Në konferencën e radhës për mediat për të “dokumentuar” manipulimin e zgjedhjeve, Sali Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se ka lejuar plantacionet e drogës në të gjithë vendin.
Sipas Berishës, ndërkohë që ligji i miratuar nga qeveria parashikon vetëm 200 hektarë për mbledhje kanabisi, në vitin elektoral, shifra është shumëfishuar.
“Në farsën elektorale të 11 majit 2025, kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit shqiptar Edi Rama përdori të gjitha mjetet. Ndër të cilat licensat për mbjelljen në kundërshtim me ligjin dhe konventat ndërkombëtare të 29 300 hektarëve drogë. Ligji i miratuar nga qeveria lejon, autorizon mbjelljen e 200 hektarëve në mbarë vendin, por me vitin elektoral, kjo sipërfaqe u shumëfishua dhjetëra herë, qindra herë.
Në vit elektoral, Edi Rama rrethoi Shqipërinë në të 4 anët e saj dhe në thellësi me plantacione droge, vlera e të cilave është kolosale, po të kemi parasysh se 28 mijë hektarë, mund të mbillen dhjetëra milionë rrënjë kanabis, të cilat shkojnë në një vlerë të paktën 10 mld euro. Armand Maho ka përgatitur një investigim të plotë të këtij procesi dhe ne paraqesim sot para shqiptarëve dhe mediave të gjithë dimensionet e tij.”, tha Berisha.
Ndërkohë, sipas Armand Mahos, janë miratuar 10 zona kadastrale në 7 qarqe.
“Qeveria miraton një VKM, ku miraton 10 zona kadastrale në 7 qarqe, ku përfshihen 35 njësi administrative dhe 138 fshatra. Pra, Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan. Vlorë, Gjirokastër 3 zona, dhe në Fier në Hekal. Ne bëmë matje sipas sistemit ASIG që përdoret edhe nga Kadastra për sipërfaqet dhe na dolën këto rezultate. Për Shkodrën janë dhënë 23.96 km katrorë ose 2396 hektarë. Në Kukës, në Valbonë dhe pjesë të Hasit janë dhënë në njërën 49.63 km katrorë. Në Dibër janë dhënë 15.7 km katrorë. Në Elbasan janë dhënë 32.86 km katrorë. Në një nga zonat e Gjirokastrës rezulton nga Libohova deri në Përmet janë dhënë rreth 22 km katrorë.”, tha ai.











