Linjë e re transmetimi dhe impiant i ri për trajtimin e ujit të pijshëm në Bovillë
Qytetarët e Bashkisë së Tiranës do të kenë një furnizim më të mirë me ujë të pijshëm. Në sajë të investimit të Bashkisë së Tiranës dhe të qeverisë shqiptare, është mundësuar ndërtimi i linjës së re të transmetimit, që përmirëson kapacitetin e furnizimit me ujë për qytetin e Tiranës dhe zonave përreth, si dhe janë shtuar kapacitetet e impiantit të filtrimit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se investimet e reja do të transformojnë tërësisht furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet.
“Është një ditë që do të hyjë në historinë e Ujësjellësit të Tiranës, i cili edhe pas 100 vitesh kryeqytet ka të njëjtin tubacion, filtrim dhe rrjet të vjetër. Jemi në prag të hapjes së dy projekteve madhore të qytetit: I pari, tubacioni i ri që dyfishon prurjet në Bovillë, ku filtrohet uji. Kjo nuk ka ndodhur që nga themelimi i ujësjellësit dhe Tirana e viteve të pas-luftës. Pra, më në fund dyfishohet burimi që sjell ujë në Tiranë. Falenderoj shumë Kryeministrin, ministren Balluku, që u bënë partnerët tanë për ta ndarë këtë kosto; pra, ne të bënim impiantin e filtrimit këtu ku jemi, ata të bënin tubacionin që dyfishon ujin në Tiranë”, tha Veliaj.
Pas testimeve, do të fillojë menjëherë puna për rritjen e sasisë së ujit të pijshëm në rrjet dhe shumica dërrmuese e qytetarëve do ta shohë më shpejt mbajtjen e premtimit për 24 orë ujë në ditë.
“E kemi zgjeruar rrjetin me 30%. Sapo të lidhen tubacionet, do të bëjmë një muaj testime, për t’u siguruar që arrin të filtrohet i gjithë uji shtesë që vjen këtu. Ndërkohë plani është për ta shtuar kapacitetin e impiantit edhe 50% të tjera. Pra, siç u dyfishua prurja e ujit, të dyfishohet edhe kapaciteti filtrues. Jemi në rrugë të mbarë! Shumica dërrmuese e qytetarëve do ta ndjejnë premtimin për 24 orë ujë që tani, jo në 2024. Në 2024 premtimi qëndron për shtëpitë e ndërtuara në zonat e largëta informale”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku nënvizoi se akuzat që hidhen në drejtim të punës së UKT-së vijnë prej atyre të cilët e patën pushtetin dhe nuk bënë asnjë investim.
“Atyre që e kishin Ujësjellësin dhe që nuk qullosën gjë, nuk u vjen mirë, sepse e kishin mundësinë t’i bënin këto punë, që nuk ishin prekur me dorë që nga viti ’93. Nuk habitem pse sulmohet mënyra sesi komunikon Ujësjellësi, po sigurisht që për këtë punë do punësojë gazetarë, jo veterinerë. Por, për sa kohë që punojmë, do të goditemi. E vetmja mënyrë që kemi për të mos u goditur, është të mos punojmë. Megjithatë, e kemi marrë përsipër këtë detyrë dhe do të ecim para me projektin tonë të Tiranës. Dy gurët e themelit për ta çuar Tiranën në 24 orë ujë në ditë, janë këto dy projekte: aksi i madh që dyfishon prurjet dhe dyfishimi i impiantit”, u shpreh ai.
Veliaj siguroi qytetarët se ashtu sikurse u bë realitet stadiumi i ri, Pazari i Ri, Sheshi Skënderbej, Bulevardi i Ri, Tirana do të ketë edhe një Teatër të ri, që plotëson të gjitha standardet për shfaqje cilësore. Ai theksoi nevojën për të mbrojtur të gjitha materialet që kanë mbetur në godinën e vjetër të Teatrit, e cila është bllokuar nga disa aktivistë që janë kundër ndërtimit të një godine të re.
“Mund të flasim gjatë verës, vjeshtës, sesi do të jetë Teatri i Ri, por më themelorja sot është se të gjitha mjetet me vlerë, që kanë 3 vjet që kanë mbetur aty prej këtij bllokimi dhe po i ha miu dhe mola, minimalisht duhet t’i dorëzohen drejtuesve të teatrit, që të magazinohen. Ata le të rrinë te kasollja prej kashte, te kolibja e shkrepëseve të fashizmit, por kostumet e Ndrek Lucës nuk kanë pse i mbajnë peng aty, bobinat me zërin e Kadri Roshit nuk kanë pse i mbajnë peng aty. Nuk ka arsye pse mola dhe miu i Tiranës të ushqehet me rrobat dhe me zërin e artistëve. Pra, kush e do trashëgiminë, si minimum të largojë këtë inventar dhe pastaj, kur të jemi gati me projektin, flasim për ndërtesën”, u shpreh Veliaj.
Ai i bëri thirrje Presidentit dhe kujtdo tjetër që të mos pengojë mbrojtjen e këtij inventari dhe pasurie, por t’ia kthejnë ato institucionit të teatrit. “Ne nuk e dimë, por ata mund t’i kenë vjedhur, shitur, bastisur, mund t’i kenë vandalizuar, siç vandalizuan edhe te liqeni dhe çdo projekt tjetër që kanë kundërshtuar, ose në rastin më të mirë, ia kanë lënë molës dhe miut. Nëse Presidenti i Republikës apo kushdo tjetër është realisht i interesuar, të mos i lërë kostumet, zërin, bobinat, rekuizitën, arkivën, të gjitha sendet me vlerë, që t’i hajë miu dhe mola. Minimalisht kthejani institucionit të teatrit”, u shpreh ai.
Veliaj siguroi se bashkë me kryeministrin është i vendosur për të mbajtur premtimin për t’i dhënë qytetit një Teatër të Ri. “I them Presidentit, rri me Kushtetutën, rri me detyrën që ju jep Kushtetuta; nuk je brigadier komunale, nuk ke asnjë arsye të merresh me Astirin. Si Kryeministri, si Kryetari i Bashkisë do ta mbajnë premtimin, s’jemi tërhequr nga asnjë projekt. Ndërsa për bllokuesit e teatrit, sa të ikni me bisht ndër shalë, siç ikët nga Astiri, më mirë bëni këtë që them unë, largoni të gjithë pasurinë e teatrit, e cila sot është viktimë e molës apo miut, apo e vjedhjes dhe tjetërsimit, që të mos përfundoni në burg, dhe pastaj rrimë flasim për ndërtesën, kur të kemi gati projektin”, tha Veliaj.
Më tej, Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka aq lidhje me Teatrin, saç ka lidhje PD-ja me demokracinë. “Asnjë pikë lidhje! Plaku Mere dhe djali gjumash merren me mbajtjen peng, shkojnë nga disfata në disfatë. Por, ky është problemi i tyre, Tirana nuk ka pse shkon nga disfata disfatë. Siç nuk jemi tërhequr nga asnjë projekt, nuk do tërhiqemi as nga ky. Presidenti ka një zgjedhje sot: O do bëhet me Robert Ndrenikën, i cili ka hipur vetë në skenën e teatrit, ose do bëhet me Lul Bashën, i cili kërkon një skenë të radhës, në një teatër të radhës, për të fituar një plaçkë të radhës”, përfundoi Veliaj.