Çështja e CEZ është rikthyer në temë diskutimi dhe replikash mes mazhorancës dhe opozitës ku zyrtarë të lartë dhe personalitete janë vënë nën akuzë. Teksa çështja me propozim publik të PD-së dhe LSI-së po shkon drejt një hetimi ndërkombëtar, prokuroria shqiptare vijon të hetojë atë që konsiderohet si skandali “DIA-CEZ”.
Kjo çështje ka qenë nën hetim që prej vitit 2012, por me një vendim të Prokurorisë së Tiranës është vendosur pushimi, pasi në përfundim nuk janë konstatuar elemente të veprës penale. Çështja është rihapur me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, i cili në muajin shkurt të vitit 2014 ka vendosur shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Tiranës dhe rifillimin e hetimeve, raporton “Mapo”.
Pas këtij vendimi, prokuroria ka sekuestruar gjithë praktikën e marrëdhënieve financiare e dokumentare mes kompanisë “DIA” të Kastriot Ismailajt dhe ish-CEZ-Shpërndarjes, që përfaqësohej nga Josef Hejsek, me detyrë kryetar bordi.
Në qershor të këtij viti prokuroria urdhëroi arrestimin e Ismailajt si person i dyshuar për mashtrim dhe pastrim parash, pasi në bashkëpunim me Hejsek kompania e tij ka përfituar 4.5 milionë euro pa kryer asnjë punë.
Një pjesë e këtyre parave është sekuestruar në llogaritë bankare të Ismailajt dhe kjo çështje po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pritet të kërkojë konfiskimin e tyre dhe kalimin në favor të shtetit.
Ndërsa pjesa tjetër e parave, sipas prokurorisë është shpenzuar nga Ismailaj për jetën e tij të luksit. Tashmë kur ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga rinisja e hetimit, organi i akuzës është në përfundim të çështjes dhe ka identifikuar të paktën dy persona përgjegjës. Ata janë Kastriot Ismailaj dhe Josef Hejsek, por nuk përjashtohet mundësia që të përfshihen edhe persona të tjerë që mund të kenë përgjegjësi.
Akuzat ndaj të dyshuarve pritet t’u komunikohen së shpejti, ndërsa burime të prokurorisë konfirmojnë se Hejsek, akt-akuza do t’i dërgohet me postë në adresën e tij zyrtare në Çeki.









