Dy ish-drejtorët e ARRSH Andi Toma dhe Dashamir Xhika që momentalisht mbahen të izoluar në burgun e Bradasheshit në Elbasan, kanë firmosur dy pagesa tek kompaninë “Vëllezërit Hysa” dhe “Arifaj”, në një kohë kur këto firma nuk kishin përfunduar rrugën Gjinar-Elbasan. Sot e kësaj dite kjo rrugë është e papërfunduar ndërkohë fondi limit prej 5 miliardë është marrë nga kompanitë ndërtuese.
Gazeta “Shqiptarja.com” sjell të plotë sot dosjen e prokurorisë së Elbasanit, ku evidentohen një sërë shkeljesh të zyrtarëve të ARRSH, katër biznesmenëve dhe kolauduesve.
Dy ish-Drejtorët e Përgjithshëm të ARRSH-së Andi Toma dhe Dashamir Xhika, rezulton se 111,468,727 lekë kanë kaluar drejtpërdrejtë në llogarinë bankare të shoqërisë “Vëllezërit Hysa” sh.p.k, ndërsa pjesa tjetër e fondeve e kanë kaluar në llogarinë bankare të shoqërisë “Arifaj” sh.p.k. Por koha kur është bërë pagesa e plotë, thotë prokuroria rruga nuk kishte mbaruar. Gjatë hetimeve prokuroria ka zbuluar dhe manovrat e dy firmave ndërtuese mbi punimet në rrugën e Gjinarit.
Sipas akuzës Andi Toma dhe Dashamir Xhika kanë shkelur 6 ligje, ndërkohë që kanë firmosur kontrata njëra pas tjetrës për të shtyrë afatin e punimeve për të rinovuar marëveshjet me kompanitë ndërtuese. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria e Elbasanit Andi Toma dhe Dashamir Xhika, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim apo masë ligjore për ndërprerjen e kësaj situate të kundërligjshme. Sipas akuzës nëpërmjet këtyre shkeljeve dhe vjedhjeve të vondeve publike i gjithë segmenti rrugor karakterizohet nga mungesa e shtresës së asfaltobetonit në të gjithë gjatësinë e rrugës.
Ndërkohë sipas akuzës Tarba ka pranuar kërkesat e sipërmarrësit për zgjatje të afatit të punimeve dhe ka kërkuar miratimin e tyre nga ARRSH-ja, duke lejuar dhe mos marrë asnjë masë për zvarritjen e theksuar të zbatimit të punimeve në objekt. Sipas akuzës në datën 30 qershor 2014 ka nënshkruar procesverbalin për përfundimin e punimeve në objekt,dhe ka njoftuar ARRSH-në të bëjë kolaudimin e objektit, ndërkohë që faktikisht rezulton se punimet në objekt ende nuk kanë përfunduar.
Andi Toma firmosi 6 kontrata shtetsë
Andi Toma, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Drejtor i Përgjithshëm i ARRSH-së (më parë DPRR) në periudhën 22 janar 2008 deri në 7 tetor 2013. Sipas prokurorisë Andi Toma ka përgjegjësi ligjore për veprime dhe mosveprime të kundërligjshme, që lidhen me ushtrimin e detyrës së tij si Drejtor i Përgjithshëm i ARRSH-së (më parë DPRR) dhe përfaqësues i Autoritetit kontraktor-Investitorit, gjatë realizimit të objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, pasi nëpërmjet disa veprimeve të kundërligjshme ka miratuar dhe lejuar që fondet publike të dhëna nga buxheti i shtetit në shumën prej 499,525,926 lekë (të reja) (5 miliardë lekë të vjetra të administroheshin dhe të përdoreshin në mënyrë të kundërligjshme nga shoqëria “Vëllezërit Hysa” sh.p.k, ndërkohë që sipas procedurës së prokurimit publik fituese kryesore për realizimin e punimeve në objektin “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit” ishte shpallur shoqëria ndërtimore “Arifaj” sh.p.k. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria e Elbasanit Andi Toma nuk ka ndërmarrë asnjë veprim apo masë ligjore për ndërprerjen e kësaj situate të kundërligjshme.
Por përkundrazi Toma ka miratuar dhe vijuar këtë situatë të kundërligjshme edhe nëpërmjet lidhjes së kontratës shtesë, duke pranuar dhe “legjitimuar” këtë situatë të kundërligjshme. Akuza pretendon se Toma ka nënshkruar 6 kontrata shtesë “Për shtyrjen e afatit për punimet e ndërtimit të objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, duke miratuar dhe “legjitimuar” zvarritjen e theksuar të kryerjes së punimeve të kësaj rruge. Veç të tjerash ish-drejtori Toma nuk ka ndërmarë asnjë masë apo veprim ligjor për të verifikuar dhe kontrolluar cilësinë e kryerjes së punimeve në objekt.
Sipas akuzës të gjitha këto veprime të kundraligjshme të kryera nga ana e ish-drejtorit Andi Toma, janë në kundërshtim me 6 ligje konkrete si “Për prokurimin publik”, “Për autoritetin rrugor Shqiptar”, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve në ndërtim”, “Për rregullat e prokurimit publik”, “Për Mbikqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit” dhe “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit”. Pasojat që kanë sjellë këto veprime të kundraligjshme lidhen me shpërdorimin dhe mosadministrimin në mënyrë efiçente të fondeve publike të dhëna nga buxheti i shtetit në shumën prej 499,525,926 lekë (të reja), (rreth 5 miliardë lekë të vjetra) për realizimin e objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”.
Të gjitha fondet publike në shumën prej 499,525,926 lekë (të reja), (rreth 5 miliardë lekë të vjetra) të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit” janë harxhuar plotësisht, ndërkohë që realizimi i objektit nuk ka përfunduar, dhe objekti ende nuk është marrë përfundimisht në dorëzim nga ARRSH-ja. Ndonëse të gjitha fondet publike në shumën prej rreth 5 miliardë lekë të vjetra të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit” janë harxhuar plotësisht, ARRSH do të kërkojë fonde publike të tjera nga buxheti i shtetit për realizimin e punimeve të shtresës së asfaltobetonit, sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe të zonave me rrëshqitje.
Nuk ka përfunduar faza e marrjes përfundimtare në dorëzim të objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, ndonëse të gjitha fondet janë harxhuar dhe kanë kaluar rreth 9 vjet nga koha e fillimit të punimeve në këtë objekt. Objekti “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit” paraqet mangësi të theksuara lidhur me kushtet teknike dhe të standarteve rrugore, si: mungesa e shtresës së asfaltobetonit në të gjithë gjatësinë e rrugës; mungesa e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, mungesa e mbrojtëseve rrugore, bankinave, ndriçimit, etj.
Punimet thotë prokuroria janë kryer nga shoqëria “Vëllezërit Hysa” sh.p.k e cila nuk i është nënshtruar procedurës së kualifikimit në tender për aftësitë teknike dhe profesionale, pasi ka qënë pjesëmarrëse dhe fituese në tender vetëm për 10 % të punimeve, dhe kjo ka ndikuar që punimet të mos kryhen në cilësinë e duhur. Zvarritja e theksuar në kryerjen e punimeve, të miratuara me 6 kontrata shtesë të nënshkruara nga Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së Andi Toma, kanë sjellë si pasojë që ujrat nëntokësore dhe rreshjet të mbingopin me uje tokën dhe te demtohet struktura e saj, duke sjellë rrëshqitjet, problem i cili nuk është zgjidhur asnjëherë ndonëse të gjitha fondet publike janë haxhuar.
Veprimet abuzive të Dashamir Xhikës
Dashamir Xhika, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Drejtor i Përgjithshëm i ARRSH-së në periudhën Tetor 2013 – Shtator 2017. Sipas dosjes së akuzës së Elbasanit Xhika ka përgjegjësi ligjore për veprime dhe mosveprime të kundërligjshme, që lidhen me ushtrimin e detyrës së tij si Drejtor i Përgjithshëm i ARRSH-së dhe përfaqësues i Autoritetit kontraktor-Investitorit, gjatë realizimit të objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”.
Prokuroria thotë se me veprimet dhe mosveprime të kundërligjshme Xhika ka miratuar dhe lejuar që fondet publike të dhëna nga buxheti i shtetit në shumën prej 5 miliardë lekë të vjetra të administroheshin dhe të përdoreshin në mënyrë të kundërligjshme nga shoqëria “Vëllezërit Hysa” sh.p.k, ndërkohë që sipas procedurës së prokurimit publik fituese kryesore për realizimin e punimeve në objektin “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit” ishte shpallur shoqëria “Arifaj” sh.p.k.
Në akt-akuzën e saj prokuroria e Elbasanit sqaron se Xhika nuk ka ndërmarrë asnjë veprim apo masë ligjore për ndërprerjen e kësaj situate të kundërligjshme, por në mënyrë kriminale ka nënshkruar 1 kontrata shtesë “Për shtyrjen e afatit për punimet e ndërtimit të objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, duke miratuar dhe “legjitimuar” zvarritjen e theksuar të kryerjes së punimeve në objekt, në vijim të zgjatjeve të vendosura edhe më parë nga Drejtori i mëparshëm Andi Toma. Gjithashtu Xhika nuk ka ndërmarë asnjë masë apo veprim ligjor për të verifikuar dhe kontrolluar cilësinë e kryerjes së punimeve në objekt Këto veprime dhe mosveprime të Drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH-së Dashamir Xhika janë në kundërshtim me 6 ligje të përmendura edhe në akt-akuzën e ish-drejtorit Andi Toma.
Këto veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të Drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH-së Dashamir Xhika kanë sjellë këto pasoja, të cilat dëmtojnë interesin e shtetit, por edhe të komunitetit të zonës ku shtrihet rruga e Gjinarit. Nuk ka përfunduar faza e marrjes përfundimtare në dorëzim të objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, ndonëse të gjitha fondet janë harxhuar dhe kanë kaluar rreth 9 vjet nga koha e fillimit të punimeve në këtë objekt.
Objekti “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit” paraqet mangësi të theksuara lidhur me kushtet teknike dhe të standarteve rrugore, si: mungesa e shtresës së asfaltobetonit në të gjithë gjatësinë e rrugës; mungesa e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, mungesa e mbrojtëseve rrugore, bankinave, ndriçimit, etj. Zvarritja e theksuar në kryerjen e punimeve, të miratuar edhe Kontratë Shtesë të nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së Dashamir Xhika, kanë sjellë si pasojë që ujrat nëntokësore dhe rreshjet të mbingopin me uje tokën dhe te demtohet struktura e saj, duke sjellë rrëshqitjet, problem i cili nuk është zgjidhur asnjëherë ndonëse të gjitha fondet publike janë haxhuar.
Rexhep Tarba kolaudoi rrugën pa përfunduar
Tarba rezulton të jetë mbikqyrës i punimeve në objektin “Sistemim Asfaltim ruga e Gjinarit”, adminstrator i shoqërisë “Zenit-06” sh.p.k. Sipas prokurorisë biznesmeni Tarba ka përgjegjësi ligjore për veprime dhe mosveprime të kundërligjshme, që lidhen me ushtrimin e funksionit publik si mbikqyrës i punimeve në objektin “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, pasi nuk ka vënë në dijeni me shkresë zyrtarë ARRSH-në/Investitorin, mbi dy Akt-Marrëveshjet “Për nënkontraktim punimesh” të lidhura midis dy shoqërive “Arifaj” sh.p.k dhe “Vëllezërit Hysa” sh.p.k, pasi sipas ligjit, mbikqyrësi i punimeve ka detyrim ligjor të njohë me hollësi kontratën e sipërmarrjes si dhe të gjitha ndryshimet e mundshme të kësaj kontrate me kalimin e kohës.
Rexhep Tarba, në cilësinë e mbikqyrësit të punimeve është përgjegjës për saktësinë dhe vërtetësinë e dokumenteve, ndaj kishte detyrimin ligjor të njoftonte ARRSH-në për këtë situatë të kundërligjshme dhe të kërkonte marrjen e masave për ndërprerjen e saj. Por Targa ka pranuar dhe lejuar që punimet në këtë objekt të kryheshin nga shqëria “Vëllezërit Hysa”, ndërkohë që fituese kryesore e tenderit për keryerjen e punimeve ishte shpallur shoqëria “Vëllezërit Hysa”. Ka pranuar propozimet e sipërmarrësit për ndryshime në projektin e zbatimit të punimeve në objektin “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, dhe i ka paraqitur ato për miratim tek ARRSH-ja, ndërkohë që këto ndryshime rezultojnë se kanë sjellë ndryshime thelbësore të projektit, pasi nuk janë shoqëruar me një studim të thelluar, duke sjellë zgjatje të theksuar të punimeve dhe kanë cënuar standardet teknike dhe të sigurisë së rrugës; etj.
Sipas akuzës Tarba ka pranuar kërkesat e sipërmarrësit për zgjatje të afatit të punimeve dhe ka kërkuar miratimin e tyre nga ARRSH-ja, duke lejuar dhe mos marrë asnjë masë për zvarritjen e theksuar të zbatimit të punimeve në objekt. Sipas akuzës në datën 30 qershor 2014 ka nënshkruar procesverbalin për përfundimin e punimeve në objekt,dhe ka njoftuar ARRSH-në të bëjë kolaudimin e objektit, ndërkohë që faktikisht rezulton se punimet në objekt ende nuk kanë përfunduar. Mbikqyrësi i punimeve, ka përgjegjësi ligjore sepse ka nënshkruar situacionin përfundimtar të punimeve, i cili nga hetimet dhe ekspertimi i objektit, rezulton se paraqet mospërputhje të volumeve krahasuar me gjendjen faktike të objektit. Sipas akuzës Tarba ka shkelur pesë ligje ndërkohë nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” është vënë dhe kompania “Zenit 06”.
Shkeljet e vllezërve Hysa dhe biznesmenes Bokçiu
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se dy vllezërit Agron dhe Kujtim Hysa që administrojnë kompaninë “Vllezërit Hysa” së bashku me biznesmenen Rezarta Bokçiu që administron kompaninë “Arifaj” kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” te kryer në bashkëpunim. Fitues i procedurës së prokurimit publik të zhvilluar nga DPRR-ja në datën 2 dhjetor 2008, për objektin “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit” është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë “Arifaj” shp.k 90 % dhe “Vëllezërit Hysa” sh.p.k 10 %.
Sipas prokurorisë shoqëritë “Arifaj” sh.p.k dhe “Vëllezërit Hysa” sh.p.k kanë lidhur dy Akt-Marrëveshje noteriale datë 25 shkurt 2009 dhe 11 maj 2010, sipas të cilave shoqëria “Arifaj” sh.p.k ia ka kaluar me nënkontraktim shoqërisë “Vëllezërit Hysa” sh.p.k kryerjen e punimeve në objektin “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit” në masën 93.4 %, ndërsa shoqëria “Arifaj” sh.p.k do të kryente vetëm 6.6 % të punimeve.
Por në gjykimin e prokurorisë të dyja këto dy Akt-Marrëveshje janë të kundërligjshme. Sa më sipër, rezulton se të dyja shoqëritë ”Arifaj” sh.p.k dhe ”Vëllezërit Hysa” sh.p.k kanë përgjegjësi ligjore të përbashkët për zbatimin e punimeve për objektin ”Sistemim Asfaltim” rruga e Gjinarit”. ”…theksojmë se sipas Kontratës bazë Nr.10016/7, datë 03.02.2009, dhe Kontratës Shtesë Nr.4128/4, datë 21.07.2011, punimet për këtë objekt duhet të kryheshin nga shoqëria „Arifaj” sh.p.k në pjesën 90 % të tyre dhe nga shoqëria „Vëllezërit Hysa” sh.p.k vetëm 10 % e tyre…”-ka evidentuar prokuroria e Elbasanit. Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se, me dy akt-marrëveshje noteriale haptazi të kundërligjshme, dy shoqëritë e kanë përmbysur këtë raport, dhe faktikisht punimet janë kryer nga shoqëria ”Vëllezërit Hysa” sh.p.k në pjesën 93.4 % të tyre, dhe nga shoqëria ”Arifaj” sh.p.k vetëm 6.6 % e tyre.
Dy pagesat e plota pa mbaruar ndërtimi
Shuma totale e fondeve publike të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e punimeve në këtë objekt është 499,525,926 lekë.
Sipas shkresave dhe urrdhër-shpenzimeve të nënshkruara nga dy ish-Drejtorët e Përgjithshëm të ARRSH-së Andi Toma dhe Dashamir Xhika, rezulton se 111,468,727 lekë kanë kaluar drejtpërdrejtë në llogarinë bankare të shoqërisë “Vëllezërit Hysa” sh.p.k, ndërsa pjesa tjetër e fondeve kanë kaluar në llogarinë bankare të shoqërisë “Arifaj” sh.p.k. Veprimet janë kryer në emër dhe për llogari të dy shoqërive nga administratorët e secilës prej tyre.
Të tre këta shtetas, si administratorë të dy shoqërive të ngarkuara nga ARRSH-ja/Investitori për kryerjen e punimeve në objektin “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, kanë përgjegjësi ligjore për administrimin e fondeve publike në shumën totale prej 499,525,926 lekë për realizimin e punimeve në këtë objekt. Nga hetimet rezulton se administratorët e dy shoqërive “Vëllezërit Hysa” sh.p.k Agron Hysa dhe Kujtim Hysa dhe administratorja e shoqërisë “Arifaj” sh.p.k Rezarta Bokçiu, kanë përgjegjësi ligjore të përbashkët.
Abuzimet e 5 kolauduesve
Hetimi i prokurores Amanda Xhaferi ka evidentuar se anëtarët e grupit të kolaudimit të objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, Lek Tushaj, Drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Cilësisë pranë ARRSH,Astrit Qafa, përgjegjës i sektorit të kualifikimit pranë ARRSH, Malvina Kallabaku, specialiste, sektori i kualifikimit pranë ARRSH, Afërdita Basha, specialiste, sektori i Standarteve dhe Normativave prane ARRSH dhe Kastriot Braha, specialist, Sektori i Standarteve dhe Normativave pranë ARRSH, kanë abuzuar me detyrën në bashkëpunim.
Sipas akuzës së Elbasanit grupi i audituesve nuk kanë evidentuar në Procesverbalin e Kolaudimit diferencat në volume midis situacionit përfundimtar dhe matjeve faktike në objekt, të cilat janë evidentuar nga grupi i ekspertëve të caktuar nga Prokuroria. “…rezultojnë se ka një mospërputhje në një diferencë totale në vlerë prej 7,209,020.97 lekë të reja punime të kryera më pak ne objekt, krahasuar me volumet e punimeve të shënuara në situacionin përfundimtar…”-thuhet në dosje. Në Procesverbalin e Kolaudimit grupi i kolaudimit përcakton se objekti është gati për t’u vënë në shfrytëzim, ndërkohë që faktikisht, nga hetimet dhe ekpertimi i objektit rezulton se objekti ende nuk ka përfunduar dhe ka mangësi të theksuara punimesh në volume, në sasi dhe në cilësi.
Alite dhe Qurduka: Çështja politike
Dy drejtorët e ARRSH për menaxhimit e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Albens Alite dhe Aksel Qurduka,u morën në pyetje dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me hetimet per abuzimin me fondet e rrugës Tiranë- Elbasan. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.
Qurduka dhe Alite mohuan akuzat e ngritura nga Prokuroria, duke thënë se përfshirja e tyre në këtë çështje ka vetëm prapavijë politike. Ndërkohë, dy të ndaluarit kërkuan që kjo çështje të shkojë deri në fund, pasi vetëm atëherë do të zbulohet e vërteta. Të hënën pritet të merret në pyetje edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Dashamir Xhika, mbi të cilin rendojnë të njëjta akuza.
Të tre u kallëzuan nga KLSH në vitin 2016 pas një auditi që zbuloi shkelje financiare. Po ashtu kallëzim paraqiti në Prokurori disa muaj më parë edhe Ministria e Infrastrukturës, auditi i së cilës konstatoi dëm në buxhetin e shtetit në vlerën 54 milionë dollarë.