Nga Bedri Islami
Në të gjithë këto, qoftë përmes mediave, apo strukturave të tjera, njerëzit po njihen me një fenomen, brenda kullës së drejtësisë, të cilin, e kanë ditur, por jo në këto përmasa të mëdha. Tani që ai po shfaqet kaq haptas zgjon disa pyetje, të cilat është e pamundur të mos ia bësh vetes.
Bëma, të cilat, jo rastësisht, ata i kanë pasur para syve, tani po shfaqen në atë përmasë që nuk është menduar se mund të shfaqen dhe, bashkë me këtë edhe pyetja: Si është e mundur që njerëz kaq të fuqishëm në pushtetin e drejtësisë, pra, në atë kullën që nuk duhet të depërtojë politika, janë bërë kaq të pasur, por njëkohësisht, edhe kaq harbutë dhe budallenj, deri në atë fazë kur fillon të qenurit i paskrupullt.
Adriatik Llalla, ish-kryeprokurori i përgjithshëm i Republikës, ishte shndërruar në një latifondist dhe në një zyrë imobiliare. Ai blinte, krejt haptas, mijëra metër katrorë tokë në vendet më të shënuara, në të cilat shumë shpejt termi “tokë bujqësore” do të shndërrohej në “tokë për ndërtim”. Mijërat e metrave katrorë tokë, të blera në një pazar të lirë, si për të bërë qoka me ish kryeprokurorin, shiteshin pak javë më pas, si të ishte duke u shitur një minierë floriri. Përfitimi nga ky ashillverish i drejtësisë me pushtetin shtonte pasurinë e Llallës me disa qindra mijëra euro. Llalla blinte me çmime shumë poshtë vlerës apartamente banimi, të cilat disa javë më pas shiteshin si pallate të reja me një vlerë super të shtuar. Pastaj jeta vijonte me jahte, udhëtime përrallore, fëmijë të majmur paturpësisht, të paskrupullt në jetën e tyre, vila… dhe ende nuk dihet e fshehura pas tyre.
Nuk druhej të blinte edhe tek njerëz të dënuar për krimin e vrasjeve, përsëri me çmime të ulëta dhe, pas disa javësh, të bënte shitblerjen e saj. Normalisht ai duhej të ishte “hasmi” i tyre, pra i vrasësve dhe njerëzve të krimit, në fakt u bë ortaku i tyre në matrapazllëqe. Kur e bënte ai, mendohet lehtë se çfarë ndodhte më tej.
Nuk kishte frikë ky njeri? Nuk e mendonte se një ditë mund të hapeshin petët e lakrorit të tij të korrupsionit dhe mund të përballej edhe ai me drejtësinë?
Cila forcë e mbështeste atë, i jepte guximin për të thyer çdo ligj dhe të kthehej në një pastrues parash të paidentifikuara?
Si ishte e mundur që, megjithëse i përmjerur, i shiste karshillëk ambasadorit amerikan dhe na ftonte çdo shtator në një spektakël të ri?
Kaq i fortë të ishte ky njeri sa pak javë para se të ikte nga detyra bënte mashtrimet e mëdha?
Historia e ndihmëses së tij, Rovena Gashi, dëshmon se peshku i drejtësisë është qelbur gjithnjë nga koka. Ajo mënon tani të bëhet edhe gjykatëse e Kushtetueses, institucionit të drejtësisë më të lartë në vend.
Një ndër pronaret e fuqishme të kohës së tashme. E nisur nga asgjëja, familjarisht. Me një pasuri të ngritur nga hiçi. Tani, ajo që dihet, 14 apartamente dhe dy njësi të mëdha. Shtëpi në plazh, me pishinë disa kate mbi tokë.
Luks dhe udhëtime të gjithandejshme. Orë të shtrenjtë, sa paga vjetore, në dorën e bashkëshortit, i cili, edhe pse vetë pjesë e drejtësisë, mbyllte dosjet e korrupsionit.
Nuk kishin frikë këta njerëz?
Nuk e mendonin se një ditë mund të shpaguhej gjithçka?
Kush qëndronte pas shpatullave të saj?
Cili ent i nxirrte një njeriu 14 libreza për pagesën e dritave, kur ai vetë ishte i papunë, i pa pasuri, me një firmë të dështuar dhe të mbyllur?
Është absurde të mendosh se ata vetë, njerëz të ligjit nuk e kanë shkuar ndër mend se një ditë, pikërisht këto ligje, mund të kthehen kundër tyre!
Në Gjykatën Kushtetuese një rast edhe më unik: gjyqtari Fatos Lulo, pasi merr fillimisht një ndihmë të kthyeshme nga motra prej 480 mijë dollarësh, në katër vite rresht merr dhuratë, në secilin prej tyre, nga 100 mijë dollarë dhe në një tjetër, po ashtu dhuratë, një apartament.
Kushdo mund të tronditet nga mënyra se si i kanë bërë pasuritë. Më shkruan një mik “u erdhi lopa pëllet në grazhd”.
Po një gjë është e sigurt. Arsyet që do të gjeja, shkruan ai, për t’i justifikuar,sado kudo, nuk do të ishin kaq halldupë. Gomarllëku i tyre të lë pa frymë dhe të revolton. Shpreh, më së pakti, tmerrin e nivelit intelektual të drejtësisë.
Pyetja e parë që mund të bëjë kushdo është: po këta njerëz të drejtësisë budallenj janë dhe për budallenj na marrin?
Në të vërtetë, as nuk janë budallenj dhe as nuk na marrin ne për të tillë.
Diku tjetër ka qëndruar forca e tyre: në dorëzanësit e tyre.
Gjithnjë ata kanë pasur pas vetes dorëzënës të fuqishëm, nga majat e pushtetit, të cilët i kanë krijuar atyre ndjenjën se do të jenë të përjetshëm, do të jenë mbi ligjin, ose më saktë, ligjin do e kenë gjithnjë në duart e tyre.
Ata e kanë mbështjellë veten me karrocatën e mbiligjit; jo vetëm nuk e kanë përfillur atë, por e kanë nëpërkëmbur në mënyrën më poshtëruese që kanë mundur. Megjithëse ata vetë kanë qenë njerëzit e ligjit.
Ata, dhe jo vetëm ata, kishin krijuar një ligj për të tjerët që ishte mbështetur deri diku në legjislacionin e miratuar nga një strukturë tjetër, dhe ndërkohë më të fuqishëm, një ligj për vete.
E kanë bërë këtë sepse e kanë ditur se njerëzit që i mbrojnë, dhe që ata vetë i kanë mbrojtur, janë mbi ligjin. Janë bërë bashkë, duke mbyllur sytë e njëri tjetrit dhe duke krijuar rrethin e njerëzve të paprekshëm.
Kjo ka sjellë mbylljen e dosjeve më mizore në historinë e pluralizmit; kjo i ka lejuar spekulantët politikë dhe financiarë të mbivendosen mbi shtetin; kjo ka lënë krimet e padënuara; kjo e lejon, ta zëmë Berishën e vogël të na kapardiset nëpër vendet më të shtrenjta të hotelerisë së botës, duke na përqeshur marrëzisht; kjo i lejon qeveritarët e sotëm të bëjnë një lëmsh koncesionesh; pra, kjo qenie binjake, e bërë një, drejtësi – politikë, i ka bërë ata të frymojnë lirisht. Ndaj, edhe pa frymë deshën të rrëzojnë me çdo kusht Reformën në Drejtësi.
Arrogantë me ligjin, ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përbuzës ndaj shoqërisë, ndaj shtetit dhe ndaj së njerëzve.
Shndërrimi i Llallës në latifondist nuk do të mund të bëhej nëse qeveritë nuk do të kishin nevojë ndihmën e tij për ligjet që ata vetë kanë shkelur. Deklaratat e pasurisë së tij aty kanë qenë; institucione të nivelit të lartë i kanë parë, por kanë pritur të vijnë materiale të posaçme shtesë nga Shtetet e Bashkuara apo struktura të posaçme, për të parë atë që e kishin para syve. Kështu ka ndodhur në dhjetëra e dhjetëra shembuj, të cilët i bënin karshillëk shtetit, pikërisht sepse shteti nuk ekzistonte, sidomos për to.
Askush nuk e ka dëgjuar në 5 vitet e mbretërimit të Llallës që zoti Berisha të ndërmarrë një grimcë akuze ndaj tij, megjithëse nuk ka lënë shef prokuroria pa denigruar, sharë, telendisur dhe braktisur.
Qeveria e tashme, në thuajse pesë vitet e qeverisjes së saj, edhe pse e ka parë qametin që po bëhet, flas për qametin e dukshëm, sepse për pjesën tjetër të akullnajës së drejtësisë mund të jetë një rast tjetër, ka pritur atë që ishte më e lehtë për t’u bërë, mbarimin e mandatit.
Vetëm atëherë u largua një njeri, i cili edhe sot e kësaj dite, duke qenë nën hyqmin e atyre që ishin dalzotësit e tij, e ndjen veten të sigurt.
Kjo ndodh me të gjithë.
Si duket, ndaj institucionet e specializuara amerikane dhe të BE-së gjetën në një qoshe Arta Markun, njeriun që e shoshitën mirë, çfarë kishte bërë dhe çfarë pasurie kishte; vunë re se nuk ishte ende pjesë e klaneve dhe para se të bëhej e tillë, menduan se duhej të ishte në një vend tjetër. Aty ku është.
Dalzotësit , jo shumë vonë, do të heshtin për të mbrojturit e tyre. Si në rastin Llalla. Si në rastin Gashi e Gina. Si në rastin Lulo. Si do të jenë shumë raste të tjerë.
Përpjekja e dalzotësve do të shpërngulet tani drejt gjykatave, ku ende kanë një skalion të tyre. Ku e kanë edhe shpresën. Ku ende mund të mbahen.
Nëse pelerina e politikës nuk do të hiqet nga supet e drejtësisë, atëherë i gjithë vetingu, e bashkë me të edhe reforma në Drejtësi, do të kenë zbaticën dhe baticën e tyre, për të shkuar edhe një herë aty ku ishin.