Një 39-vjeçar me precedentë të mëparshëm penalë është arrestuar nga Policia e Lushnjës pasi dogji automjetin e një shtetasi me porosi të një 28-vjeçari.
Ky i fundit është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se porositi krimin për shkak të konflikteve për motive pronësie, me xhaxhanë e pronarit të automjetit të djegur.
Policia sqaron se është arrestuar 39-vjeçari M.B., ndërsa është shpallur në kërkim 28-vjeçari A.Z.
“Dogji automjetin e një shtetasi, me porosi të një 28-vjeçari, identifikohet dhe kapet 39-vjeçari (shtetas me precedent penal).
Punohet për kapjen e 28-vjeçarit, i cili dyshohet se e porositi krimin, për shkak të konflikteve për motive pronësie, me xhaxhanë e pronarit të automjetit të djegur.
Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit D. V., se i kishin djegur automjetin, në afërsi të banesës së tij, në fshatin Pluk, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë organizuan punën operacionale dhe veprimet hetimore për të përcaktuar autorësinë e rastit dhe për të sqaruar rrethanat.
Si rezultat, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i djegies, shtetasi M. B., 39 vjeç, banues në këtë fshat.
Gjithashtu, u identifikua shtetasi që dyshohet se porositi kryerjen e këtij krimi, A. Z., 28 vjeç, i cili nga veprimet hetimore, rezultoi se ka qenë në konflikt me xhaxhanë e shtetasit D. V., për motive pronësie. Punohet intensivisht për kapjen e 28-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.











