Situata është tensionuar në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë në Tiranë, ku një grup protestuesish kanë hedhur gurë në drejtim të institucioneve. Policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e turmës, duke përdorur autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës.
Pas një nisjeje të qetë të tubimit, protestuesit kanë nisur përplasjet me forcat e rendit, ndërsa policia u ka bërë thirrje të distancohen nga aktet e dhunës.
Protesta vijon për të 13-ën ditë në Tiranë. Studentë, të rinj dhe qytetarë janë mbledhur fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.
Protestuesit kanë refuzuar sërish ftesën për dialog të kryeministrit. Gjatë tubimit, sipas gazetares së RTSH-së, Keti Toroveci, protestuesit kanë thyer dhe u kanë vënë flakën karrigeve të vendosura përpara godinës së Kryeministrisë si ftesë për dialog.
Më herët, grupe studentësh u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit, ku ishte vendosur edhe një kordon policie për monitorimin e situatës. Gjatë grumbullimit, protestuesit brohoritën në kor thirrjet “Dorëheqje” dhe “Revolucion”.
Në orët e para të protestës, situata para ministrisë paraqitej e qetë, pa raportime për incidente apo përplasje me forcat e rendit. Megjithatë, për shkak të numrit të pjesëmarrësve, qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor u ndërpre.
Ministria e Arsimit ka qenë një nga pikat kryesore të grumbullimit të studentëve gjatë ditëve të fundit. Në protestat e mëparshme janë regjistruar episode dhune, përfshirë hedhjen e gurëve dhe djegien e zyrave të institucionit.
Edhe protesta e një dite më parë në Tiranë u shoqërua me kaos dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku pati të lënduar nga të dyja palët.
Pavarësisht tensioneve, studentët dhe të rinjtë vijojnë protestën, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke refuzuar dialogun me të.











