Në ditën botërore të refugjatëve, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, vlerësoi rolin e Shqipërisë ndër vite në ndihmën e dhënë për menaxhimin e flukseve, duke marrë shembujt strehimin e hebrenjve, shqiptarëve të Kosovës dhe afganëve pak vite më parë.
Ndërsa, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale thekson se refugjatët dhe kërkuesit e azilit të trajtohen me dinjitet, drejtësi e respekt.
“Punojmë pa ndërprerje për të ndërtuar një sistem azili më të fortë, më transparent dhe më efikas – në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe të së drejtës ndërkombëtare. Bashkëpunimi me UNHCR-në, BE-në, organizatat vendore e ndërkombëtare, si dhe me komunitetet lokale dhe shoqërinë civile, është çelësi për një qasje gjithëpërfshirëse dhe për një integrim të suksesshëm. Solidariteti nuk është vetëm një parim moral, është një angazhim konkret për të mbrojtur dinjitetin njerëzor!”, nënvizoi Hoxha.