Nga Alfons Çupaj
Vrasja e gjyqtares Fildez Hafizi ka tronditur mbarë opinionin publik. 39-vjeçarja u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj, teksa kjo e fundit po lëvizte me një automjet Mercedes Benz.
Policia arrestoi autorin, ku iu gjet me vete arma e krimit. 53 vjeçari kishte tentuar ta vriste edhe 2 vjet me parë gjyqtaren.
Më 19 korrik të vitit 2015, ai e sulmoi ish –bashkëshorten në plazhin e Golemit, në sy të djalit të tyre. Kishte një pistoletë në çantë, por pasi gruaja i ishte lutur të mos e vriste në sy të djalit, ai e kishte qëlluar me grusht në fytyrë.
Ndonëse gjyqtarja Kasemi ishte me urdhër mbrojtje dhe shteti kishte për detyrë t’i siguronte jetën, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Ekzekutimi i Fildez Hafizit (Kasemit), nuk është rasti i parë i vrasjes së gjyqtarëve në Shqipëri, shkruan Javanews.al
Gjashtë vjet më parë, në Vlorë, është ekzekutuar në një atentat mafioz gjyqtari Skerdilajd Konomi. Megjithëse kemi të bëjmë me dy vrasje të ndryshme, njëra krim brenda familjes dhe tjetra atentat për shkak të detyrës, të dyja ngjarjet tregojnë se krimi arrin të godase edhe kupolën më të lartë të drejtësisë dhe shtetit shqiptar, shkruan javanews.al
Por përveç dy rastet e vrasjeve të gjyqtarëve, ka plot raste të tjera kur gjyqtarët dhe prokurorët janë kërcënuar, shantazhuar, madje edhe plagosur për shkak të detyrës, nga elementë kriminale.
Kërcënimit nuk i ka shpëtuar as kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili u detyrua të largojë familjen e tij jashtë Shqipërisë.
Edhe kryegjyqtari i çështjes së ‘Dritan Dajtit’ është kërcënuar bashkë me gjithë trupën gjykuese të dosjes.
Gjithashtu, gjyqtari i cili gjykoi dosjen e “Bandës së Durrësit”, Gurali Brahimllari është kërcënuar së bashku me familjen e tij.
Javanews.al sjell disa prej rasteve kryesore
Vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi (09 shtator 2011)
Një ngjarje tronditëse është regjistruar 6 vjet më parë në Vlorë, ku u ekzekutua në një atentat mafioz me shpërthim të telekomanduar gjyqtari Skerdilajd Konomi
Gjyqtar prej vitit 2004 në Vlorë, Skerdilajd Konomi është vrarë më 09 shtator 2011. Konomi ishte dule levizur me benzin e tij në bulevardin Vlorë-Skelë kur automjeti ka shpërthyer më fuqi të madhe. Në vendngjarje trupi u gjet i coptuar.
Shkatërrimi i makines, një benz 250 me targa VL 6383 B ndodhi nga nje sasi eksplozivi e telekomanduar.
Pavarësisht se kanë kaluar 6 vjet nga krimi makabër, vrasja mbetet ende e pazbardhur.
Kolegët e Konomit shpresojnë që me krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK-ut, si dhe me ardhjen e specialistëve të FBI-së, ngjarja të zbardhet dhe kriminelët do të marrin dënimin e merituar.
Sipas kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, Skënder Haluci, ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik është ende nën hetim, e pazbardhur.
Dyshimi i parë është një atentat për shkak të detyrës dhe grupi hetimor kërkoi të gjitha dosjet e Gjykatës së Vlorës, që kishte gjykuar Konomi.
Presidenti i asaj kohe, Bamir Topi e cilësoi sulm mafioz dhe antentat vrasjen e gjyqtarit Konomi.
Kanosje dhe plagosje të gjyqtarëve
Përveç dy rasteve të vrasjes së gjyqtarëve, javanews sjell edhe ngjarje të tjera ku gjyqtarët dhe prokurorët janë kërcënuar apo plagosur.
Kërcënohet me jetë kryeprokurori Adriatik Llalla (23/09/2016)
Kërcënimeve me jetë nuk i ka shpëtuar as numri një i prokurorisë, Adriatik Llalla.
Kryeprokurori i Republikës Adriatik Llalla është detyruar të largojë fëmijët dhe bashkëshorten shtatzënë nga Shqipëria në një vend aleat, pas kërcënimeve që ka marrë për shkak të hetimit të një dosjeje të fortë kriminale.
Në telefonin e kryeprokurorit Adriatik Llalla kanë mbërritur telefonata dhe mesazhe kërcënuese anonime. Kërcënimi ka qenë serioz dhe i drejtpërdrejtë në drejtim të zotit Llalla dhe familjarëve të tij më të afërt.
Për këtë u vunë në lëvizje edhe shërbimet partnere dhe ambasadat e huaja në Tiranë, kryesisht ato të Bashkimit Europian, një prej të cilave i ka ofruar kryeprokurorit sistemimin e familjes së tij në këtë vend europian në mënyrë përfundimtare.
Plagosja e gjyqtarit Artan Gjermeni
Një rast, i pasqaruar mirë deri më sot është plagosja e anëtarit të Gjykatës së Tiranës, Artan Gjermeni.
Ndërkohë, vetë gjyqtari pretendon se bëhet fjalë për një rrëzim të tij nga garazh.
Ndërkohe që burime nga spitali deklaruan se kishte katër plagë në trup, një në këmbë, një shpatull dhe një në bark. Në media u raportua se kishim të bënim me një plagosje me thikë, megjithëse vetë gjyqtari deklaroi se ishte plagosur aksidentalisht me një llamarinë.
Kërcënohet kryegjyqtari i çështjes së “Dritan Dajtit” (9 shtator 2012)
Gjyqtari i Gjykatës së Krimeve të Rënda i cili ka gjykuar një sërë çështjesh të bujshme, dhe tashmë është pjesë e e trupit gjykues në procesin “Dritan Dajti” ka marrë një letër kërcënimi ku i kërkohet të tërhiqet sa nuk është vonë.
Gjyqtari Ardit Mustafaj është kërcënuar më datë 9 shtator 2012. Poshtë derës së apartamentit të gjyqtarit Ardit Mustafaj është hedhur një letër kërcënuese. Letra është hedhur pikërisht, në të njëjtën ditë, kur një vit më parë, (9 shtator 2011) u ekzekutua gjyqtari i Gjykatës së Vlorës Skerdilajd Konomi.
Në të ishte shkruar “… Tërhiqu nga çështja sa nuk është vonë, mos u bëj palë me të tjerët por tërhiqu…” . Ky tekst ka bërë që Ardit Mustafaraj, të njoftojë të gjitha institucionet kompetente. Menjëherë më pas strukturat shtetërore dhe forcat e sigurisë kanë miratuar në mënyrë urgjente nëpërmjet komisionit të posaçem për mbrojtjen e gjyqtarëve, mbrojtjen e veçantë me forcat e njësisë “Brisku” për gjyqtarin Ardit Mustafaj dhe familjen e tij.
Dritan Dajti akuzohet për vrasjen e 4 policëve më 7 gusht 2009, në zonën e plazhit në Durrës. Gjatë operacionit për arrestimin e shumë të kërkuarit Dritan Dajti u vranë katër policë.
Kërcënohet gjyqtari i krimeve të Rënda (11 qershor 2009)
Gjyqtari i cili gjykoi dosjen e “Bandës së Durrësit”, Gurali Brahimllari është kërcënuar së bashku dhe me familjen e tij.
Kërcënimi ndaj gjyqtarit erdhi pas mbarimit të procesit gjyqësor të “Bandës së Durrësit”.
Ndërkohë që dyshohet se kërcënimet kanë ardhur nga të afërmit e të pandehurve.
Gjyqtari i Lezhës kërcënohet me sms nga avokati (13/03/2015)
Por nuk kanë munguar as rastët kur gjyqtarët janë kërcënuar edhe nga vetë avokatët.
Avokati kërcënon gjyqtarin e Lezhës që përfundoi gjyqin në disfavor të klientit. Dedë Guri, 48 vjeç, u arrestua nga Policia në Tiranë, pasi ishte denoncuar nga gjyqtari. Ngjarja ndodhi më 13/03/2015
Ky i fundit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, kishte kërkuar ndihmën e policisë se avokati Guri i kishte çuar kërcënime me sms dhe letra, e së fundi edhe përballë. Avokati u arrestua për llogari të policisë së Lezhës, me akuzën e kanosjes për shkak të detyrës.
(Javanews)











