Në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr u dorëzuan sot sistemet raketore Javelin, si pjesë e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë, Nensi Van Horn, vlerësoi këtë moment si tregues të angazhimit për sigurinë rajonale dhe forcën e NATO-s.
“Tregues i angazhimit tonë për sigurinë rajonale dhe forcën e NATO-s. Këto sisteme janë të jashtëzakonshme, një pasqyrim i teknologjisë së tyre të avancuar. Këto përmbushin tragetin e Shqipërisë për mbrojtjen kundër kolektive. Rritja e angazhimit tuaj për sigurinë është një kapar për të ardhmen. Kjo paradhënie kërkon një fokus të qëndrueshëm në gatishmërinë ushtarake dhe modernizimin ushtarak. Dua të vlerësoj kontributin tuaj me trupa dhe pajisje ushtarake për NATO-n dhe misione ndërkombëtare në mbar botën. Ne jemi krenar që jemi partnerë në këto përpjekje”, tha Van Horn.
Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Pirro Vengu, theksoi se dorëzimi i sistemeve Javelin është një mesazh qartësie strategjike dhe një investim i bërë në kohë paqeje, me disiplinë buxhetore dhe planifikim afatgjatë.
“Ky sistem nuk është thjesht një simbol force dhe kapaciteti, por edhe një mesazh qartësie strategjike. Vendet që hezitojnë të investojnë në mbrojtje, zakonisht investojnë vonë, nën trysni, në kushte frikë dhe emergjence. Pore Shqipëria ka vendosur, nën mbështetjen e SHBA, të investojë në kohë paqeje, me plan, disiplinë buxhetore. Sistemi Javelin është pjesë e kësaj filozofie, ku ne rrisim besueshmërinë. Shqipëria nuk forcon kapacitete e saj për të kërcënuar askënd, por armatoset që askush të mos e vërë në provë. Mbrojtja nuk është luks, por një shtyllë e shtetit dhe kusht ekzistence për një shtet serioz që dëshiron të jetë një hallkë e fortë në të gjitha proceset që na presin”, u shpreh Vengu.
Vengu e cilësoi si privilegj drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, një ditë pasi qeveria ia besoi këtë institucion Ermal Nufit.
“Është kënaqësi që në këtë moment tranzitimi të detyrës sime të linim këtë shenjë”, tha Vengu.











