Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Në numrin e sotëm, ai tregon detaje mbi Mbledhjen e Mukjes dhe kontaktet mes ballistave dhe komunistëve.
31 janar 1957
Raport Partia e Punës
(Vijon nga numri i kaluar)
-Çfarë takimesh apo marrëveshjesh janë mes tre organizatave të rezistencës në Shqipëri?
Me sa di unë, mes tri organizatave të rezistencës në Shqipëri është përfunduar vetëm një marrëveshje në kuptimin e plotë të fjalës. Takime janë bërë shumë, por rezultatet e tyre kanë qenë të parëndësishme. Mes përfaqësuesve të Ballit Kombëtar (nganjëherë Ali Këlcyra, nganjëherë Hasan Dosti, nganjëherë Kolë Tomara) dhe përfaqësuesve të Frontit Nacional Çlirimtar (nganjëherë Imer Dishnica, herë Mustafa Gjinishi, herë Omer Nishani, herë Enver Hoxha) janë bërë shumë takime, sidomos në fillim të 1943 me qëllim bashkimin e të gjitha forcave anti-fashiste në një front të vetëm dhe hartimin e një programi të përbashkët. Por megjithatë nga këto takime nuk u arritën rezultate. Takimet zhvilloheshin në nivelin më të lartë, pra në Tiranë ose Pezë, po ashtu dhe në nivele më të ulëta, nëpër krahina mes përfaqësuesve vendorë të dy organizatave. Takime të nivelit të lartë të përfaqësuesve të Partisë Komuniste e FNÇ janë bërë dhe me partinë zogiste të Legalitetit, me të cilët është arritur një marrëveshje formale, sipërfaqësore, ashtu si dhe me Ballin Kombëtar, me të cilët u njoh nevoja e luftës së përbashkët kundër pushtuesit dhe shmangia e çdo përpjekjeje ushtarake mes forcave të dy palëve. Mirëpo prej njohjes së nevojës në formë abstrakte të luftës kundër okupatorit dhe të shmangies së luftës vëlla-vrasëse deri të zbatimi i tyre në praktikë ishte një distancë aq e madhe si ajo prej njohjes së një vajze që është e bukur dhe deri te martesa me të. Sidoqoftë konflikti direkt i hapur e i armatosur mes FNÇ dhe Legalitetit erdhi shumë më vonë se konflikti mes komunistëve dhe ballistëve. Kjo sepse njësitet e Ballit ishin në kontakt të shpeshtë me formacionet partizane në jug të Shqipërisë. Ndërsa në veri kishte çeta të pakta të Legalitetit dhe partia nuk kishte thuajse fare formacione ushtarake, prandaj dhe konfliktimi fizik mes tyre erdhi më me vonesë. Partia nuk arriti të përfundonte një marrëveshje as me Ballin as me Legalitetin, këto dy të fundit arritën në një marrëveshje mes njëra-tjetrës. Pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje ishin:
a) Evitimi me çdo mjet i konfliktit të armatosur mes forcave të dy palëve;
b) Nevoja për të ndihmuar sipas mundësisë njëra palë tjetrën;
c) Pjesëmarrja e të dyjave në qeveritë kuislinge e në xhandarmërinë e tyre:
d) Nevoja e luftës kundër pushtuesit, por jo sa kohë ai ishte në gjendje të hakmerrej ndaj popullsisë por vetëm atëherë kur ndodhej në buzë të greminës së kapitullimit;
e) Nevoja për t’u konsultuar bashkarisht sa herë që paraqitej nevoja, për probleme ushtarake, politike ose për qëndrimin ndaj Partisë Komuniste;
f) Pas çlirimit të Shqipërisë do të organizoheshin zgjedhje për të vendosur formën e qeverisjes, monarkike apo republikane;
Mesa kam dëgjuar, kjo marrëveshje mes Ballit dhe Legalitetit mori formën e saj të prerë në mbledhjen e Zall Herrit. Por në fakt duhet pranuar se dy organizatat kishin divergjenca të thella dhe ambicie personale të krerëve të tyre, që kufizuan zbatimin e pikave të marrëveshjes. Siç e thashë në fillim, marrëveshje e vërtetë, konkrete e nënshkruar mes tre organizatave të rezistencës në Shqipëri ishte vetëm ajo e Mukjes e nënshkruar në verën 1943. Marrëveshja e Mukjes mori këtë emër prej katundit të Shqipërisë së Mesme ku u mblodhën përfaqësuesit e Partisë Komuniste, të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, për bashkim në ndjekjen e një vije të përbashkët. Mbledhjes së Mukjes i kishin paraprirë një seri takimesh më të vogla paraprake me delegacione të tre palëve. Puna ishte të zhdukeshin pengesat e fundit dhe të hidheshin në letër parimet, mjetet dhe rrugët që do të ndiqte më pas fronti i Përbashkët Balli-Legaliteti-FNÇ. Di se kryetar i delegacionit të Partisë Komuniste në Mukje ishte Imer Dishnica, një nga eksponentët më të njohur të Komitetit Qendror. Anëtar tjetër komunist ishte Gogo Nushi, Mustafa Gjinishi dhe të tjerë që nuk i mbaj mend. Nga pala balliste ka qenë Ali Këlcyra, Mithat Frashëri dhe të tjerë që nuk i di. Delegacioni i Legalitetit përbëhej nga Abaz Kupi, Sterio Spasse etj. Prej atëherë kanë kaluar 15 vjet. Klauzolat konkrete të marrëveshjes nuk i mbaj mend, por di se në radhë të parë organizatat angazhoheshin të luftonin okupatorin e huaj dhe të mos bënin asnjë kompromis me të. Tre organizatat do të konsultoheshin me njëra-tjetrën për probleme të rëndësishme politiko-organizative; ato do të ruanin formacionet e tyre ushtarake dhe në të gjithë vendin do të zgjidheshin këshilla të reja ku do të përfaqësoheshin të treja grupet e rezistencës; ato zotoheshin t’i vinin në ndihmë njëri-tjetrit dhe të kryenin aksione të përbashkëta. Në lidhje me formën e regjimit të ardhshëm në Shqipëri do të kryhej një plebishit ose referendum dhe më pas zgjedhje demokratike. Balli, Legaliteti dhe Partia Komuniste do të kishin të drejta të njëjta dhe me Marrëveshjen e Mukjes viheshin në një nivel. Komiteti konsultues ekzekutiv kishte numër të barbaritë anëtarësh nga të treja grupet. Kjo ishte në parim marrëveshja e Mukjes, por ajo nuk zgjati as dy javë. Para se të niste veprimi për të zbatuar marrëveshjen Partia Komuniste e deklaroi të pavlefshme dhe shpalli të anuluar delegacionin e saj, duke akuzuar Imer Dishnicën si “kapitulant” “kompromisaxhi” dhe element të deviacionit të djathtë borgjez. Komunistët nisën të akuzonin se Dishnica tradhtoi Frontin Nacional-Çlirimtar duke rënë në pozitat e Ballit Kombëtar, por në fakt komunistët nuk donin një bashkim në pozita të barabarta, por një bashkim ku të komandonte “këndesi komunist” dhe ku palët e tjera t’i nënshtroheshin programit, influencës dhe autoritetit të saj. Anulimi i njëanshëm arbitrar i Marrëveshjes së Mukjes i mbylli rrugën përgjithmonë takimeve e bisedimeve mes Partisë dhe palëve të tjera nacionaliste. Me këtë gjest Partia Komuniste tregoi hapur se kërkonte dominim absolut dhe postet kyçe në qeveri. Balli dhe Legaliteti e kuptuan se nëse nuk nënshtroheshin nuk kishin bashkim me Partinë Komuniste. Prandaj prej atëherë grupet u larguan gjithnjë e më tepër pa shpresa bashkimi. Ajo që pasoi Mukjen shënoi fillimin e luftës së paevitueshme mes Ballit e Partisë e më vonë mes Partisë komuniste dhe Legalitetit.
-Si u prit ndihma britanike menjëherë pas çlirimit?
Të dhënat e kësaj pyetjeje i them me rezerva, se që nga 1 marsi 19445 kam qenë me detyra të ndryshme jashtë Shqipërisë deri nga viti 1947, prandaj do të them ato që di. Ndihma e parë nga Aleatët për Shqipërinë menjëherë pas çlirimit ka ardhur nga agjencia aleate në Bari, UNRRA, mirëpo ajo i është shpërndarë popullsisë nga komunistët pa u thënë se vjen nga Aleatët. Arsyeja e kësaj heshtjeje është e qartë. Në vitin 1945 Partia Komuniste kishte marrë në dorë krejt vendin dhe kishte nisur një politikë të theksuar diferencimi në planin ndërkombëtar. Kjo politikë diferencimi paraqiste vetëm bashkimin Sovjetik si aleat besnik të vendit, si miku i vetëm i Shqipërisë. Fuqitë perëndimore si Anglia e SHBA i paraqiteshin popullit si fuqi imperialiste që kishin synime grabitqare, të cilat donin të rikthenin “të kaluarën e errët”. Kuptohet që një orientim i tillë ndërkombëtar i detyronte autoritetet të fshihnin origjinën e ndihmës së Perëndimit. Për këtë arsye, Partia Komuniste nëpërmjet qeverisë së Tiranës nguli këmbë që në fillim që ndihma e tyre të ndahej në popull nga qeveria dhe kjo nga përfaqësuesit e UNRRA në Shqipëri. Sipas kësaj linje qeveria komuniste insistoi që në fillim që personeli i UNRRA në Shqipëri të kishte numër sa më të vogël dhe të drejta të kufizuara për shpërndarjen e ndihmave. Por nga ana tjetër, qeveria komuniste kërkonte që ndihma të ishte sa më e madhe në artikuj, automobila, traktorë, veshmbathje e sende ushqimore. Preteksti i përdorur nga Tirana ishte i thjeshtë: Shqipëria ishte e dëmtuar rëndë nga pushtimi i huaj italo-gjerman. Se në ç’masë u realizua ndihma e UNRRA ndaj Shqipërisë, unë nuk di gjëra konkrete, por me sa kam dëgjuar nga disa personalitete të partisë, personeli i UNRRA në Shqipëri nuk ishte i kënaqur nga mënyra e shpërndarjes pasi autoritetet vendase nxirrnin qëllimisht pengesa e vonesa duke iu shmangur detyrimeve që kishin marrë përsipër. Por opinioni im është se qëndrimi i misionit UNRRA kundrejt qeverisë ishte vetëm përgjigja e merituar ndaj intrigave dhe mospërmbushjes së detyrimeve të Tiranës kundrejt UNRRA (shumica për të mos thënë krejt personeli i UNRRA në Shqipëri përbëhej nga oficerë ose ekspertë britanikë). Ndihma që iu propozua Shqipërisë nga Perëndimi vinte nga ndërlidhja ushtarake me britanikët (M.L. Military Liaison), të cilët qeveria ishte gati ta pranonte me kusht që ajo të shpërndante si të donte vetëm ndihmën, pa treguar nga vinte dhe pa lejuar hyrjen në Shqipëri të shumë kontrollorëve apo oficerëve të huaj për mbikëqyrje. Mirëpo eksperienca e UNRRA i mësoi shumë gjëra britanikëve. M.L. e kushtëzoi paraprakisht dhënien e ndihmës me pranimin nga pala shqiptare të një neni të domosdoshëm në kontratë, i cili thoshte se Shqipëria duhet të pranonte në tokën e saj një mision të M.L. me personel të mjaftueshëm (në mos gaboj rreth 1000 vetë) për shpërndarjen e ndihmës. Tiranës kjo shifër iu duk e ekzagjeruar, ashtu siç iu duk e ekzagjeruar dhe kërkesa tjetër që ndihmat të kontrolloheshin nga afër prej teknikëve dhe ekspertëve të tyre. Këtu duhet të shtoj se Partia Komuniste në atë kohë bënte çmos me presione nga të gjitha mënyrat për të kufizuar numrin e anglezëve në Shqipëri si dhe lëvizjet në vend të atyre që gjendeshin aty. Tirana mendonte se këta oficerë ishin përfaqësues të një fuqie armike, e cila përpiqej të organizonte reaksionin anti-komunist brenda vendit, me qëllim përmbysjen e regjimit të ri. Refuzimi i Tiranës për të pranuar kushtet e M.L. soli refuzimin e ndihmës për Shqipërinë prandaj dhe dërgesat e para që ishin nisur u rikthyen nga kishin ardhur. Ndihma konsistonte në furnizim për nevojat e popullsisë dhe furnizime të nevojshme për qeverinë shqiptare, që kishte nisur rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga lufta. Madje me sa kam dëgjuar ndihma ishte e konsiderueshme jo vetëm në cilësi, por dhe në sasi. Hollësi të tjera rreth kësaj pyetjeje nuk di.
/a.r