Vjollca Shkëmbi është nëna e foshnjës dy muajshe që gjeti vdekjen pak ditë më parë.
Mes lotëve tregon se fëmijën e ka sjellë në jetë para kohe dhe ndaj mjekët e Tiranës duhet ta mbanin nën kujdesin e tyre për një kohë më të gjatë, gjë të cilën sipas nënës nuk e kanë bërë.
“Fajet e kishte shteti, spitali i Tiranës që e nxorri para kohe. Ky është shkaku që fëmija im ndërroi jetë para kohe. Unë e kuptova që do bëhej në këtë gjendje, se ai nuk hante dhe nuk pinte. Kërkoj nga policia të marrin masa. Unë dua që të marrë masa shteti për këtë punë”, tregon nëna. Ditë e natë do ta qaj, nuk më bën zemra ta fus në dhe”, tregon nëna mes lotësh.
Në të njëjtën linjë është edhe bashkëshorti i saj Arben Vesholliu i cili thotë se fëmija merrte kujdes të veçantë nga prindërit por kjo nuk mjaftonte për shkak të lindjes së parakohshme dhe kujdesit të munguar mjekësor. Ai ka një kërkesë, të sjellin foshnjën në banesë që mund t’i japë lamtumirën e fundit.
“Na i dhanë në Tiranë, thanë duhet të rrijë 10 ditë në Korçë. Korçë nuk e mbajtën, unë i dhashë të pinte, ai nuk pinte. E çova në Bilisht, nuk ma mbajtën. E çova në Tiranë. Kur u ktheva në Pogradec më thanë “djali mbaroi”. Lindi me probleme”, tregon babai.
Gjyshja nga nëna tregon me detaje për problemet që fëmija kishte. Ajo shton se fëmija po rritej me vështirësi.
“Ishte sëmurë, me infeksion në mushkëri. Kur e mori në fillim ishte mirë, pastaj s’ia pinte qumështin. Vetëm gjumë rrinte fëmija, si u bë nuk e di. Gji nuk kishte, e bëri me operacion, nën peshë. Fëmijën e ka akoma në Tiranë, s’ka kushte të shkojë ta marrë”, tregon gjyshja, Alitrie Shkëmbi.
Pas gjendjes së rënduar shëndetësore, mjekët e Korçës vendosën ta rikthejnë foshnjën per mjekim më të specializuar në pediatrinë e Tiranës ku dhe ka ndërruar jetë.











