Nga Ben Andoni/
“PEGI” në politikën e saj të botimit të autorëve shqiptarë, këtë herë botoi romanin e dytë të autorit Darien Levani, të titulluar “Dopio gjashta”. E fryrë shumë dhe në përpjekje për të vlerësuar gjithçka që botohet nga autorët shqiptarë dhe ky roman mori të gjithë zhurmën e duhur mediatike. Por realisht, “PEGI” ka treguar se di të përshfaqë mirë autorët e vet.
Për hir të së vërtetës, Darien Levani pas romanit të parë “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”, që u prit realisht mirë dhe e meritonte plotësisht këtë, duket se nuk e ka çuar dot stekën pak më sipër në këtë ndërmarrje të dytë. Në një analizë të thjeshtë, romanit i mungon krijimi i fikshënit ose elementi i vërtetë që ndodhinë e kthen në prozën letrare.
Teprimi i zhargonit ditor me zgjatjen e gjendjes së bjerraditës është kaq e madhe sa edhe aksioni i kontrapunktit, që autori zgjedh për të na futur nga pika e ngjizjes së fabulës deri te zgjidhja, duket i zbehtë. Një lexues i thjeshtë i romanit nuk e ka kurrsesi ndjenjën e suspansës, që të jep letërsia e vërtetë, sepse Darieni e shpërdoron disi me kotësinë e të gjithë jetës sonë, që për të është mbizotëruese, deri në teprim, në veprën e vet.
Megjithatë, autori është një shkrimtar që di të menaxhojë mirë lëndën e vet dhe duhet vlerësuar që është shumë matematik në të gjithë strukturën e vet. Flasim për prurjen e tij të kësaj here. Anipse, edhe nëse mund të mos pëlqejë dhe të duket pak e zakonshme, Darieni realisht ka tharmin e shkrimtarit, e krijuesit që duhet ndihur për ta çuar më tej pasionin e vet.
Në këtë roman, shtysa e tij, ka pasur një ndodhi, që ndërfutet disi me profesionin e vet të avokatit. Të tilla që të japin mundësi jo vetëm të kesh diapazon të gjerë por edhe të bësh abstragime të mëdha, si zakonisht posedojnë zhanret ku futet trilli policesk dhe i aksionit.
Kjo në veprën e tij nuk e kalon cakun e asaj që e përflasim shoqërinë tonë. E gjithë e keqja që e ka kapluar vendin tonë nuk është kaq e thjeshtë dhe e shfaqur kaq banalisht apo kaq e dukshme. Në një farë mënyre ajo është në të gjithë zhvillimin tonë socialo-historiko-ekonomik dhe përdorimi disi i thjeshtë i Darienit e banalizon edhe pak më shumë. Mu këtu duhet kuptuar edhe se angazhimi i personazhit të tij Bardhyl Nini nuk duket aq serioz.
Dy linjat, në fakt janë tre syresh në roman: njëra e atyre strukturave të shtetit që duhet të kapin kriminelët por nuk kinse s’i kapin; ata që duhet të bëjnë drejtësi por e bëjnë sipas mënyrës së tyre dhe vetë shokët e tij dhe bjerradita e tij.
Në ballafaqimin e parë me personazhet e Darienit e kupton fytyrën e seicilit, kurse gjuha e popullit që i vihet personazheve, thjesht ia zbeh edhe e bën shumë të dobët të gjithë fikshënin tonë. Në fund e mira shqiptare, zgjidhet sipas një mënyre po shqiptare thjesht me vullnete personale.
Darieni, nga ana tjetër, ka vendosur realisht figura interesante, të cilët u duhej edhe më tej gdhendja profesionale, por e theksojmë fabula duhet të kishte plan në një skakierë fikshëni dhe jo kaq cheap. Në libër gjen sinteza të këndshme që të bëjnë të mendosh se ke përballë një njeri jo thjesht të lexuar dhe me një eksperiencë jete të admirueshme por edhe një vëzhgues të mprehtë. “Ky qytet nuk çlirohet, qytetit i pëlqen të jetojë kështu si jeton. As komunistët s’e çliruan dot, vetëm zëvendësuan…ça muhabeti pa kuptim”. Kurse në një tjetër, ku ai përcakton të këqinjtë do shprehet se: “…”Pastaj, kur të të varrosin do vij, do të të nxjerr nga varri dhe do të vras prapë. Pastaj do gjej atë kurvën që të shkruan kartolina dhe do e vras edhe atë. Këtë do bëj, më kupton?”
Tentativa e autorit për të përcaktuar te personazhet e tij të mirin dhe të keqin, megjithëse në dukje është larg ,e bën romanin disi shumë bardhë e zi, por edhe që të lexohet më shumë se histori dhe shtysën për fundin e rrëfimit sesa estetikën e një krijimi, ku të mbizotërojë elementi shprehës i gjinisë korale. Në roman është e tepërt të flasësh për konceptin e të mirës dhe të keqes në këtë formë, nëse nuk e zgjidh në një rrafsh estetik, ku do të dominojë përshfaqja e personazhit me atributet e tij,
Darian Levani është një krijues i ri që premton shumë në botën e letërsisë shqiptare. Profesioni i tij është jurist dhe në atributet e tij ka të shkruar dhe bashkëpunëtorin e disa gazetave dhe kritikun letrar, që tregon interesa dhe plotshmërinë e tij, një garanci që të jep shpresë se ai do të vazhdojë sërish të provojë. Megjithë rreshtat kritikë, na duket zgjedhje e mirë që “PEGI” po e mbështet në botim, por më shumë se kaq na pëlqen që Darieni punon veç angazhimit të tij të jetës dhe në letërsi. Më 2012 për romanin e tij debutues “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”, botuar sërish nga PEGI meritoi “Pendën e Argjendë”, një çmim që e detyron tash e tutje t’i kërkohet cilësi superiore në veprën e vet dhe jo thjeshtë një ngecje ‘dopiogjashte’ për të krijuar.
Titulli: “Dopio gjashta”
Autor: Darien Levani
Botimet: “PEGI”
Gjinia: Roman
Faqe: 210
Çmimi:700Lek