Avokati Idajet Beqiri ka paralajmëruar zhvillime tronditëse në politikën shqiptare. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai shprehet se afera “CEZ-DIA”, një histori privatizimi dhe abuzimi që i kushtoi vendit 414 milionë euro dëm do ta fundosë ish-presidentin Ilir Meta.
Sipas avokatit, dëshmitarët okularë do ta çojnë pas hekurave. Idajet Beqiri shprehet se këto zhvillime e kanë nxjerrë jashtë shinave Metën dhe pas kësaj afere do të nisin hetimet dhe për 42 dosje të tjera që implikojnë familjen Meta-Berisha.
-Zoti Beqiri, Ilir Meta u thirr pak ditë më parë në SPAK për të dëshmuar për aferën “CEZ-DIA”, ku akuzohet se është përfshirë. Si e shikon këtë zhvillim dhe a ka sipas jush prova që implikojnë kreun e PL në këtë skandal?
Ilir Meta u thirr në SPAK për të dhënë deklarimet e tij lidhur me aferën ‘CEZ-DIA’, e cila u ka kushtuar financave të shqiptarëve miliona euro. Këto miliona i vodhi Ilir Meta, Shkëlzen Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij. SPAK ka prova të mjaftueshme për të marrë të pandehur Ilir Metën, Sali Berishën, Shkëlzen Berishën, Kastriot Ismailaj etj.
Pas kësaj deklarate SPAK do t’i komunikoj Ilir Metës dhe bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aferë të rëndë korruptive akt akuzën, sikurse do të kërkoj edhe kthimin në buxhetin e shtetit të milionave të eurove që kanë vjedhur Ilir Meta, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha etj. Fakti që ka një bashkëpunëtor të drejtësisë, sikurse është ish kryetari i LRI, i cili me dëshminë e tij si dëshmitar okular, e varros shtatë pash nën dhe Ilir Metën, është arsyeja e vetme pse Ilir Meta dhe sot ka dalë tërësisht nga shinat dhe është bërë si i çmendur.
Ai e di mirë që pas kësaj maje ajsbergu, janë edhe 42 aferat e tjera të rënda korruptive që ka bërë veçmas apo në bashkëpunim me Sali Berishën, Shkëlzen Berishën, Kastriot Islamin etj, etj, të cilat janë tmerrësisht të rënda dhe të paimagjinuara…
-Cilat janë lidhjet e Metës me Kastriot Ismailajn?
Kur u fut në SPAK Meta tha do shkoj të bëj disa denoncime, një pafytyrësi, që të kesh qenë President dhe të thërrasë SPAK dhe të dalësh të mashtrosh të gjithë shqiptarët është turp. Na vjen turp që e kemi pasur President. Ndërkohë që ata thërrasin për të bërë deklarim për krimet që ka bërë dhe ai vajti atje dhe ka bërë deklarime për aferën e rëndë korruptive CEZ-DIA-s.
Dha shpjegime sepse është ai i korruptuari kryesor, Shkëlzen Berisha dhe familja e tij. Kastriot Ismailaj donte t’i merrte me vete gjërat por e tradhtoi dhe bashkëshortja e vet. Aktet që ka dërguar juristi i CEZ vetë janë dokumente tamam që flasin për një nga aferat më të rënda që iu është bërë taksapaguesve shqiptarë. Erdhën dhe në mënyrë korruptive përfituan një shumë të jashtëzakonshme që duhet të ishte në buxhetin e shtetit 414 milion eurot. Me ndërmjetësinë e Metës dhe familjes Berisha i morën dhe pjesën e ‘luanit’ e mbajtën për vete dhe pjese tjetër e morën çekët nga pasuria dhe energjia jonë elektrike.
Ky është deficit dhe e kemi në ngarkim ne ndërkohë që është futur në xhepin e tyre dhe për këtë pati dhe një komision hetimor parlamentar. Është një vend që për 32 vjet që jetojmë këtu fatkeqësisht kemi jetuar në një klasë politike që ka menduar nga mëngjesi deri në darkë se si të pasurohen vetë, si të pasurojnë familjet e tyre dhe bashkëpunëtorët e tyre. Mirëpo këto dosje për t’i formësuar, goditur duhet t’i përgatisë policia e shtetit shqiptar.
Edhe këto gjëra që thash unë policia duhet të kontrollojë si u bë privatizimi i bankës, pse donte Ilir Meta dhe organizoi vrasjen e Tom Doshit, për çfarë arsye Tom Doshi mobilizoi një ushtri të tërë nga jashtë shtetit për të zbuluar kush donte ta vriste.
Por policia e shtetit nuk ka dërguar asnjë dosje në SPAK, këto dosje janë dërguar ose nga gazetarë investigativë, ose qytetarë ose avokat mes të cilëve dhe unë. Policia është autoriteti më i lartë dhe fuqiplotë që ka fuqinë e zbulimit dhe luftën kundër krimit, por policia nuk ka dërguar asnjë aferë të tillë, pse nuk e çoi dosjen e Gërdecit, vjedhjen e floririt, CEZ-DIA.
-Në Kuvend diskutohet nisma që bashkon PS dhe fraksionin Alibeaj për hapjen e dosjeve, mendoni se ka fakte që implikojnë Ilir Metën me ish-Sigurimin e Shtetit?
Në bazë të akteve që ka në dorë Autoriteti i Dosjeve, në bazë të dëshmive të dëshmitarëve okularë, të cilët e kanë rekrutuar Ilir Metën si spiun të sigurimit, me aktivitete dëmsjellëse për shokët e vet student, ai është spiun me dosje dhe do flaket jashtë politikës.
Jashtë politikës do të qërohet edhe i vdekuri i pakallur Sali Berisha, ose “Penicilina” për Sigurimin e Shtetit në Shqipëri, që ka marrë në qafë me spiunimet e tij disa intelektualë shqiptar, apo me pseudonimin “Intelektuali” në shërbim të UDB së Serbisë kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.
-Mendoni se rrezikohen të tjerë zyrtarë të lartë me dosje spiuni që të përjashtohen nga sistemi me ndryshimet e reja që po diskutohen nga PS dhe PD?
Ka edhe politikanë të tjerë me dosje sigurimi, si spiun të këtij Sigurimi, me veprimtari të dënueshme, të cilët do të ikin të turpëruar nga postet që kanë në politikë apo në institucionet e shtetit.
-Po sa i takon çështjes se 21 janarit a besoni se do hapet dhe a është i përfshirë Sali Berisha ne këtë çështje?
SPAK bëri fajin e rëndë që kallëzimin penal kundër Sali Berishës, Lulëzim Bashës dhe bandës së tyre kriminale, ia kaloi për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në një kohë që është SPAK që e ka në kompetencë çështjen e vrasjes shtetërore të 4 qytetarëve në 21 janar 2011.
Kallëzimi penal i bërë nga familjarët e këtyre viktimave drejtuar SPAK, ia ka futur këmbët në një këpucë këtij organi, i cili tashmë është i detyruar të regjistrojë procedimin penal kundër Sali Berishës dhe bandës së tij kriminale dhe të çojë në gjyq këtë urdhërues, organizator dhe zbatues të këtij krimi shtetëror, për 4 vrasje të cilësuara që kanë si masë dënimi burgimin e përjetshëm.
Do apo nuk do Sali Berisha, vetëm për 21 janarin ai do vdes në burg…Mirëpo për 30 vjet Sali Berisha ka bërë aq krime, aq vrasje dhe aq afera korruptive ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, sa diapozitivi i vendimit të gjykatës për dënimin e tij për çdo krim që ka kryer, do të jetë “gines” botëror për numrin pambarim të faqeve kompjuterike të shkruara…
-Revolucioni i Berishës dhe Metës?
Revolucionin e bën populli shqiptar. Fakti që Berisha do të bëjë revolucion për të mbrojtur veten nga korrupsioni i lartë shtetëror që ka bërë, nga vrasjet e shqiptarëve, duke future familjen e vet dhe familjet e shumta në një gjak pa kufi që edhe nipi e stërnipi nuk e shlyen dot me gjakun që kanë derdhur familjet e shqiptarëve.
Ai dhe Iliri i bëjnë vetëm për të larguar goditjen që do marri nga organet e drejtësisë dhe që këto organe duan apo nuk duan do ta dënojnë këtë krim sepse nuk ka rrugë tjetër as për të ecur Shqipëria dhe shqiptarët, as për të hyrë në BE. Sepse nuk hyjmë dot kështu me këto krime dhe këtë kolaps nga krimi i organizuar./m.j