Pse Kosova në vjeshtë të vitit 1992 ishte vetëm një hap larg luftës? Sa ushtarë e policë serbë kishte në Kosovë? Cili ishte skenari i provokimit të luftës? Kush kërkonte nga dr.Rugova që shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhjet serbe? Çfarë flitej për Kosovën në takimet konfidenciale të diplomatëve perëndimorë? Pse SHBA hoqi dorë nga presioni mbi Rugovën për të dalë në zgjedhjet serbe? Cilët politikanë amerikanë përgatitën “Kërcënimin e Kërshëndellave”? Pse administrata e Klintonit rifuqizoi kërcënimin e presidentit Bush? Si u përdor ky kërcënim nga zonja Albright për të bindur presidentin Bill Clinton që duhet sulmuar Serbinë? Telegrafi sjell më poshtë tekstin e botuar më 2002 në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”, të shkruar nga Blerim Shala dhe Isuf Hajrizi.
Në vjeshtën e vitit 1992, siç do të kuptohet shumë vjet më vonë, Kosova ka qenë vetëm një hap të vogël larg luftës. Slobodan Milosheviqi, atëbotë kryetar i Serbisë, ishte gati të marrë vendimin për të inskenuar luftën në Kosovë, si pasojë e zhvillimeve në Serbi dhe në rajon. Lufta në Bosnjë – Hercegovinë, për sa i përket interesit serb, tashmë pothuaj kishte mbaruar. Forcat serbe kontrollin gati 70 për qind të territorit dhe në negociatat me bashkësinë ndërkombëtare serbët synonin të legalizojnë rezultatet e luftës. Në Kroaci serbët kontrollonin një hapësirë të gjatë prej Kninit deri në Sllavoni. Në Beograd, në qarqet e larta politike dhe akademike, flitej gjithnjë e më shumë se duhej rrumbullakësuar dhe legjitimuar kufijtë e rinj të shtetit serb, përfshirë këtu edhe së paku 40 për qind të territorit të Kosovës.
BISEDIMET PËR NDARJEN E KOSOVËS
Dobrica Qosiq, kryetari i atëhershëm i “RFJ-së”, të krijuar me të shpejtë në prill të vitit 1992, në disa raste kishte biseduar me lordin Oëen, bashkëkryetarin e Konferencës së Londrës dhe më vonë të Konferencës së Gjenevës, për ndarjen e Kosovës. Në pranverë të vitit 1991, Qosiq ia kishte hapur këtë opsion edhe Ëarren Zimmermanit, ambasadorit të fundit të SHBA-së në RSFJ. Qosiq mendonte që Kosova nuk mund të kontrollohet gjatë me forca ushtarake dhe policore, që shqiptarët janë faktor] i rrezikshëm për Serbinë dhe që ndarja është mënyra e vetme e zgjidhjes së kësaj çështjeje. Zimmerman do t’ia përcjellë Ushingtonit propozimet e Qosiqit ndërsa Oëen do të pohojë që ky është një opsion interesant, por që vështirë është të gjindet dikush në Perëndim që do të pranonte të përkrahë publikisht idenë për ripërkufizimin etnik dhe ndërrimin e kufijve.
Që Qosiqi dhe përkrahësit e tij kanë menduar seriozisht për mundësinë e ndarjes së Kosovës në vitin 1992, dëftonin edhe njoftimet e asaj kohe për përgatitjen e Kishës Ortodokse Serbe që të bartë në Serbi relikte të rëndësishme nga pjesët e Kosovës të cilat duhej t’i takonin shqiptarëve.
Qarqet politike, intelektuale dhe kishtare serbe, asokohe, mendonin që Perëndimi do të pranojë krijimin e një shteti të ri serb, me kufi prej Adriatikut deri në Han të Elezit, nëse ndërrohet regjimi në Serbi, gjegjësisht nëse bie Slobodan Milosheviqi, i cili që nga dhjetori i vitit 1990 ishte kryetar i Serbisë. Këmbimi i kokës së Milosheviqit për një shtet të ri, ku do të mblidheshin pothuaj të gjithë serbët, ishte variant i cili bashkonte shumë politikanë dhe intelektualë serbë. Shumë vjet më vonë, një diplomat i lartë perëndimor do të na pohojë që po të ndodhte kjo, proceset në Ballkan njëmend do të kishin tjetër kahe dhe Serbia do të realizonte shumicën e interesave të saj.
Vala e protestave në Serbi në verën të vitit 1992 dhe presionet ndërkombëtare kishin shtyrë Milosheviqin të pranojë mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi dhe në “RFJ” në të gjitha nivelet, përfshirë këtu edhe zgjedhjet për kryetar të Serbisë. Ato duhej të mbaheshin më 20 dhjetor 1992. Opozita serbe ishte bashkuar rreth Millan Paniqit, kryeministrit të “RFJ-së”, i cili kishte braktisur Serbinë si një biçiklist dhe ishte kthyer, në verë të vitit 1992, me një biografi të njeriut të pasur që kinse është shumë i afërt me administratën e presidentit George Bush.
Goditja përfundimtare Milosheviqit duhej t’i jipej pra më 20 dhjetor. Por, kudo në Perëndim, pos në kryeqytetet ku mbetja e Milosheviqit në pushtet nuk shihej si një gjë tragjike, ishte krijuar bindja që Milosheviqi nuk mund të rrëzohet dot pa ndihmën e afër një milion votuesve shqiptarë të Kosovës. Duket që për këtë ka qenë shumë i vetëdijshëm edhe vetë Milosheviqi. Për këtë shkak, ai do të intensifikojë dhunën ndaj shqiptarëve në vjeshtë të vitit 1992. Ai do të shndërrojë në një cirk bisedat shqiptaro-serbe për normalizimin e shkollimit në gjuhën shqipe, nën patronatin e Konferencës së Gjenevës dhe ambasadorit gjerman Gert Ahrens. Milosheviqi do të sjellë në Kosovë forca të reja ushtarake dhe policore, në përgatitje të luftës eventuale. Sikur shqiptarët ta kthenin mendjen dhe të vendosnin të dilnin në zgjedhjet e 20 dhjetorit, Milosheviqi do të niste luftën në Kosovë, si “reagim” ndaj “kryengritjes shqiptare”. Në atë rast, zgjedhjet do të shtyheshin dhe Milosheviqi do të dilte fitues politik. Kosova do të përjetonte fatin e Bosnjës. Kushedi se si do të zhvilloheshin pastaj ngjarjet.
DY VENDIMET MË TË RËNDËSISHME AMERIKANE PËR KOSOVËN
Shqiptarët, megjithatë, nuk dolën në zgjedhje, Milosheviqi fitoi prapë. Katër ditë pas fitores, Milosheviqi, nga zyrtarët e ambasadës së SHBA-së do të njoftohet me porosinë e Shtëpisë së Bardhë, e cila tash e tutje do të njihet si “Kërcënimi i Kërshëndellave”. Në të thuhej që Amerika do të intervenojë ushtarakisht në Kosovë nëse Serbia nis luftën.
Në fillim, ky kërcënim do të jetë objekt barcoletash dhe anekdotash në qarqet e Milosheviqit. Gjashtë vjet më vonë, kur tashmë lufta në Kosovë kishte shpërthyer, në përpjekjen për krijimin e qëndrimit të administratës së presidentit Bill Klinton, Madeleine Albright, Sekretarja e Shtetit dhe ambasadori Robert Gelbard, i deleguar special amerikan për Ballkan, do të përkujtojnë zotimin që kishte bërë Uashingtoni zyrtar në dhjetor të vitit 1992. Ky zotim, tok me premtimin e presidentit Bill Klinton, dhënë delegacionit kosovar, të prirë nga dr.Ibrahim Rugova, në maj të vitit 1998, që Amerika nuk do të lejojë që në Kosovë të përsëritet Bosnja, do të kenë peshën e dy vendimeve kapitale për angazhimin amerikan në Kosovë.
Po si është përgatitur “Kërcënimi i Kërshëndellave”? Pse presidenti Bush, i cili një muaj më parë kishte humbur zgjedhjet për kryetar të Amerikës, mori një vendim të tillë, të vetmin vendim unilateral në vitet më kritike të presidencës së tij, të cilat njohën luftën kundër Irakut dhe luftën në procesin e shpartallimit të RSFJ-së? Si u bë që administrata e presidentit të ri, Bill Klinton, një muaj pas betimit, rikonfirmoi “Kërcënimit e Kërshëndellave”?
Duket që një mori shkaqesh politike ndikuan marrjen e këtij vendimi. Por, mbi të gjitha, ishin zhvillimet në Kosovë ato që alarmonin SHBA-në, e cila, gjatë tërë vitit 1992, me një pasivitet evident kishte përcjellë zhvillimet në Bosnjë – Hercegovinë, edhe pse ishte James Baker, sekretari i shtetit, ai, i cili në dimër të vitit 1992 nxori pëlqimin e shteteve të Unionit Evropian që njohja e Sllovenisë dhe Kroacisë nga Uashingtoni të bëhet me kusht që këtë shtete të njohin Bosnjën dhe Maqedoninë. Kështu edhe ndodhi. Por, njohja e Bosnjës nga UE-ja, SHBA-ja dhe OKB-ja, më 6 prill, 1992, vetëm sa shtyri forcat serbe që me luftë të marrin sa më shumë territore. Shtëpia e Bardhë në fillim ishte hamendur çfarë duhet bërë. Vetë Baker kishte qenë ithtar i një reagimi shumë më të vendosur amerikan.
Por, Lawrence Eagleburger, zëvendësi i tij, përndryshe ambasador i SHBA-së në Beograd në fillim të viteve të tetëdhjeta, ishte i mendimit që Amerika nuk duhet të përzihet në kazanin e Bosnjës. Më vonë, në verë të vitit 1992, Baker do të zgjedhet shef i fushatës së Bushit në zgjedhjet presidenciale, ndërsa Eagleburger do të bëhet ushtrues i detyrës së Sekretarit të Shtetit. Zgjedhjet e vitit 1992, preokupimi i Bushit me kandidaturën e tij për mandatin e dytë presidencial dhe droja për pasojat e mundshme në rast të involvimit ushtarak amerikan në Ballkan bënë që Bosnja t’i lihej si problem për t’u zgjidhur evropianëve dhe OKB-së. Dihet çfarë ndodhi me Bosnjën. Tek në vitet 1994, 1995, me angazhimin e administratës së Klintonit, do të krijohen rrethanat për ndaljen e luftës dhe Marrëveshjen e Dejtonit.
ÇFARË THOSHTE JAMMES BAKER PËR KOSOVËN?
Në fakt, edhe për sa i përket Kosovës, deri në dhjetor të vitit 1992, kur artikulohet “Kërcënimi i Kërshëndellave”, Uashingtoni zyrtar nuk ka pasur politikë të qartë se çfarë duhet bërë. Porositë konfidensiale të cilat i janë dërguar dr.Ibrahim Rugovës, i cili në zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992 ishte zgjedhur Kryetar i Kosovës, ishin përqendruar, mbi të gjitha, në vazhdimin e kursit paqësor shqiptar dhe në refuzimin e reagimit të armatosur ndaj provokimeve evidente serbe. Jammes Baker, në një takim që do të ketë asokohe me kongresmenët dhe senatorët proshqiptarë, do të theksojë se Uashingtoni nuk përkrah pavarësinë e Kosovës, gjegjësisht mendon që statusi special (një autonomi e gjerë politike), ashtu siç ishte propozuar në Konferencën Paqësore të Hagës (shtator, 1991), është zgjidhje për Kosovën. Por dihej se pala serbe refuzonte madje edhe këtë propozim, i cili ishte shumë larg synimeve të shqiptarëve.
Pra, Beker kishte pohuar që zgjidhja për Kosovën duhet të kërkohet brenda “RFJ-së”. Edhe Sean Burns, i cili atëherë ishte diplomati më i lartë në Ambasadën amerikane në Beograd, sepse SHBA-ja nuk kishte njohur “RFJ-në” dhe nuk kishte marrëdhënie diplomatike të nivelit më të lartë me Beogradin, në takimet që kishte me dr.Rugovën në Prishtinë, përsëritte këto qëndrime: Dr.Rugova duhet të vazhdojë me politikën paqësore, Amerika njeh udhëheqësinë kosovare si legjitime, por nuk përkrah pavarësinë e Kosovës.
Përndryshe, Burns, gjashtë vjet më pas do të jetë shef i Misionit amerikan të KDOM-it (Misionit vëzhgues diplomatik), të krijuar në korrik të vitit 1998. Burns do të luajë rol të madh në vendosjen e kontakteve amerikane me UÇK-në.
Në tetor të vitit 1992, në Kosovë do të qëndrojë Jennifer Brush, zyrtarisht e cilësuar si përfaqësuese speciale në Ambasadën amerikane në Beograd. Brush do të vizitojë shumë vende të Kosovës, për t’u njoftuar më për së afërmi me situatën. Një hulumtim të ngjashëm, Brush kishte bërë disa javë para shpërthimit të luftës në Bosnjë – Hercegovinë. Sipas të gjitha gjasave, raportet e Brushit kanë qenë alarmi më i madh i asaj kohe për Uashingtonin. Në realitet, nuk ka qenë vështirë të konkludohet që Serbia është duke ndërtuar pozicionin për të nisur luftën në Kosovë. Këtë konkludim do ta nxjerrë edhe delegacioni treanëtarësh i Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit amerikan, i cili do të qëndrojë në Prishtinë më 19 tetor. Në këtë delegacion do të jetë edhe James Rubin, i cili më vonë do të bëhet zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe i cili do të ketë rol shumë të rëndësishëm në procesin e Rambujesë.
Në atë kohë, sipas shënimeve konfidensiale perëndimore, Serbia kishte koncentruar në Kosovë 19000 ushtarë dhe paramilitarë dhe 20000 policë. Në rrethana të zakonshme, në kohë të funksionimit të autonomisë politike të Kosovës, numri i ushtarëve kurrë nuk ka qenë më i madh se 11000, ndërsa i policëve 3500.
Planet e luftës të cilat do të zbulohen më vonë, parashihnin një mobilizim të shpejtë të 60000 ushtarëve shtesë, nga rajonet kufitare të Serbisë me Kosovën. Edhe pa këtë kontingjent shtesë, llogaritej që në Kosovë ka 102000 serbë të armatosur (ushtarë, policë, rezervistë, paramilitarë dhe civilë).
Në pranverën e vitit 1991 Serbia kishte armatosur shumë civilë serbë, me pretekst të rrezikut nga shpërthimi i luftës edhe në këto pjesë të RSFJ-së, e cila tashmë ishte në fazën e shpartallimit. Armatimi bëhej në pikë të ditës, për t’i frikësuar shqiptarët.
Raportet konfidensiale perëndimore të kohës kanë përmendur që në vjeshtë të vitit 1992, në Kosovë nuk ka mundur të ketë mbi 4000 shqiptarë që kanë pasur armë të lehta. Kosova në atë kohë nuk kishte më polici, e cila ishte shpartalluar në korrik të vitit 1990, ndërsa që prej vitit 1981 ishte pezulluar Mbrojtja Territoriale, e cila parashihte organizimin e vetëmbrojtjes së armatosur të përbërë prej 40000 vetave.
Përpjekjet e viteve 1990-1992 për organizimin e njësive të armatosura nga ana e LDK-së dhe LPK-së (Lëvizjes Popullore të Kosovës), nuk kishin dhënë farë rezultati. Ministria e Mbrojtjes, e organizuar nga Qeveria e Bujar Bukoshit, ishte tek në fazën e parë të organizimit. Një vit më vonë, në vjeshtë të vitit 1993, do të arrestohet Hajzer Hajzeraj, i cili ishte ministër i mbrojtjes dhe do të zbulohet pothuaj i tërë rrjeti i ministrisë.
Pra, sikur Serbia të niste luftën në vjeshtë të vitit 1992, shqiptarët do të ishin krejtësisht të pambrojtur. Kur e patëm pyetur dr.Rugovën se çfarë do të bënte në rast lufte, ai na u pat përgjigjur: “Ne vetë nuk kemi mundësi të mbrohemi. Në atë rast do të kërkonim intervenimin nga SHBA, Unioni Evropian, OKB-ja. Pastaj, Shqipëria me siguri do të inkuadrohet në luftë. Perëndimi duhet të reagojë, sepse lufta nga Kosova do të përhapej në mbarë rajonin…”
KËRCËNIMET E GJENERALIT SERB
Forcat serbe kishin armë të të gjitha llojeve të koncentruara në Kosovë. Tërheqja e ushtrisë së Jugosllavisë nga Maqedonia dhe nga Bosnja, si pasojë e pavarësimit të tyre, kishte ndikuar që arsenali ushtarak i UJ-së në Kosovë të jetë më i fortë se kurrë. Në Kosovë pothuaj përditë mbaheshin ushtrimet ushtarake, ku involvoheshin njësitë tankiste dhe ato të aviacionit ushtarak. Gjenerali serb, Miroslav Radmanoviq, i cili ishte komandant i Korpusit të Prishtinës, nuk do të hezitojë të artikulojë publikisht kërcënimet kundër shqiptarëve dhe Perëndimit, nëse ata provojnë të pavarësojnë me dhunë Kosovën.
Por, gjëja më shqetësuese atëherë ishte deklarata e Radmanoviqit që Beogradi ka informata që 20000 kosovarë janë ushtruar në Shqipëri nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe që ata janë armatosur mirë për të nisur kryengritjen në Kosovë. Ky prononcim i Radmanoviqit ishte paralajmërim i një skenari të rrezikshëm dhe i një justifikimi eventual në rast të shpërthimit të luftës në Kosovë.
Pastaj, Zheljko Raznjatoviq Arkani, krimineli i njohur serb nga luftërat e Kroacisë dhe Bosnjës, tashmë sillej nëpër Kosovë me forcat e veta. Për më tepër, Arkani do të marrë pesë mandate deputetësh nga Kosova në Kuvendin e Serbisë në zgjedhjet e 20 dhjetorit. Vetë Arkani përhapte anekdotën që Kosovës do t’i ndërrohet emri në Arkanzas (emri i shtetit amerikan prej nga vinte kryetari i ri amerikan, Bill Klinton).
Serbia, pastaj, kishte vendosur të intensifikojë procesin e kolonizimit të Kosovës. Më 1 tetor, 1992, në Deçan do të dërgohen 11 autobusë dhe 15 kamionë, të cilët bartnin 199 familje serbe me 600 anëtarë. Beogradi u kishte ndarë 445 troje për ndërtim. Synimet serbe, të cilat ishin bërë publike asokohe, ishin që në Kosovë të ndërrohet struktura etnike në favor të serbëve. Plani ishte që 150000 serbë të sjellen në Kosovë. Njëkohësisht, numri i shqiptarëve që braktisnin Kosovën në kërkim të strehimit politik dhe ekonomik në Perëndim, në vjeshtë, dimër të vitit 1992, kishte arritur në 600 në javë. Dr.Rugova, në takimin që asokohe do të ketë me Bjorn Ëalkmanin, shef i parë i Zyres së UNHCR-it në Prishtinë, do të theksojë këtë problem, por Ëalkman kishte thënë që ai ka një mandat të limituar të përkujdesjes për refugjatë që vinin në Kosovë nga Kroacia dhe Bosnja.
Më 6 dhjetor, 1992, në qendër të Prishtinës, në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, do t’i vihen themelet e kishës së re ortodokse. Ishte ky një argument shtesë për synimet e regjimit serb.
Në anën tjetër, nuk kishte kurrfarë shenje që çështja e Kosovës do të inicohet nga Konferenca Paqësore e Gjenevës, ku Grupi për Kosovën, i kryesuar nga Gert Ahrens, mundohej të bënte diç më shumë për çështjen e normalizimit të arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë. Vetë Ahrens nuk do të hezitojë t’iu thotë konfidensialisht liderëve shqiptarë, prej dr.Rugovës e tutje, që kosovarët nuk kanë çfarë të presin nga Konferenca e Gjenevës dhe nga evropianët.
Adresa e juaj është Uashingtoni, u kishte thënë Ahrens. Duket që ky mesazh i Ahrensit lidhej edhe me një gjë: Kryeministri grek, Konstantin Micotacis, kishte marrë iniciatëve për të ndërmjetësuar midis dr.Rugovës dhe Milosheviqit. Nuk ishte vështirë të konkludohet çfarë mund të dilte nga kjo nismë e Micotacisit, i cili ishte afishuar si mik serb. Dihet që Micotacis do të inkuadrohet haptas në pranverë të vitit 1993, në anën e Beogradit, kur bëhej fjalë për planin Vance-Oëen për Bosnjën. Në këtë rrëmujë “iniciativash” do të përfshihet edhe Moamer Gadafi, lideri i Libisë, i cili do të ftojë dr.Rugovën në vizitë zyrtare Tripolit. Rugova kishte refuzuar këtë ofertë dhe për këtë kishte informuar edhe Uashingtonin, i vetëdijshëm që fjala është për një truk të përgatitur në Beograd.
KËRKESAT E VANCE DHE OËEN
Më 29 tetor do të qëndrojnë në Kosovë Cyrus Vance dhe Lordi Oëen, bashkëkryetarët e Konferencës së Gjenevës. Kjo vizitë pritej në Prishtinë me një shpresë të madhe, e cila më vonë do të provohet që ishte iluzion, për hapjen e çështjes së Kosovës. Oëen më parë ishte njoftuar, në kanale të ndryshme, për pozicionin e dr.Rugovës dhe të politikanëve shqiptarë, por ky, në porositë e tij interne, kishte thënë që pavarësia e Kosovës thjesht nuk përkon me kornizën e Konferencës së Gjenevës.
Vance, në anën tjetër, para ardhjes në Prishtinë, kishte marrë një letër nga senatori amerikan, Joseph Liberman (demokrat, ashtu si edhe Vance), në të cilën ky ia tërhiqte vërejtjen që lënia anësh e çështjes së Kosovës mund të jetë fatale për zhvillimet në Ballkan. Liberman kërkonte nga Vance që Konferenca e Gjenevës të ndërmarrë masa konkrete në parandalimin e luftës në Kosovë.
Vance dhe Oëen do të jenë shumë të prerë në takimin që kishin me dr.Rugovën: Ndërrimi i regjimit të Milosheviqit është parakusht për hapjen e çështjes së Kosovës. Kjo nuk mund të bëhet pa daljen e shqiptarëve në zgjedhje. Rugova duhet të thërrasë shqiptarët të dalin në zgjedhje. Por, Rugova ua pat kthyer që kjo nuk do të ndodhë. Për më tepër, Rugova u kishte thënë që edhe po të dalin shqiptarët në zgjedhje, opozita serbe është e dobët dhe nuk do të fitojë.
Vance dhe Oëen nuk ishin diplomatët e vetëm që bënin presion mbi Rugovën. Klaus Kinkel, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, do t’i dërgojë letër Dr.Rugovës me të njejtën porosi. Mesazhe të tilla Rugova do të marrë nga të gjitha anët. Edhe Bernard Kouchner, i cili në qershor të vitit 1999 do të emërohet shef i parë i UNMIK-ut, gjatë qëndrimit të tij të papritur në Kosovë, atëbotë si ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Francës, do të kërkojë nga Rugova të dalë në zgjedhjet serbe.
Megjithatë, askush nga perëndimorët dhe nga opozita serbe nuk ofronte farë kundërshpërblimi thelbësor nëse shqiptarët marrin pjesë në këto zgjedhje. Vetëm në një rast, një këshilltar i rëndësishëm i Millan Paniqit, gjatë takimit që kishte në Tiranë me Sali Berishën, kryetarin e Shqipërisë, do të pohojë që nëse Paniqi fiton me vota të shqiptarëve, ai është në gjendje të ofrojë variantin, sipas të të cilit Kosova do të fitonte statusin e republikës në kuadër të “RFJ-së”, por pa të drejtë shkëputjeje. Megjithatë, ai këshilltar nuk kishte ofruar garanca të fuqishme për këtë ofertë të Paniqit.
Sidoqoftë, Rugova dhe politikanët tjerë shqiptarë të kohës pritnin që presioni më i madh dhe pothuaj i papërballueshëm do të vijë nga Uashingtoni dhe Laërence Eagleburgeri, sekretari i Shtetit. Me gjasë, ky ka qenë momenti më problematik për Rugovën dhe lëvizjen politike të shqiptarëve të Kosovës në periudhën 1990-1997, kur Kosova gjendej në gjendjen “as luftë, as paqe”.
Dr.Rugova në ato ditë dhjetori, në takimet e shumta diplomatike që kishte, do të këmbëngulë në refuzimin e daljes në zgjedhje, në vazhdimin e rezistencës paqësore dhe do të kërkojë shpesh prej qytetarëve të Kosovës të mos bien pre të provokimeve serbe. Dr.Rugova dhe shumica e qytetarëve të Kosovës atëbotë do të shpresojnë që vendosja e Misionit të KSBE-së për Kosovën, Sanxhakun dhe Vojvodinën, në krye me ambasadorin norvegjez Tore Bog, do të shtensionojë gjendjen në Kosovë dhe do të ndikojë në krijimin e rrethanave më të volitshme për Kosovën.
Ambasadori Bog ato ditë do të na vërtetojë që qëllimi i misionit të tij është pikërisht parandalimi i shpërthimit të luftës në Kosovë. Bog pohonte që të gjitha qeveritë, prej Moskës deri në Uashington, janë të vendosura të mos lejojnë që Prishtina të bëhet Sarajevë. Megjithatë, në fund të bisedës që kishim me të, Bog do të theksojë se misioni i tij nuk ka mekanizma të forcës por vetëm sugjerime politike. Më 2 korrik të vitit 1993 Misioni i KSBE-së do të hedhet jashtë “RFJ-së” nga regjimi serb thuajse kishin të bëjnë me një grup hajnash. Bog do të deklarojë se ky është një gabim serioz i Beogradit. Me kaq do të mbyllet episodi i Misionit të KSBE-së.
TAKIMI KYÇ EAGLEBURGER – RUGOVA NË BRUKSEL
Presioni aq i pritur amerikan për të dalë në zgjedhjet serbe të 20 dhjetorit do të mungojë fare në dy javët e fundit para zgjedhjeve. Për më shumë, Eagleburger, gjatë takimit me dr.Rugovën në Bruksel, nuk do ta përmendë këtë gjë.
Ndërsa, gjatë qëndrimit të tij në Gjenevë Eagleburger do të paralajmërojë përkrahjen dhe ndihmën e madhe amerikane për ndjekjen e të gjithë kriminelëve serbë të luftës. Për më shumë, Eagleburger do të zërë ngojë edhe emrin e Arkanit si kriminel i cili duhet të ndjeket nga drejtësia ndërkombëtare. Një zyrtar amerikan i asaj kohe do të na thotë që Eaglburger ishte zotuar për këtë gjë, posaçërisht nën ndikimin e Elie Wiesselit, nobelistit të njohur hebrej, të mbijetuarit të Auschëitzit, me të cilin ishte takuar atëbotë. Wiessel do të ketë ndikim edhe tek Administrata e Klintonit kur do të përkrahë fushatën e NATO-s në mbrojtje të shqiptarëve.
Sa i përket Kosovës, gjegjësisht daljes eventuale në zgjedhjet e 20 dhjetorit, sipas të gjitha gjasëve, në Uashington kishte mbizotëruar logjika që në atë rast Milosheviqi do të mund të shkonte deri në fund në provokimin e shqiptarëve dhe nisjen e luftës. Në anën tjetër, siç do të na thonë zyrtarët e administratës së George Bushit, në diskutimet për politikën në Ballkan, në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Shtetit, në Pentagon, ishte krijuar konsensusi që lufta në Kosovë do të rrezikonte interesat strategjike të SHBA-së. “Skenari më i keq i mundshëm” për Amerikën ishte ai, i cili parashihte përhapjen e luftës në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, përzierjen e Turqisë dhe Greqisë, dy aleatëve amerikanë në Paktin NATO dhe një tronditje përmasash evropiane. Në Bosnjë lufta kishte marrë qëmoti dimensionin tragjik, por ajo ishte një luftë e izoluar.
Shqetësimet shtesë të Amerikës për Maqedoninë kishin të bëjnë me mungesën e stabilitetit të brendshëm. Më 5 nëntor të vitit 1992, në trazirat në Bit Pazar, një lagje të Shkupit, do të vriten nga policia maqedone tre qytetarë shqiptarë dhe një qytetar maqedonas. Kjo ngjarje, pos tjerash, do të mbetet në kujtesë me ofertën urgjente sekrete të cilën Beogradi zyrtar ia kishte bërë Qeverisë së Maqedonisë për “ndihmë në shtypjen e rebelimit shqiptar”. Shkupi zyrtar kishte refuzuar këtë ndihmë.
Analiza e bërë në muajt nëntor dhe dhjetor në Uashington çonte në konkludimin e qartë: Duhet ndërmarrë masa preventive për të parandaluar shpërthimin e luftës në Kosovë dhe në Maqedoni.
Sa i përket Maqedonisë, SHBA-ja do të përkrahë idenë që atje të dërgohen 800 ushtarë skandinavezë, të cilët do të përbënin Misionin e UNPROFOR-it. Ishte ky më shumë një gjest simbolik sesa prani e mirëfilltë ushtarake e cila do të zbrapste Serbinë në rast të pretendimeve të saja territoriale ndaj Maqedonisë.
Në prill të vitit 1993 do të na bie të takohemi me gjeneralin danez, Fin Sermark Tomsen, komandantin e parë të UNPROFOR-it në Maqedoni. Tomsen do të na thotë që ai dhe UNPROFOR-i janë plotësisht të pafuqishëm në rast të luftës në Kosovë.
Po të ndodhë lufta në Kosovë, Tomsen na pat thënë që atij do t’i mbetej të shkruajë raporte, ndërsa vetëm për të ndihmuar refugjatëve kosovarë të cilët do të vinin në Maqedoni do t’i nevojiteshin së paku 7000-10000 ushtarë.
Siç kemi kuptuar më vonë, më të merituar për propozimin e “Kërcënimit të Kërshëndellave” do të jenë Bob Froëick, Ëilliam Montgomery, Marshal Harris dhe, së fundit, vetë Laërence Eagleburger. Ambasadori Froëick ka qenë i pranishëm një kohë të gjatë në rajon: Ai ishte shefi i parë i Misionit të KSBE-së në Maqedoni, në vitin 1992, pastaj ishte në Bosnjë, në Shqipëri dhe së fundit në Maqedoni, gjatë luftës së vitit 2001.
Frowick do të alarmojë opinionin ndërkombëtar në vitin 1992, kur do të thotë se gjasët për shpërthimin e luftës në Maqedoni janë 50:50. Montgomery do të jetë ambasador i Amerikës në Zagreb dhe në dy vjetët e fundit në Beograd. Harris do të braktisë Departamentin e Shtetit në fillet e administratës së Klintonit, i pakënaqur me politikën ndaj Bosnjës, gjegjësisht me abstenimin në veprimin e paralajmëruar gjatë fushatës presidenciale të Klintonit. Ky kishte thënë që nëse zgjidhet kryetar, do të bëjë çfarë nevojitet, përfshirë këtu edhe bombardimet e caqeve serbe, për të ndalë luftën në Bosnjë.
KOSOVA SI URË LIDHËSE MIDIS BUSHIT DHE KLINTONIT
Eagleburger do të pajtohet me propozimin dhe kështu, Slobodan Milosheviqi do të marrë porosinë e qartë të Uashingtonit: “Nëse lufta fillon në Kosovë dhe nëse Beogradi është përgjegjës për këtë punë, atëherë Amerika do të intervenojë ushtarakisht.” Por, ky “kërcënim” kishte porosi të tërthortë edhe për dr. Rugovën dhe shqiptarët: “Ata duhet të vazhdojnë me politikën paqësore dhe të presin ndërmjetësimin ndërkombëtar. Përndryshe, nëse inicojnë rezistencë të armatosur, nuk do ta kenë Amerikën me vete.”
Duket që kjo logjikë do të funksionojë në Kosovë deri në periudhën e Dejtonit. Pas tij, më nuk ka mundur të funksionojë “status quo”, i cili në masë të madhe i referohej pikërisht “Kërcënimit të Kërshëndellave”.
U tha më parë që ky ishte një kërcënim i njëanshëm i SHBA-së, i përgatitur jashtë Paktit NATO dhe pa konsultime me partnerët kryesorë evropianë në Unionin Evropian.
Zyrtarë amerikanë të asaj kohe na kanë thënë që “Kërcënimi i Kërshëndellave” ka qenë rezultat i analizave të zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe, në anën tjetër, Bush, në këtë mënyrë, ka dashur të përkujtojë presidentin Klinton, i cili do të betohej në janar për rrezikun e luftës në Kosovë dhe në rajon.
Ka të tillë që thonë se administrata e Bushit, në shkuarje e sipër, nuk e ka pasur edhe aq vështirë ta bëjë këtë zotim. Sidoqoftë, administrata e Klintonit pa mëdyshje do të mbështetë “Kërcënimin”: Sekretari i shtetit, Ëarren Christopoher, Antony Lake, Këshilltari për Siguri Kombëtare, do të rifuqizojnë porosinë e Bushit. Në këtë frymë, për të dëshmuar zotimin për Kosovë dhe Maqedoni, SHBA, më 12 korrik të vitit 1993 do të dërgojë 316 rangerë në Maqedoni, që të gjithë veteranë të luftës kundër Irakut. Trupat amerikane në Maqedoni nuk do të jenë pjesë e UNPROFOR-it, por do të kenë komandë të veten.
Sidoqoftë, Milosheviq kishte fituar zgjedhjet e 20 dhjetorit dhe tashmë, ai nuk ishte shumë i interesuar të nisë luftën në Kosovë. Pastaj, ai kishte priorite të tjera në Kroaci dhe në Bosnjë. Duket që “Kërcënimi i Kërshëndellave” kishte efekt të dyfishtë: Në një anë, ky ia tregoi kufizimet Milosheviqit në Kosovë, por, në anën tjetër, vërtetoi që Uashingtoni nuk ka farë interesi të madh për Kroacinë dhe Bosnjën.
“Kërcënimi i Kërshëndellave” do të ringjallet së pari në pranverën e vitit 1998, kur Kosova ishte përfshirë në luftë, ndërsa Grupi i Kontaktit pasuksesshëm mundohej të bindte regjimin serb për të pranuar një ndërmjetësim ndërkombëtar. Ambasadori Bob Gelbard, i cili ishte Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkan, pas dështimit të iniciativave të tij, do të thirret pikërisht në “Kërcënimin e Kërshëndellave” si argument shtesë kur do t’i propozojë zonjës Albright dhe presidentit Bill Klinton që Serbia duhet të bombardohet, nëse nuk pranon ndërmjetësimin ndërkombëtar.
Dihet që në prill, maj të vitit 1998, Klinton ende nuk ishte gati të urdhërojë sulmet ushtarake ndaj Serbisë. Por edhe zonja Albright, në periudhën e Konferencës së Rambouilletit dhe Parisit (shkurt, mars 1999), do të nxjerrë argumentin e “Kërëcënimit” në debatet që kishte në kreun e administratës së Klintonit.
Kështu, doli që “Kërcënimi i Kërshëndellave” i dhjetorit të vitit 1992, ishte njëri nga momentet vendimtare në procesin e çlirimit të Kosovës nga Serbia, përgatiti “Telegrafi”. (b.an)