Kandidatët për deputetë përjashtohen në mënyrë të dyshimtë nga verifikimi për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit. Komisioni për hapjen e dosjeve është i detyruar me ligj që t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike për verifikimin për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, për të gjithë kandidatët për t’u emëruar dhe zgjedhur në 26 detyra të rëndësishme, duke nisur që nga Presidenti e deri tek drejtorët, me përjashtim të kandidatëve për deputetë.
Kështu parashikohet në nenin 29 të ligjit për hapjen e dosjeve, ligj i cili pritet të zbatohet me ngritjen e komisionit përgjegjës, dy ditë më parë, nga Parlamenti. Edhe pse në shumicën e institucioneve të shtetit, duke përjashtuar sistemin e drejtësisë, nuk parashikohet me ligj verifikimi i kandidatëve për lidhje me ish-Sigurimin, si një ndër kushtet për t’u emëruar në funksione të larta, ligji për hapjen e dosjeve e lë të hapur mundësinë për një proces lustracioni.
Por, ligjvënësit shqiptarë, pikërisht ata që kanë miratuar ligjin dhe ngritën dy ditë më parë komisionin për hapjen e dosjeve, e kanë përjashtuar veten nga ky proces. Në këtë kuadër, asnjë autoritet publik apo privat, nuk mund të marrë informacion nga autoriteti për hapjen e dosjeve, nëse për ndonjë nga kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 2017.
Gjithashtu, asnjë autoritet publik apo privat nuk mund t’i drejtohet komisionit për verifikimin e deputetëve aktualë, një pjesë e të cilëve pritet të jenë pjesë e Parlamentin të ardhshëm. Ligji parashikon që, vetëm vetë kandidatët për deputetë mund t’i drejtohen komisionit për verifikim.
26 kategoritë, verifikimi
Janë 26 funksione, kandidatët për të cilat do t’i nënshtrohen verifikimit për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit. Lista nis më kandidatët për President të Republikës, ministrat, zëvendësministrat, funksionarë politikë, drejtorët në administratën publike, armata e gjyqtarëve dhe prokurorëve, anëtarët e KLD, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, diplomatët, ushtarakët, punonjësit e shërbimeve informative, rektorët, dekanët etj.
Ndërkaq, sipas ligjit, komisioni u përgjigjet institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike për zyrtarin që emërohet ose ngrihet në detyrë, përkatësisht nëse ka qenë ose jo person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, nëse ka qenë ose jo bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit dhe nëse figuron ose jo në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ligji parashikon që brenda dy muajve nga ngritja e Autoritetit, rrjeti arkivor i Republikës së Shqipërisë paraqet informacion pranë Autoritetit dhe vë në dispozicion të tij informacionet dhe dokumentet e kërkuara prej tij, sipas këtij ligji. Ndërkaq, brenda tre muajve nga fillimi i funksionimit të autoritetit, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe SHISH-i duhet të kenë kaluar në administrim tek autoriteti të gjithë arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ligji parashikon që transporti i dokumenteve sekrete për spiunët të shoqërohen nga të paktën dy anëtarë të autoritetit për hapjen e dosjeve. Po ashtu,çdo person fizik dhe juridik privat i dorëzon menjëherë Autoritetit, me kërkesë të tij, dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që zotëron, si dhe kopje apo dublikata të tjera, kur këto nuk janë në pronësi të personit fizik apo juridik privat. Vërtetimi i pronësisë i takon personit fizik ose juridik privat. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, konsiderohen në pronësi të personit fizik apo juridik privat dokumentet që ky i fundit, në bashkëpunim me ish-Sigurimin e Shtetit, i ka përgatitur vetë
Ligji parashikon ndalimin e hyrjeve të paautorizuara në arkivin e komisionit. Po ashtu, ndalohet aksesi i personave të paautorizuar në dokumentet e ish-Sigurimit dhe sistemet e përpunimit të të dhënave, me të cilët përpunohen informacione prej dokumenteve. Ndalohet edhe leximi i dokumenteve, kopjimi, ndryshimi, asgjësimi apo largimi i paautorizuar. Ligji parashikon gjithashtu që organizimi duhet të jetë i modeluar në atë formë, që t’u përgjigjet kërkesave specifike për ruajtjen e të dhënave. Pas kalimit të afatit të ruajtjes, dokumentet e krijuara nga Autoriteti duhet t’i dorëzohen Arkivit nga i cili janë marrë në dorëzim, apo që rrjedhin dokumentet e prodhuara.
Kush i shoqëron spiunët
Sipas ligjit, spiunët dhe të spiunuarit mund të shoqërohen nga një person i besuar gjatë hapjes së dosjes së tyre. “Kur për shkaqe aftësie të kufizuar, kërkuesi, për të shqyrtuar dokumentet, ka nevojë për ndihmën e një të treti, Autoriteti lejon praninë e të tretit kur kërkuesi deklaron se ai është person i besuar dhe ka arsye të mjaftueshme për të besuar nevojën për shoqërim”, thuhet në ligj.
Ligji parashikon se autoriteti mund ta kufizojë pjesërisht ose plotësisht garantimin e të drejtës për informim, kur të dhënat cenojnë Sigurinë Kombëtare dhe Publike. Megjithatë, në ligj thuhet se autoriteti iu jep bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të nenit 20, të këtij ligji, informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta, me kërkesë të tyre. Informacioni mund të përfshijë edhe një përshkrim të llojit dhe vëllimit të veprimtarisë, një përshkrim të rrethit të personave mbi të cilët është raportuar, si dhe periodicitetin e raportimeve.
Neni 29, ja kategoritë që do të verifikohen
1.President i Republikës
2.Anëtarë të Këshillit të Ministrave
3.Zëvendësministra
4.Funksionarë politikë
5.Anëtarë të trupës së nivelit të lartë drejtues në administratën shtetërore
6.Anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
7.Gjyqtarë
8.Prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve
9.Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;
10.Funksionarë në Forcat e Armatosura , Shtabin e Përgjithshëm
11.unksionarë në Gardën e Republikës,
12.Oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”
13.Prefektë
14.Drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror
15.Drejtues dhe punonjës të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes
16.Drejtues në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati
17.Drejtues të përfaqësive diplomatike;
18.Guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të BSH
19.Anëtarë të Akademisë së Shkencave
20.Rektorë,
21.Zëvendësrektorë
22.Dekanë
23.Zëvendësdekanë në universitetet publike
24.Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar
25.Drejtor dhe Zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare
26.Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi