet të jenë efikase dhe se punëtorët, jo punët, të jenë fokusi i politikës. Në vend që të jenë të fiksuar pas rishpërndarjes, qeveritë do të bënin më mirë të përqendroheshin te reduktimi i kostove të qirave, përmirësimi i sistemit të arsimit dhe rritja e konkurrencës. Gjenerata e mijëvjeçarit të socialistëve të rinj mendon se ndryshimi i klimës mund të luftohet me një ndërthurje të instrumenteve të tregut dhe investimeve publike. (Tema)