Tronditet bota e atletikës. Gjithçka pas një kontrolli të xhandarmërisë franceze në zyrat e Federatës Ndërkombëtare, IAAF në Monte Carlo.
Blici u realizua në kuadër të hetimeve për një rast korrupsioni, një sistem rryshfeti që kishte si qëllim të fshihte testet e anti-dopingut të disa atletëve rusë të cilët rezultonin pozitivë me të substanca të ndaluara.
Mes të hetuarve nga autoritetet franceze është edhe Lamine Diack, 82-vjeçari nga Senegali që në 16 vitet e fundit ka drejtuar sportin “Mbretëreshë” në rang global. Konfirmimi për mësymjen e xhandarmërisë u dha nga IAAF, që nëpërmjet një komunikate për shtyp shprehej e hapur ndaj autoriteteve dhe premtoi bashkëpunim të plot.
Hetimet në Francë kanë nisur ndërsa paralelisht me ato të komisioneve të pavarura të vetë Federatës dhe nga WADA, Agjencia Ndërkombëtare e Anti-Dopingut, pas akuzave rreth rregullores dhe normave kundër substancave të ndaluara.
Në të gjithë këtë situatë, Diack, i cili mbajti postin e presidentit nga viti 1999 deri në muajin Gusht të këtij viti, është personazhi kryesor që hetohet për korrupsion dhe pastrim parashë. Sipas autoriteteve, edhe ai dyshohet se ka marrë rryshfet në vitin 2011.
Për herë të parë, akuzat se atletët rusë përdorin sistematikisht doping u bënë publike në Dhjetor 2014, kur televizioni gjerman, ARD transmetoi dokumentarin me titull “Dossieri Doping: Ja si i krijon Rusia kampionët e saj”. Sipas reportazhit, në 12 vitet e parë të mijëvjeçarit të ri, të paktën një e treta e medaljeve në Olimpiada apo Botërorë janë fituar nga atletë që përdorin substanca të ndaluara.
Supersport