Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike e cila është zhvilluar ditën hënë dhe që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, kryetari Lulzim Basha ka ngritur akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit.
Gazetari Panorama.al, Mariglen Kume ka zbardhur debatin me dyer të mbyllura, ku mësohet se Basha është shprehur se Policia ka gënjyer ndërkombëtarët, ndërkohë që u ka ardhur në ndihmë deputetëve brenda selisë 37 minuta me vonese.
“Ajo që ndodhi më 8 janar me Policinë që u vonua 37 minuta për të ndërhyrë ishte prova më e fortë e bashkëpunimit Rama-Berisha për të marrë godinën me gjakderdhje. Policia është njoftuar edhe nga Garda e Republikës, përfaqësuesit e së cilës ishin në seli dhe nuk erdhi. Gënjeu partnerët tha se nuk ka njoftim nga PD-ja”, mësohet të jetë shprehur Basha.
Ndërkohë që gjatë diskutimit, Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka thënë se Lulzim Basha do mbahet mend gjithmonë si njeriu që hoqi Sali Berishën nga Politika.
DEBATI ME DYERT TË MBYLLURA NË PD
Agron Gjekmarkaj: Edhe unë kam pasur informacion se do na respektonin në mënyrë të veçantë disave prej deputetëve. Ndërkohë, ne kemi dalë në takime me njerëzit nuk jemi mbyllur, por i pari që e ka këtë detyrim më shumë se kushdo është Lulzim Basha. Ju jeni kryetari i partisë dhe ju u bie detyrimi t’i sqaroni njerëzit i pari, vijmë edhe ne në krahun tuaj. Mbase nuk është e lehtë, do ketë edhe duf, edhe sharje edhe provokime, por duhet t’i përballojmë. Qytetarët duhet t’ju dëgjojnë dhe jam i bindur që komunikimi sjell pozitivitet.
Nuk jam dakord me fortifikime të PD-së, për ta parë atë si kështjellë. PD-ja është një institucion. Atë duhet ta mbrojë ligji pa asnjë kompleks. Nëse duhej demonstruar qëndresë deri tani është demonstruar. Për mua është kriminale të përballen njerëzit tani e tutje. Unë nuk mendoj se jam ndonjë trim i madh, por as për frikacak se njoh veten, por nuk jam stërvitur për karate e boks. Dita e 8 janarit ka qenë tragjike. Në pak minuta, gjithçka mund të eskalonte në ferr.
Ata njerëz që drejtuan turmën kundër nesh nuk na llogaritën në as për deputet, as për koleg, as për miq e as për njerëz. Nuk patën emocione për këtë. Ishin të qartë pa llogaritur që na kanë “shkarkuar” me 11 dhjetor. Na sulmuan me egërsi, me mjete dhune faqe gjithë botës. Ndonjë e dija për mik, dhe unë kurrë nuk do shkoja ta sulmoja dhe t’i vija në rrezik jetën e integritetin personal e publik. Sado i krishterë që ndihem kulturalisht e kam të vështirë bashkëjetoj me persona të tillë. Ndaj mbështes çdo vendim që kjo kryesi merr sonte për të ndëshkuar dhunën e datës 8 dhjetor, duke shpresuar që dikush do distancohet prej saj.
Ervin Salianji: Dhuna është e papranueshme dhe duhet të distancohet çdo përfaqësues i Partisë Demokratike, kriteri për përjashtim duhet te jete ky kufi, ndarja me dhunën dhe mjete para politike! Ky diferencim duhet te jetë edhe për të mos përjashtuar në bllok. Duhet të japim mundësinë e reflektimit dhe distancimit nga dhuna e pjesëmarrësve që mund të jenë aty dhe jam i bindur që janë aty për shkak të zhgënjimit dhe dëshpërimit të mosfitores në 25 prill! Nxitja për dhunë dhe përkrahja e dhunës duhet të jetë kriteri ndarës për përjashtimin ose bashkëjetesën, nëse ka kolegë që pranojnë rriskimin e jetës dhe eliminimin fizik të drejtuesve të degëve, të Këshillit Kombëtar, deputetëve kjo është vijë ndarëse dhe këtu nuk i kemi përjashtuar ne, por ata!
Dalja në terren dhe kontakti me demokratët duhet të ishte i shpeshtë në këto muaj, madje dhe zëvendësimi i kujtdo që nuk ka më peshë elektorale ose është i papranueshëm për demokratët apo qytetarët në zonat që mbulojnë, ne kemi tentuar të imponojmë politikanë të diskredituar që populli i ka refuzuar me votë disa herë! Merita duhet të kthehet në themel të kësaj force….
Lulzim Basha: Ajo që ndodhi më 8 janar me Policinë që u vonua 37 minuta për të ndërhyrë ishte prova më e fortë e bashkëpunimit Rama-Berisha për të marrë godinën me gjakderdhje. Policia është njoftuar edhe nga Garda e Republikës, përfaqësuesit e së cilës ishin në seli dhe nuk erdhi. Gënjeu partnerët tha se nuk ka njoftim nga PD-ja.
Rolant Bejko: Të gjithë dhunuesit e mijë më dukeshin me fytyrën e Berishës dhe në fakt ajo që mora vesh më vonë ishte se të gjithë ishin kushërinjtë të tij. Ne duhet të shkëputemi një herë e mirë nga këta.
Enkelejd Alibeaj: Mos e marrshim kurrë pushtetin, por një gjë do të mbetet një vlerë: që ti ke përjashtuar Sali Berishën dhe këtë nuk do ta harrojnë njerëzit. Ne sot ke përballë PS-LSI dhe Berishën. Ne do ta kemi të vështirë duhet të përjashtohej e të ikë nga politika.
Endri Hasa: Ata erdhën për të na vrarë dhe ne vazhdojmë të diskutojmë për t’u ulur me të njëjtën tryezë dhe për të ndarë vendimmarrje të përbashkëta? Ata nuk mund dhe nuk duhet të jenë këtu. Ata erdhën të organizuar për të dhunuar dhe për të vrarë, në të mendohemi? Nuk behet politikë më dhunën, më 8 janar mjetet politike mbaruan! Në 8 janar ishte vetëm një turmë banditësh që erdhi për të dhunuar. PD-ja është parti perëndimore dhe ne duhet të distancohemi përfundimisht nga të gjithë ata që nuk e përfaqësojnë këtë. E kam thënë që në mbledhjet e shkuara, që gjërat nuk zgjidhen duke i ardhur anash e anash.
Italianet thonë “duhet këputur koka e demit, po nuk ia këputëm kokën demit, do të kemi pasoja të tjera”. Unë s’mund të pajtohem me njerëz që nxitën dhe frymëzuan dhunë në 8 janar! Ata nuk janë kurrsesi demokrat, rruga jonë me ta është ndarë njëherë e përgjithmonë. Nëse kjo është partia e tyre, kjo nuk është partia ime. Kush ka hyrë në oborr në krah të atyre që mbanin hunj dhe leva ka damkën e kriminelit, jo të demokratit. Vendimet sot duhet të jenë shumë të forta. As Edi Rama, s’ka arritur të shkojë deri këtu. Kush erdhi për gjak, nuk mund të ketë vend në këtë parti, sot dhe kurrë./ Mariglen Kume – Panorama
g.kosovari