Nga Adriatik Doçi
Sali Berisha po tenton të shmangë testimin e mbështetjes që mund të ketë në forumet e larta të Partisë Demokratike dhe matjen e forcave për të rrëzuar Lulzim Bashën, duke iu bindur kështu gradualisht vendimit për përjashtimin e tij nga partia, për shkak të shënjimit nga Perëndimi si i korruptuar, shantazhues i drejtësisë dhe minues i demokracisë në Shqipëri.
I pasigurt për mbështetjen në Këshillin dhe Kuvendin Kombëtar të PD-së, Berisha po refuzon qëllimisht të ndjekë rrugën statutore për shkarkimin e Bashës me votë, ndërsa po shtyn ditët e vështira pas përjashtimit nga partia, me propozime qëllimisht të parealizueshme, lëvizje ‘nul’ dhe retorikë politike.
Që kur nisi aksionin politik për ‘rikthimin e sovranitetit të PD-së’, Berisha ka propozuar dy lëvizje për rrëzimin e Lulzim Bashës, të cilin e akuzon për komplot parapa krahëve, bashkëpunim me Edi Ramën dhe Sorosin kundër tij, për përdorimin e partisë për interesa personale, për pesë humbje radhazi, shkeljen e statusit, ‘pushkatim’ të bashkëpunëtorëve të tij etj.
Që të dyja lëvizjet e Berishës nuk kanë asnjë bazë dhe lidhje me statutin e Partisë Demokratike.
Së pari, Berisha, përmes kryesisë së FRPD-së, kërkoi zhvillimin e një referendumi në bazë, ku anëtarësia të shprehej pro ose kundra përjashtimit të tij nga grupi parlamentar të PD-së dhe rrjedhimisht nga partia. Kjo kërkesë nuk ka asnjë bazë në statutin e ri të Partisë Demokratike, në të cilin nuk ekziston referendumi.
Dy ditë më pas, Berisha u tërhoq nga kërkesa e kryesisë së FRPD-së. Pasditen e së enjtes, në takimin e parë me mbështetësit e tij, Berisha propozoi një tjetër rrugë, për rrëzimin e vendimit për përjashtimin e tij dhe rrjedhimisht rrëzimin e Bashës:
“Do mblidhen firmat e 1500 delegateve të Kuvendit, pas mbledhjes së firmave do thërrasim Kuvendin Kombëtar. Ne çdo gjë do e zgjidhim në mënyrën më demokratike, do i kërkojmë Kuvendit që për vendimin që mori të shprehet çdo anëtarë i PD me referendum në mbarë Shqipërinë”.
Rruga e dytë është gjithashtu në kundërshtim me statutin e PD ashtu si rruga e parë. Kuvendi Kombëtar i PD-së merr vendime në bazë të statutit të PD-së. Statuti i PD-së nuk i njeh asnjë kompetencë Kuvendit Kombëtar për të vendosur për mbajtjen e një referendumi. Kuvendi Kombëtar i PD-së mund të mblidhet nëse e kërkojnë 1.5 mijë delegatë, por nuk mund të diktojë zhvillimin e një referendumi.
Referendumi në bazë mund të zhvillohet vetëm nëse Kuvendi Kombëtar i PD-së ndryshon statutin, duke parashikuar mbajtjen e referendumeve. Por, Berisha nuk do ndryshimin e statutit për të legjitimuar referendumin, pasi një gjë e tillë do të çonte në matjen e forcave me Bashën në Kuvendin Kombëtar të PD-së.
Ka vetëm një rrugë për shkarkimin e Bashës dhe rrëzimin e vendimit të tij për përjashtimin e Berishës. Është një mocion mosbesimi në Këshillin Kombëtar. Berisha duhet të sigurojë më shumë se sa gjysmën e votave në Këshillin Kombëtar, për të shkarkuar Bashën si kryetar të PD-së. Më pas, Berisha duhet të sigurojë edhe shumicën e votave në Kuvendit Kombëtar për të finalizuar shkarkimin e Bashës.
Ndërkaq, vendimin e Bashës që e përjashtoi nga grupi i PD-së, Berisha ka të drejtë në bazë të statutit ta apelojë në Komisionin e Apelimit, Integritetit dhe Etikës në PD, komision i cili drejtohet nga Flutura Açka.
Rruga statutore për provuar shkarkimin e Bashës me votë dhe rikthimin e Berishës në parti është qartë. Por, Sali Berisha po ndjek qëllimisht një tjetër rrugë, duke konfirmuar humbjen e kontrollit mbi PD-në, pafuqinë dhe pranimin e ndëshkimit nga ‘biri i tij politik’, Lulzim Basha.(Shqiptarja.com)