Data 1 deri 9 mars 1997, ngeli periudha më e ngjeshur e nxjerrjes së urdhrave për të detyruar dhe implikuar Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në veprime kundër popullsisë së Jugut. Është etapa ku projektohen planet e veprimeve ushtarake, por edhe hartimi i goditjes përfundimtare, shkatërruese të tërë ushtrisë. Në këtë periudhë të gjendjes së jashtëzakonshme reflektohen qartë momentet e fundit të përpjekjeve të shtetit për të vendosur me “dorë të hekurt” rendin kushtetues.
Brenda kësaj etape mund të veçojmë dy momente: datat 7 dhe 8 mars 1997 dhe datën 9 mars 1997, momenti i arritjes së marrëveshjes politike dhe krijimi i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Është kjo ndoshta etapa më e nxehtë kur Shqipëria dhe ushtria po zhyteshin në kaosin më të madh të historisë. Bashkë me mobilizimin dhe armatosjen e strukturave të ushtrisë kundër Jugut për shuarjen e revoltave, ndodhi edhe katastrofa. Populli hapi depot e ushtrisë dhe rrëmbeu armët. Është hera e parë në ushtrinë moderne në mbyllje të mijëvjeçarit të dytë që një shtet “demokratik” ngelet pa ushtri. Është periudha ku “disponohen dokumente të pakundërshtueshme që provojnë inkriminimin e plotë në planet kundër Jugut. Janë telegrame dhe urdhra për të bombarduar zona të caktuara në jug”.
Në këto momente për fatin e popullit, të Atdheut, por edhe për vetë Forcat e Armatosura me keqardhje konstatohet se pavarësisht nga Vendimi i Parlamentit Shqiptar për dorëzimin e armëve nga “rebelët” dhe ndërprerjen e veprimeve luftarake nga shteti, kasta e lartë ushtarake, “Jo vetëm nuk i ndërpreu këto veprime por pikërisht në këto data është edhe intensiteti më i lartë i lëvizjeve dhe i zhvendosjeve të njësive ushtarake, armatimeve dhe trupave të blinduara drejt Jugut”.
Është periudha kur Ministri i Mbrojtjes së bashku me “gjeneralët”, drejtorët e Ministrisë së Mbrojtjes e deri tek punonjësit civilë, u angazhuan dhe u inkriminuan me organizimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake në Jug të vendit. Lidershipi civil dhe sidomos ai ushtarak i dikasterit të Ministrisë së Mbrojtjes e humbën përfundimisht besimin ndaj ushtrisë. Ata filluan të bënin mbledhje me njerëz të përzgjedhur, të cilët “ u caktuan me detyra të rëndësishme si Kolonel Asllan Bushati në BrK Fier, Kolonel Garip Lata në BrK Laç, Gjeneral Brigade Ali Kaçeku në BrK Shijak, etj duke vendosur Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe organizmat e tij përpara vendimeve, të cilat ishin bërë fakt i kryer më parë nga të tjerët. Kjo periudhë tregon se ka patur edhe ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura që kanë urdhëruar marshimin e njësive dhe reparteve të ndryshme të ushtrisë drejt Jugut. Janë bërë përgatitje për përdorimin e lëndëve helmuese luftarake si dhe janë urdhëruar për bombardime të popullsisë të disa zonave në jug të vëndit.
Plani kundër jugut…
Urdhrat e parë për lëvizjen e trupave të ushtrisë drejt Jugut të Shqipërisë filluan të merrnin formë që në ditën e parë të muajit mars 1997.
Në ligjin Nr.7528, datë 28.02.1992 thuhet se Komandanti i Përgjithshëm “ Me propozim të Shtabit të Përgjithshëm vendos për përdorimin e Forcave të Armatosura në operacionet ushtarake” Po si u veprua në fakt? Në mediat zyrtare deklarohej se ushtria po vepronte në ndihmë të forcave të rendit. Drejtoria Operative në Shtabin e Përgjithshëm përpilon urdhra për lëvizjen e njësive dhe reparteve të ushtrisë. Ajo përgatiti një operacion luftarak. Në orën 16 të datës 2 mars 1997 Parlamenti Shqiptar u mblodh për të diskutuar gjendjen e jashtëzakonshme. Në orën 19.35 me një shpejtësi dhe oreks të çuditshëm hyri në fuqi Ligji i gjendjes së jashtëzakonshme. Strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ato të Ministrisë së Brendshme u bashkuan me SHIK-un dhe gjenerali Bashkim Gazidede është emëruar Komandant i operacionit për të shtypur revoltën në Jug të Shqipërisë. Këtu filloi rrokullisja. Mbi kurrizin e ushtrisë dhe efektivave të saj vepronte loja e rrezikshme e kungulleshkave. Ish Ministri i Mbrojtjes deri më datë 2 mars 1997 jep 22 urdhëra.
Kronologjia e ngjarjeve, dhënia e urdhrave, mënyra e përqendrimit të forcave dhe mjeteve, treguan idenë e veprimeve: Kapjen e portit dhe e Bazës së Sarandës, zhbllokimin e situatës dhe kapjen e qyteteve të Delvinës dhe Sarandës. Në këtë drejtim u parashikuan të vepronin vetëm nga strukturat e Forcave të Armatosura 5 batalione këmbësorie, 1 batalion komando, 1 batalion i artilerisë së përzier dhe një kompani raketash kundër tank. U llogaritën pra, rreth 2000 forca aktive, duke mos llogaritur forcat e SHIK-ut dhe te Akademisë së rendit që ishin futur në Gjirokastër, drejt Delvinës, të komanduara nga gjenerali, komandanti i tyre. Në Përmet në mesnatën e datës 7 mars 1997 afrohen forcat e Brigadës Komando të Zall-Herrit, batalionet e këmbësorisë të Divizionit Shijakut dhe Burrelit, forcat e artilerisë të Divizionit Këmbësorisë Tiranës, Brigada e Komunikimit, repartet speciale dhe të riparim-evakuimit, etj. Atje qenë të vendosura më parë forcat e SHIK-ut së bashku me to edhe ato të ashtuquajtura Brigada Speciale e “mercenarëve të mbledhur” Forcat e Fierit dhe një batalion këmbësorie i Divizionit 8 Këmbësorisë Tiranës, ekuipazhet e tankeve së bashku me tanket dhe forcat e SHIK-ut qenë të vendosur për të bllokuar Qafën e Koshovicës me qëllim që të mos lejonin “marshimin e forcave të Vlorës” drejt Tiranës, si dhe të ulnin moralin e zonës përreth. Për këtë ata u angazhuan në veprime terrorizuese në fshatrat e zonës, sidomos nëpërmjet SHIK-ut.
Flamur Tepçollari, Shef i Shtabit të Batalionit të këmbësorisë së mekanizuar në Laç, dëshmitar që në mëngjesin e datës 4 mars 1997, pohon: “Së bashku me komandantin e batalionit tim Sami Cena shkuam tek prefekti i Fierit, i cili ishte komandant i operacionit të rrethit. Në prani të 14 vetave dha urdhrin luftarak “për mësymje ndaj Vlorës”. I fola Samiut: “ Këta qenkan të çmendur”. Ata na rrethuan duke thirrur: “Dezertorë. Tradhtarë. Kriminelë. Do t’ju vrasim” Duhej të shkonim atje ku donin ata. Populli terrorizohej nga tanket nëpër rrugë. U nisën drejt Qafës së Koshovicës ku pashë me sytë e mi gjëra dhe veprime shumë të poshtra, që nuk mund t’i bënte njeri vetëm SHIK-u. U dha urdhër që të hapej zjarr në Cakran se do të vijnë vlonjatët. Në fakt nuk kishte asnjë lëvizje.”
Duhej me çdo kusht që të egërsohej ushtria kundër popullit. Ekuipazhet e tankeve të brigadës së tankeve Shkodër së bashku me oficerët e tyre vepruan. Hapja zjarr e tyre krijoi këtë tragjedi. Bilanci i këtij konfrontimi qe tragjik. Dy varre në Cakran që mbajnë brenda dy ushtarakë ishte rezultati i veprimeve të ushtrisë me datë 8 Mars 1997. Këtij qëllimi i shërbente edhe planizimi për shkatërrimin e urës në Qafën e Sokolit në Rrogozhinë, si dhe veprimet e efektivit të përforcuar me topa 75m/m, të cilat u tërhoqën nga Fieri për bllokimin dhe goditjen e forcave që mund të kalonin urën e Rrogozhinës. U realizua më vonë shpërthimi i depove të armëve ku u bë armatosja e militantëve “mercenarë” të qytetit të Kavajës. Urdhrat marshuan sidomos mbi Divizionin e Tiranës. U vunë në lëvizje nga ky Divizion forca dhe mjete, armatime dhe municione. U përfshinë në veprimet operacionale të Jugut pothuajse tërë njësitë dhe repartet e këtij Divizioni.
Në këtë periudhë lëvizën efektivat dhe mjetet e blinduara të Brigadës Tankeve Zall-Herr, batalioni i parë i këmbësorisë të Rep. Usht. Nr. 8830 dhe të Rep. Usht. Nr. 9940, batalioni 130 m/m i Brigadës Artilerisë, batalioni 160 m/m i Brigadës Artilerisë Mekanizuar Elbasan, kompania e raketave kundër tanke e Brigadës Këmbësorisë Yzberisht, etj. Në këtë Divizion u evidentuan rreth “65 dokumenta bazë” të natyrës së telegrameve dhe shifrave. Kështu me datë 2 mars 1997 ish Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen me telegramin Nr.5 urdhëroi Komandantin e Divizionit Këmbësorisë Tiranë: “…Bëni armatosjen e efektivave rezervistë, të organeve të rendit e të SHIK-ut mbi bazën e kërkesave që kanë bërë e që do të bëjnë komisariatet e degës së SHIK- ut në rrethe, të cilët i kanë këto forca në vartësi organike”.
Pra ish Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe ish-Komandanti i Divizionit të Tiranës, urdhëruan komandantët e njësive dhe reparteve vartëse për pajisjen me armatime, municione, armë speciale, mjete të blinduara, forcat e rendit në Tiranë, Fier, SHIK-un dhe Gardën e Republikës. Nuk mbetet prapa në dhënien e urdhrave mbi këtë Divizion edhe Komandanti i operacioneve dhe zëdhënësi i tij, gjeneralët e SHIK-ut. Më datë 1 mars 1997 komanda e divizionit të Tiranës urdhërohet të kalojë në vartësi të BrK Fier disa ekuipazhe tankiste.
Më datë 3 mars ish Sekretari i Shtetit për mbrojtjen urdhëron t’i dorëzohen SHIK-ut, një kompani me efektiv aktiv të raketave kundër tanke, me gjashtë shtretër lëshimi me dhjetë raketa për çdo shtrat. Kjo datë është më e ngarkuar në dhënien e urdhërave për këtë divizion. Ish Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, urdhëron kalimin kapital nga divizioni për tek SHIK-u të 100 copë ML, 1.000 copë automatik, 100 GHLKT, 500 shtimje 40 m/m të shoqëruara me 5 komplete municione e barabartë kjo me 600.000 copë fishekë. Në këtë datë ish Ministri i Mbrojtjes kalon nga rezerva në përdorim 150.000 litra karburant (gazoil) me një plan të veçantë për repartet tankiste. Ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm urdhëroi kalimin në vartësi të Ministrisë së Rendit të 8 të tankeve T-59, marrë nga Br tankeve Zall-Herr.(28) Një ditë me vonë ish Sekretari i Shtetit për mbrojtjen urdhëroi kompletimin me resurse të Br3K në repartin ushtarak Nr. 8830 Tiranë dhe përgatitjen e tyre intensive.
Me datën 6 mars Presidenti i Republikës, Sali Berisha, mblodhi partitë politike ku u vendos 48 orë armëpushim duke nisur nga ora 12.00 e datës 6 mars. Brenda këtyre 48 orëve iu bë thirrje të gjithë personave të armatosur civilë që të dorëzonin armët. Në këtë urdhër nuk u përcaktua se cili person civil do të dorëzonte armën, civilët e armatosur, militantët e partisë apo civilët e SHIK-ut. Nuk u përcaktua se ku do të dorëzoheshin armët apo kush do t’i merrte ato në dorëzim. Pikërisht në datën 6 mars në “kushtet e ndalimit të veprimeve ushtarake” në akset kryesore të rrugëve Tiranë-Fier-Berat-Përmet dhe Tiranë-Korçë-Ersek-Leskovik-Përmet, filloi lëvizja masive e njësive dhe e reparteve të ushtrisë me teknikën dhe mjetet e e saj luftarake. Kështu si padashje ushtria po dilte jashtë loje. Ajo nuk mund dhe nuk kishte arsye për një grupim të tillë.
Me datën 7 mars 1997, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura vendosi në dispozicion të DK të Korçës një bateri 130m/m me 6 topa dhe një bateri të mortajave 160m/m me 6 gryka zjarri. Furnizimi i mjeteve do të sigurohej për 60 km rrugë. Urdhërohej gjithashtu vendosja në gatishmëri e një batalioni këmbësorie me dy kompani me rreth 300 ushtarë për të kaluar në vartësi të BrK Fier, si dhe ekuipazhi për dy kompani tankiste dhe një shtab batalioni në vartësi të DK Korçë. Efektivi ushtar me urdhër të ish Komandantit të Divizionit të Tiranës u morën për kompletim nga reparti ushtarak Nr 8830 Yzberisht, nga batalioni i këmbësorisë Krastë, Elbasan dhe nga Brigada e Tankeve në Zall-Herr.
Xhevdet Zeneli, Kolonel, Ish-Komandant i Divizionit të Tiranës pohon: “Në periudhën e dhënies dhe të zbatimit të këtyre urdhrave deputeti i PD Shaban Memia shkon në Brigadën e Tankeve Zall-Herr në Brigadën e Artilerisë Tokësore, në Brigadën e Këmbësorisë Yzberisht duke ndjekur drejtpërsëdrejti veprimet për zbatimin e tyre. Ish prefekti i Elbasanit Tonin Alimëhilli shkon në BrK Elbasan terrorizon oficerët duke bërë thirrje hapur deri në ndëshkim fizik të tyre”.
Në qytetin e Gjirokastrës ngjarjet acarohen me datën 8 mars kur forcat qeveritare kaluan me helikopter nga Përmeti midis fushës së Çajupit dhe zbritën në Gjirokastër. Në aerodromin e Gjirokastrës në dalje të urës që të çon për në Valare u vunë re reagimet e para kundër personave të armatosur që zbritën nga helikopteri. Këto më vonë u pasuan nga revolta e tërë popullit në Divizionin e Gjirokastrës i njohur si gjigandi i historisë së ushtrisë në jugun e vendit. Divizioni i Gjirokastrës u rrënua plotësisht. Nga ushtarakët pati edhe reagime, por në pjesën kryesore të divizionit njerëzit vërshuan duke bërë batërdinë.
Fakte të tilla hedhin dritën e së vërtetës se në datat 7 dhe 8 mars 1997, jo vetëm që nuk u ndërprenë veprimet operacionale sipas marrëveshjes së bërë, por pikërisht në këtë datë lëvizën drejt Korçës, Përmetit, Fierit, forca, mjete armatime dhe municione të ndryshme. Janë zhvendosur armatime speciale dhe janë armatosur nga depot e divizioneve të ushtrisë struktura të tëra. Komandat dhe shtabet e njësive ndjeheshin të detyruar të çonin efektivat e tyre jashtë detyrave të planizimit luftarak. Viktimë e këtyre urdhrave u bë edhe Akademia e Mbrojtjes. Ajo përfshihet në vorbullën e ngjarjeve në datën 4 mars, kur komandanti i saj emërohet ish komandanti i Divizionit të Shijakut.
***
Momenti i qetësisë së “armëpushimit” u shfrytëzua për lëvizje të sforcuara drejt jugut të sanksionuara me vendimin e Shtabit Përgjithshëm Nr. 57 datë 07.03.1997. Lëvizja e trupave drejt jugut filloi me vënien në zbatim të urdhrit Nr 25 datë 01.03.1997 ”Për lëvizjen e ekuipazheve të brigadës tankiste Zall-Herr, të forcave të Divizionit 8K Tiranë, të FMA si të trupave Komando etj.(33) Në këto momente Komanda e Përgjithshme mund të merrte me urgjencë drejtimin, duke u vendosur në krye të Këshillit të Mbrojtjes dhe të Shtabit Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ajo mund të mos nxitohej në shpalljen me urgjencë të gjendjes së jashtëzakonshme. Ky ”boshllëk” ishte sajesa e një komande operacionale, në krye të së cilës qëndronte një komandant i dyshimtë për nga origjina e karrierës së veprimeve të mëparshme, një civil që krejt papritur bëhet gjeneral me katër yje.
Vendosja e Forcave të Armatosura nën komandën e SHIK-ut, është një rast i paprecedent dhe krejtësisht antiligjor. Ky veprim i institucionalizuar ligjor nga ana e ish shtetit vulosi, në mënyrën më brutale humbjen e besimit nga Komandanti për tërë lidershipin e ushtrisë dhe institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes. U denigrua Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. U shkelën konceptet ligjore mbi përdorimin e Forcave të Armatosura. Shtabi i Përgjithshëm i FA iu nënshtrua të gjitha vendimeve dhe veprimeve të kundraligjshme. Në të njëjtën kohë u përzgjodhën mjaft “oficerë besnikë” të partisë, të cilët u vendosën pranë Komandës së Operacionit. Disa të tjerë marshuan drejt zonave të veriut për mobilizimin dhe përgatitjen e “mercenareve”. /Marrë nga Gazeta Dita/ma.me