Gjykata e Lartë e Kalifornisë ka konfirmuar padinë ndaj Google për diskriminim të Gjuhës Shqipe, ndërsa Google ka kërkuar shtyrjen e afatit deri më 18 Dhjetor
Google i nevojitet më shumë kohë për t’u përgatitur dhe për të ofruar përgjigje në padinë për diskriminim të Gjuhës Shqipe.
Padia është ngriturnga Haki Dervishi, shtetas amerikan me banim në Palm Springs Kaliforni, i dekoruar rishtazi nga Presidenti Biden me Dekoratën dhe Mirënjohjen Jetësore për kontribut të vazhdueshëm për kombin Amerikan, dhe Dr. Neshad Asllani, mjek i njohur kosovar, themelues i “Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut” dhe anëtar bordi në organizatën “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në New York. Padia është për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm të gjuhës shqipe nga Google, gjë e cila ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platformat Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob.
Për padinë e bërë ndaj Google për diskriminim të gjuhës shqipe janë informuar edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës në SHBA.











