Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili ishte një nga zërat më kritikë brenda mazhorancës ndaj reformës së re territoriale, votoi pro projektligjit në seancën e sotme plenare.
Pavarësisht votës në Kuvend, Braçe deklaroi pas seancës se vijon të jetë kundër hartës së re administrative dhe se do t’i sqarojë arsyet e vendimit të tij gjatë ditës së premte.
Në një prononcim për mediat teksa largohej nga ambientet e Kuvendit, mes tij dhe gazetarëve u zhvillua kjo bisedë:
“Jam kundër, do e sqaroj nesër”, tha Braçe.
Gazetari: Ç’u bë, zoti Braçe, reformën territoriale…
Erion Braçe: Jam kundër, po prapë reformën…
Gazetari: Pse votuat pro, zoti Braçe?
Erion Braçe: E shpjegoj nesër.
Gazetari: E konsideruat këtë ditën më të vështirë? Pse vendosët në momentin e fundit të votoni pro?
Erion Braçe: …qytetarët…
Gazetari: Pse vendosët që në momentin e fundit të votoni pro, ju…?
Erion Braçe: Jam kundër, edhe një herë. Jam kundër kësaj harte…
Gazetari: Por nuk zgjodhët qytetarin, zgjodhët partinë.
Erion Braçe: Jo, kam zgjedhur ekzaktësisht qytetarin.
Reforma e re territoriale u miratua me 85 vota pro mes tensioneve në sallën e Kuvendit, ku deputetët e opozitës reaguan ashpër. Mes atyre që votuan PRO është edhe Elisa Spiropali, që më parë lëshoi kritika të ashpra ndaj Partisë Socialiste dhe Reformës Territoriale.
Me këtë miratim, harta administrative e vendit riorganizohet në 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 12 qarqet mbeten të paprekura.
Ndryshimet përfshijnë bashkimin e 15 bashkive ekzistuese me njësi të tjera më të mëdha, strukturë mbi të cilën pritet të zhvillohen edhe zgjedhjet vendore të vitit 2027.











