Nga Eda Derhemi
Një gangster tjetër, më kokëthep e i pamëshirshëm se Al Capone, më ujk e manipulues i drejtësisë se Charlie Luciano, iu bë i njohur sot asaj pjese njerëzish që ende s’e kish kuptuar natyrën prej krimineli të pangopur, gënjeshtari sipërfaqësor e të paepur, e burri pa skrupull të presidentit në ikje të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Trump është gati të shkatërrojë gjithçka që të mos humbasë pushtetin e vet që e lejon të bëjë më shumë para, të kontrollojë e blejë nëpërmjet pushtetit ata që duhet t’i hapin rrugën suksesit të tij, të ruajë privilegjin e mospërfundimit në burg për falsifikime fiskale e krime shumëformëshe. Gjithçka është gati të bëjë! Për nga mungesa e parimësisë dhe mosrespektimi i ligjit, Trump duket sikur ka bërë “shkollën e Partisë”, jo atë të Nexhmies, por atë të Shqipërisë së pas-socializmit, me diplomë në karrierëbërje politike dhe manipulim ekonomik, dhe fletëlavdërimi për natyrshmërinë që ka si mashtrues e mafioz.
E duam Amerikën për shumë arsye. Por, ndër shqiptarët që njihni e që e duan këtë vend të ri (të ri për ta, por edhe vend të ri në moshë e sjellje), mos u besoni atyre që nuk kanë edhe tharmin kritik ndaj sa, veç admirimit. Kjo lloj dashurie përzier me kritikë e qytetarëve të vet të ndershëm, të vjetër e të rinj, e sanksionuar si e drejtë e qytetarit legalisht më të mbrojtur në botë, i ka ndihur e çuar përpara Shtetet e Bashkuara.
Por sot, pas ngjarjeve në shkallët e Kapitolit, dua të ripohoj mirënjohjen time për këtë vend, dhe nevojën për një Amerikë që vjen e demokratizohet, vjen e i largohet idealeve urrejtëse të Trumpit. Edhe më shumë: dua të ripohoj nevojën që e gjithë bota ka për të ndihmuar në forcimin e demokracisë dhe lirisë si ideologji drejtuese në USA, dhe për mbrojtjen e tyre në nivel botëror. Pa demokracinë amerikane, demokracitë e tjera -edhe ato që shfaqin sot tipare më të përparuara se ajo, janë të humbura. Nëse bie ora e mbrame për demokracinë amerikane, bien si gurë dominoje demokracitë e tjera. Ndaj dita e sotme në DC ka rëndësi për gjithë botën.
Siç dihet, para pak orësh, ndërsa Kongresi Amerikan ish mbledhur të kryente një ndër proceset më të rëndomta që këto dy dhoma kryejnë në mënyrë rutinore çdo katër vjet para se të betohet presidenti i sapo dalë nga zgjedhjet e radhës – certifikimin formal të votave elektorale shtet për shtet, një turmë që të kujtonte mënyrën se si esencializohen Vikingët, pjesë e një grupi më të madh mbështetësish të presidentit që humbi zgjedhjet, Donald Trump, iu vërsul me forcë Kapitolit duke thyer e shkatërruar teksa përparonte në ambientet e brendshme. Një turmë e murrme, e lënë në anë të shoqërisë prej një Amerike të padrejtë, që përfundoi të bëhej mbështetësja pa kushte e një njeriu të fëlliqur dhe presidentit më të vogël, defektoz e të pavlerë që USA ka prodhuar.
Të gjithë kongresmenët amerikanë bashkë, ata që nisën një ndër proceset më famëkëqia në historinë politike amerikane, 11 senatorët që donin rikthimin e “votave të vjedhura”, si edhe shumica e demokratëve e republikanëve institucionalistë, njëlloj, u fshehën nëpër vende të posaçme për të mos u ndëshkuar fizikisht nga turma që vetë presidenti i SHBA-ve ndërseu qartësisht e tinëzisht ndaj kujtdo, literalisht kujtdo, që nuk përsëriste atë që Trump si një robot i marrë përsërit pa pushim që herët në nëntor: “Gjersa unë nuk fitova, zgjedhjet janë të vjedhura. Të gjithë e dinë këtë!” Ka katër vjet që prova e vërtetësisë për klounin Trump është “Everybody knows it!”
Sikur e gjithë përpjekja për të përmbysur me forcë brutale dhe ulërimë zgjedhjet presidenciale të kryera në liri dhe vullnet të mirë, të mos vinte nga kreu formal i kësaj demokracie, sikur turma të mos drejtohej direkt prej Donald Trumpit dora vetë, që u dha bekimin të niseshin me kosa dhe hunj (por edhe armë të tjera) drejt Kapitolit amerikan, kjo do kish qenë ngjarje e rëndë, por jo kaq domethënëse dhe jo kaq komplekse, sa të vinte në pikëpyetje sa i saturuar demokratikisht është institucioni amerikan i presidencës, sa e besueshme është demokracia amerikane në tërësi.
Nuk i kuptoj dot ata për të cilët kjo baltosje e demokracisë qe një e papritur. Në çfarë gjumi apo vetëmashtrimi kishin rënë për kaq vjet? Apo bëjnë sikur, që të mbrojnë votat në zgjedhjet e ardhshme? Unë ka katër vjet që e pres një dalje në sipërfaqe të llumit, si ky i sotmi! Ka katër vjet që Trump shpalos krenar axhendën e tij korruptive, përpiqet të blejë e shesë njerëz në postet më të larta, të ndëshkojë kë s’i bindet e të promovojë kë pranon të zbatojë pa kusht dëshirat e tij. Ky perandor i keq romak, inatçor e pa busull morale, injorant e i pangopur! Ka katër vjet që urren në mish kundërshtarët e vet, që i hap rrugën racizmit dhe urrejtjes për ata që natyrshëm janë fizikisht ndryshe prej tij, edhe më shumë ndaj atyre që janë të bardhë e me sukses, por që Trumpin e shohin si simbol të pjellës më të shëmtuar që Amerika ia ka dalë të prodhojë. Unë jam mes këtyre të fundit: pas Enverit, unë vetë s’kam parë politikan më të korruptuar dhe autokrat sesa Trump. Po ashtu, u njoh të dyve të njëjtën dinakëri e poshtërsi në politikëbërje – një përzierje mes kokëtrashit, narcizistit, gjarprit dhe kriminelit që rrallëherë e ndesh në këtë kombinim të përsosur.
Amerika do e mbijetojë fëlliqësinë që Trump hodhi sot mbi të. Por, fakti që për katër vjet ai mundi të shijë sipas qejfit, të luajë me sistemin e ligjeve dhe rregullsive, të konfirmojë se vlerat njerëzore nuk janë të nevojshme për një president, të sjellë pas vetesh tërë grupin republikan si t’i kish futur të gjithë në një karro cirku, kallëzon sa delikate është një demokraci para një autokracie, sa problematik të qenët politikan!
Trump, sado gënjeshtar e pa faqe, nuk do e shuajë dot çfarë u tha sot kundër tij prej atyre që e sollën në krye dhe e mbrojtën për katër vjet. Trump si president s’do ketë vend në shatërvanet e politikës amerikane, por në ujërat e zeza të saj. Ka një arsye psikologjike të kësaj që ndodhi: Trump mendon se duke mos njohur humbjen, tiparin më dinjitoz e sublim të kalimit të pushtetit në demokracinë amerikane, ai mbetet njëfarësoj fitimtar. Çfarë idioti e egoisti model! Çfarë paranojaku kërcënues! E teksa i them këto, dua të pohoj edhe se nuk besoj teoritë se Trump është një i sëmurë psikik. Jo. Trump është një delenxhi e xhahil aq në dashuri me veten, sa nuk e ka problem ta shkatërrojë botën, Amerikën, shtëpinë e vet, vetëm që të mos pranojë se dështoi. Qesharake, sepse ky njeri ka dështuar në gjithçka në jetën e vet: gjithçka që ka rëndësi.
Por pranimi formal i humbjeve të tij deri sot nuk ka qenë i domosdoshëm – ia ka hedhur. Falimentimet e tij financiare janë fshehur nëpër karta e dosje, pisllëqet e kryera brenda familjes e ndër miq nuk janë pjesë e diskutimit publik, janë çështje personale. Miqtë e tij republikanë që shpresonin të merrnin ca vota më shumë prej tij, deri sot në drekë e mbrojtën. Pastaj… çfarë ndodhi? E braktisën. Donald! Kur bie si president, nuk e fsheh dot humbjen me bullizëm e mashtrime. Ose, të themi, e fsheh deri në një farë pike. Mitch McConnell e të tjerë u kujtuan më në fund ta dënonin pikërisht sot, sido që tepër vonë, mbas katër vjetësh që Trump deklamonte me zë të lartë gjeste të qarta të një fashisti model. Madje edhe ky qe një dënim indirekt dhe i butë. Ku ishin deri sot? Pse e braktisën pikërisht sot? S’e patën menduar deri sot se ky e vetëm ky ishte plani me të cilin Trump ka katër vjet që kërcënon?!
Ndërsa Trump gënjen pa turp e pa prova, teksa e di mirë se votimet nuk ishin mashtruese, dhe ndërsa mbështetësit e tij ia marrin për kapital gënjeshtrën (kujt i duhen prova ndër tufat e bindura?!), ka një pjesë të sinqertë në protestën e Trumpit dhe gjithë atyre që sot shkatërruan Kapitolin: ata të gjithë besojnë se zezakët e Amerikës dhe gjithë emigrantët “problematikë” në ngjyrë, nuk kanë të drejtë vote – pra numërimi i votave të tyre është i papranueshëm; ata të gjithë janë edukuar të urrejnë atë që është ndryshe prej tyre në ngjyrë, seks, ëndrra. Trump ishte prijësi i tyre natyral, kryesisht sepse ua përdori këtë dobësi. Ndaj kjo pjesë me vërsuljen sot për të shkatërruar simbolin e një Amerike paqësore e të ligjshme, rikonfirmon sa reaksionare e antinjerëzore është, sa mbrapa ka ngelur, ripohon çfarë flame janë për demokracinë presidentë si Trumpi! Nëse fati i Trumpit do varej prej tyre, atëherë Trump dhe tufa e tij karnavaleske nuk do e pranonin kurrë humbjen, se nuk kanë logjikë prej qytetari në moshë të rritur e as vizion për të parë të nesërmen.
Pra jemi aty ku nisëm: racizmi është plaga amerikane që ende pikon gjak sot. Homofobia, ndonëse më pak e diskutuar, po ashtu. Ndonëse më mirë se shumë vende të botës, është larg së qeni si duhet ky vend. Baza kulturore dhe ideologjike kryesore që lejon ekzistencën e fuqisë së Trumpit dhe shpurës së tij në Kongres apo mes popullatës, është racizmi – qartë dhe thjeshtë! Imagjinoni sa herë Barak Obama do ishte hequr me turp si president për secilën nga thëniet apo veprimet anti-kushtetuese, anti-legale dhe anti-amerikane të Trumpit!
Mendoni se sa zezakë do ishin shtrirë të vdekur nëpër dyshemetë e mermerta të Kapitolit, sikur sot të mos ishin të bardhë ata që kërcënuan dhe shkatërruan Kapitolin, por të zinj! Të dashur shqiptarë: nëse ka ndër ju mbështetës të Trumpit, rianalizoni veten, se ndoshta jeni thjesht e shqeto racistë ose mafiozë. Nuk keni arsye ju të jeni të gënjyer prej Trumpit. Ju e dini mirë se Trump nuk është as i majtë e as i djathë – është thjesht “digj gjithçka përreth, që pastaj gjithçkaja të bëhet e imja, qoftë edhe shkrumb”.
Kjo që ndodhi sot në DC është një rast i mirë edhe për politikanët shqiptarë që të rikonsiderojnë vendimet që marrin, ata që mbështesin, dhe votat që hedhin: ajo që bëni ka rëndësi për jetën dhe të ardhmen, prek jetë njerëzish, prek kulturën politike dhe të përgjithshme të një kombi. Amerika e mundi Trumpin vetëm se ligjori mbeti i pavarur nga politika, dhe politikanë e burokratë të ndershëm nuk iu bindën urdhërit, insistimit, kërcënimit të një lideri të korruptuar si Trump. Fëmijët e fëmijëve tuaj do i gëzohen ndershmërisë, diversitetit dhe paqes që ju luftuat të forconi, ose do i nënshtrohen e do vdesin nën korrupsionin dhe zgjedhën së cilës ju i hapët rrugën, iu bëtë pjesë, dhe e lejuat të avanconte nga etja për pushtet e për të sotme.(Peizazhe.com)