Nga Albert P. Nikolla
Vendimi i fundit i kryetarit të PD-së për ti propozuar strukturave të kësaj partie djegien masive (totalitare) të mandateve, përveçse është një veprim i papërgjegjshëm nga pikëpamja politike, ai mbart në vetvete një kulturë totalitare dhe merr mbi vete edhe kompetencat e institucioneve të tjera të shtetit. Shpërndarja e deputetëve të Kuvendit nuk është prerogativë e kryetarit të opozitës.
Ky akt, pavarësisht faktit nëse do të vijojë të zbatohet, shpreh në vetvete një mungesë të jashtëzakonshme të kuptuarit të politikës dhe të përgjegjësisë që e shoqëron përherë atë. Politika është në thelbin e saj përkujdesje ndaj së mirës së përbashkët e pikërisht në këtë përmasë të saj kërkon etikë politike, dhe kjo e fundit kërkon me doemos përgjegjësi. Nëse i shmangemi kësaj të fundit i kemi rënë mohit bash vetë politikës. Në fakt nuk është hera e parë që kam shkruar mbi këtë argument dhe përgjegjësia është një ndër elementët që ndan politikën moderne nga politika farefisnore ku vendos kryetari i fisit!
Në rastin konkret papërgjegjshmëria politike lidhet drejtpërsëdrejti me votuesit të cilët me votën e tyre kanë deleguar përfaqësuesin në organin ligjvënës. Si mund tu thuhet mijëra votuesve se nuk shkojmë më në Kuvend pasi nuk më pëlqen më qeveria!? Si mund të përligjet kjo tentativë subversive në veprim politik që nuk gjen justifikim asgjëkund në asnjë doracak të politikës së vendeve demokratike!? Si mund të hapet një precedent i tillë duke krijuar bazat për mos qeverisje të vendit pasi në çdo kohë opozita mund të thotë: dua të djeg mandatet!?
Arsyet e kësaj papërgjegjshmërie janë të shumta por po përpiqemi të kuptojmë ato që janë më thelbësore e që shkojnë bash mbrapsht kundër trupit të brishtë të demokracisë shqiptare. Arsyeja e parë ka të bëjë me mungesën e konceptimit të qartë se çfarë është opozita. Opozita është një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm i një demokracie pasi përbën bash ndërgjegjen kritike të pushtetit politik. Një pozitë pa mendimin kritik të opozitës e ka vërtetë të vështirë të vetë korrigjohet nga gabimet e mundshme e të pashmangshme që sjell ushtrimi i pushtetit. Kritika, si detyrë thelbësore e opozitës, nuk bëhet as në rrugë e as duke djegur mandatet. Opozita jonë, mjerisht, e koncepton të qenët në opozitë si mjerim, si fyerje, si nënshtrim ndaj qeverisë. Ky është një ndër gabimet fatale të saj. Opozita ka dinjitetin e saj të pamohueshëm si përfaqësuese e votave të popullit dhe e ka për detyrë të kritikojë por edhe të respektojë qeverinë si vullnet i sovranit dhe votave të shumicës. Kur opozita mungon në përmbushjen e kësaj detyre, nuk ka kuptuar as bazat elementare të politikëbërjes. Pa respekt nuk shkohet asgjëkund, është alfa e një marrëdhënie të shëndetshme politike dhe njerëzore!
Arsyeja e dytë besoj se është më natyrë kulturore dhe lidhet me një mendësi anti europiane të opozitës e sidomos të PD-së. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur kryetari formal i saj ka fyer me fjalorin më të ulët Përfaqësuesen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Federica Mogherini. Po e sjell në vëmendjen e lexuesit pasazhin famëkeq se si një kryetar opozite i një vendi që aspiron Europën mund t’i drejtohet një personaliteti të tillë me këtë gjuhë:
“E gjithë bota e dëgjoi këtë mesazh tani po na thonë bëjeni vetingun se do të hapim negociatat. Kësaj në shqip i themi broçkulla, në anglisht ka një fjalë, bullshit. Broçkullat ti mbajnë për vete” (Gazeta Shqiptare, 4 mars 2017).
Nuk është qëllimi im të ndalem tek fjalët në vetvete sesa tek kultura, mendësia që ato fjalë mbartin. Çdo përfaqësues i lartë i BE-së nuk përfaqëson vetveten por institucionin prej nga vjen. Pra “bullshit” sipas Z. Basha është politika e jashtme evropiane. Ka qenë prej kohësh në strukturat e PD-së një farë bezdie ndaj Europës por që të arrihej deri aty nuk e kisha menduar asnjëherë. E njëjta retorikë ka vazhduar për katër vite me radhë kundër ambasadores së BE-së në Tiranë Znj. Romana Vlahutin duke e akuzuar e shpifur kundër saj në mënyrat më dashakeqe të mundshme e përsëri duke munguar në të kuptuarit e thelbit të përfaqësimit: Vlahutin nuk është ambasadore e vetvetes por e politikës së BE-së në Shqipëri për rrjedhojë refuzimi dhe fyerja e saj është fyerje ndaj BE-së.
Arsyeja e tretë ka të bëjë me vazhdimin e një mendësia totalitare komuniste në sjelljen politike të PD-së. Udhëheqësi de facto i saj e ka dëshmuar këtë mendësi dhe e ka përcjellë edhe te drejtuesit e tjerë të zgjedhur prej tij në strukturat drejtuese të partisë. Një frymë totalitariste ka qenë përherë e pranishme, herë më intensitet të ulët e herë agresive sipas aksioneve politike. Edhe ideja e aksionit të fundit politik për djegien e mandateve mbart natyrë totalitare: të gjitha mandatet e opozitës duhen djegur! Opozita si tokë e djegur! Kjo mendësi më shumë se sa veprim politik kundër qeverisë kthehet në një mungesë frymëmarrje për vetë PD-në pasi partitë politike janë paradhomat e pushtetit të nesërm: ashtu siç është demokracia në parti po ashtu do të shfaqet ajo edhe në qeverisjen e asaj partie. Për këtë arsye është themelor demokratizimi i jetës në parti e kjo është jetike për opozitën e sotme që e shikon shpëtimin tek djegia e mandateve dhe largimi prej përgjegjësisë. Bashkëngjitur kësaj mendësie qëndron edhe mos shkëputja përfundimtare e PD-së prej kulturës së dhunës. Mjafton të shikohen sulmet e orkestruara herë pa here nga deputetët e opozitës. Sulmet që i janë bërë Kryeministrit Rama në Kuvend kanë qenë të pakonceptueshme të ndodhnin ndaj Berishës në kohën kur ishte kryeministër. Ky fakt nxjerr në pah një dallim të qartë mes dy botësh kulturore: njëra e lidhur me dhunën dhe larg Europës dhe tjetra, krejt e kundërta e saj, duke mos iu përgjigjur dhunës me dhunë! Performanca politike e Ramës në debatet e kuvendit ka qenë dhe mbetet vetëm fjala, jo dhuna fizike!
Principet bazike të demokracisë na mësojnë se tendenca e çdo veprimi politik duhet të ketë drejtësia dhe barazia të konceptuara si mundësi të barabarta dhe si premisa për vendimmarrje politike që nuk i shmangen askurrë përgjegjësisë por udhëtojnë bashkë me të me gjithë sakrificat që ajo sjell. Tepër e rehatshme do të ishte që çdo opozitë në një moment të caktuar të qeverisjes të thotë: tani dua të djeg mandatet e lë të përmbyset e ndalet çdo reformë apo mundësi integrimi për Shqipërinë. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se ky veprim politik është i ndërlidhur me një moment themelor në historinë pas komuniste të Shqipërisë: reforma në drejtësi, reforma zgjedhore, hapja e negociatave. Planifikimi i këtij veprimi në këtë moment është qartazi antishqiptar dhe me pasoja të rënda sidomos për vetë opozitën pasi besimi i saj në popull do të tronditet dramatikisht.
Zgjidhja më e drejtë për opozitën dhe Shqipërinë është përmbushja e përgjegjësisë për çdo rol që ka secili që përfshihet në politikë duke lënë mënjanë mësuesit e këqij që vetëm tek djegia e kanë parë përherë shpëtimin. Për këtë mësues të këqij, A. De Tocqueville thoshte:
“Mendoj se arrivistët e demokracisë janë ata që shqetësohen më pak se askush për të ardhmen. Vetëm momenti i përthith dhe i huton. Ata duan suksesin e menjëhershëm më shumë se lavdinë. Ajo që duan me forcë është dominimi i të tjerëve”! (De la démocratie en Amérique)