Historiani i njohur, Paskal Milo, e ka parë 18 vjet më parë përmbajtjen e letrës që Mehmet Shehu i ka dërguar Enver Hoxhës e ku i rrëfente se ka qenë dy herë gati të vriste veten.
Sipas Milos, ky është një argument i fortë për të mos diskutuar faktin se Mehmet Shehu u vetëvra më 17 dhjetor 1981 dhe nuk e kanë vrarë, siç pretendohet ende, shkruan Panorama.
Çfarë përfaqëson për ju kjo letër e Mehmet Shehut për Enver Hoxhën në dhjetor ‘44?
Dua të bëj një sqarim se kjo letër që ju keni botuar nuk është letra e plotë që Mehmet Shehu i ka dërguar Partisë Komuniste më 10 dhjetor 1944. Kjo letër është cituar në këtë material, që ndodhet ose të paktën unë e kam gjetur në fondin personal të Enver Hoxhës. Por letra origjinale, personale e Mehmet Shehut, që është ndodhur në fondin e tij personal, Dosja 2, e daktilografuar me firmën e tij, nuk është gjetur.
Po çfarë është kjo letër?
Ky material i botuar nga ju është një përmbledhje e letrës së Mehmet Shehut, e bërë pas vetëvrasjes së ish-kryeministrit shqiptar nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së në kuadrin e krijimit të dosjes për Mehmet Shehun. Këto letra dhe materiale ndihmuan Enver Hoxhën për të bërë tablonë sinoptike rreth Mehmet Shehut dhe aktivitetit të tij. Në dosjen që unë kam konsultuar 18 vjet më parë dhe ku ekziston ky material, ka edhe letra të tjera të Mehmet Shehut gjatë Luftës dhe pas Luftës, drejtuar Enver Hoxhës, Koçi Xoxes, ka diskutime të tij në formë kritike dhe autokritike në forumet e larta të partisë ku në përgjithësi bie në sy pakënaqësia e tij për mënyrën se si e trajtojnë, duke filluar që nga lufta e deri pas lufte. Madje ka letra ku ai përpiqet të shfajësohet se ka qenë një pasues i Nako Spiros, ka letra në 1948 ku shprehet se nuk ka dëshirë të emërohet ministër i Telekomunikacioneve, pasi ishte dënuar Koçi Xoxe, por kërkon të rikthehet në Akademinë Ushtarake në Moskë për të përmbyllur studimet. Në 1946 nuk i mbaroi dot studimet e larta ushtarake, sepse Enver Hoxha e urdhëroi të kthehet në Shqipëri për ta emëruar shef të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
Duket pak paradoksale fakti që Mehmet Shehu paska tentuar të vrasë disa herë veten, ndërsa për gati 36 vjet vazhdon debati e vranë apo u vetëvra Mehmet Shehu?
Unë tashmë me botimin e letrës së vetëvrasjes së Mehmet Shehut mendoj se i kam dhënë përgjigje shteruese fatit të tij dhe debati “e kanë vrarë apo është vetëvrarë” është rrotulluar në vorbullën e politikës shqiptare për qëllime të tjera. Nuk ka asnjë dyshim që Mehmet Shehu ka vrarë veten. Madje unë edhe këtë material që citon letrën e Mehmet Shehu e ku thuhet se ka tentuar të vrasë veten dy herë, e shikoj si argument që ideja e vetëvrasjes së Mehmet Shehut ka ekzistuar që herët, gjatë Luftës dhe pas Luftës. Prandaj ajo që ai bëri më 17 dhjetor 1981 nuk ishte gjë tjetër veçse një ide e ngulitur e tij prej shumë e shumë vitesh, karakteristikë kjo e njerëzve të fortë, por që njëkohë- sisht lëndohen dhe thyhen shpejt. Sedra e madhe që kanë dhe ambicia e madhe që kanë, në momentet e dështimit, i çon ata në një gjendje shpirtërore të pakontrollueshme. Nëse e studiojmë me kujdes karakterin e Mehmet Shehut, ai është vërtet një tip ku kombinohen edhe agresiviteti, dhe brutaliteti e njëkohësisht shumë i ndjeshëm. Ai thyhet shpejt. Nëse kemi parasysh Mehmet Shehun njeri, Mehmet Shehun familjar, ai bën kontrast me Mehmet Shehun si ish-komandant brigade apo dhe si politikan. Pra, vihet re qartë kjo dilemë e brendshme e tij në momentet kur është ndodhur në pozitë të vështirë. Në vitin 1947-1948, pas vetëvrasjes së Nako Spiros, ai është ndodhur në një pozitë shumë të vështirë, u keqtrajtua dhe u detyrua të shkojë, siç thonë, edhe në mendime për t’u përgatitur për një rezistencë aktive kundër jugosllavëve dhe Koçi Xoxes. Prandaj nuk duhet të habitemi për çka përmban ky material që i referohet letrës së Mehmet Shehut, e cila nuk ekziston në origjinal në Arkivin e Shtetit referuar ish-arkivit të KQPPSH-së.
Duket se marrëdhëniet e tij me dy të dërguarit e Titos në formacionet partizane, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, kanë qenë jo të qëndrueshme? Si dokumentohet kjo?
Gjatë kohës së Luftës, ai dhe Fiqiret Sanxhaktari, e shoqja, kanë qenë në marrëdhënie shumë të mira me jugosllavët, veçanërisht me Dushan Mugoshën, i cili për një kohë të gjatë ka qëndruar pranë Brigadës së Parë. Ndërkohë që Miladin Popoviçi rrinte me Enver Hoxhën në Shtabin e Përgjithshëm. Në këtë rast, ka dhe dy letra, një të Mehmet Shehut dërguar Dushan Mugoshësh dhe një të Fiqiret Sanxhaktarit ku të dy shprehen me nota pozitive dhe superlativa për Dushan Mugoshën, gjë që dëshmon se ata kanë qenë në marrëdhënie të mira mes tyre. Vetëm pas Luftës, dhe konkretisht pas vitit 1946, Mehmet Shehu filloi të shprehë pakënaqësi për jugosllavët, sepse ai ishte shumë mik me Nako Spiron dhe e shihte Nako Spiron si lider politik, ndërkohë që veten e shihte më shumë në atë kohë si ushtarak karriere. Aq sa në 1948, pak para asgjësimit të Koçi Xoxes, në një mbledhje të forumeve të Partisë Komuniste, Mehmet Shehu këmbëngul duke thënë se nuk dua post civil, sepse u propozua për ministër i Komunikacioneve. Ai e quante pak këtë ministri, prandaj kërkonte të kthehej në Moskë dhe të përfundonte studimet ushtarake që i ndërpreu në 1946.