Ofrimi i kredive të buta, ose investimeve jo transparente është kthyer tashmë në një polikë strategjike për qeverinë kineze, duke krijuar atë që ekspert perëndimorë e quajnë “diplomacia e borxheve”.
Megjthatë, raporti i Konferencës së Mynihut për vitin 2019 ka ngritur alarmin se zgjerimi ekonomik i Kinës në Ballkanin Perëndimor paraqet rreziqe të mëdha për vendet e rajonit por edhe për vetë BE-në.
Raporti, i cili ngre alarmin të gjitha rreziqet kryesore të sigurisë në të gjithë globin, përmban një kapitull të veçantë mbi Ballkanin. Sipas ekspertëve, rreziqet kryesore që i kanosen Ballkanit vijnë për shkak të rritjes së ndikimit të fuqive jo-evropiane, veçanërisht Kinës dhe Rusisë, në një kohë kur perspektiva e anëtarësimit në BE është u zbehur.
Raporti konsideron si rrezikun kryesor borxhin e vendeve të Ballkanit ndaj Pekinit zyrtar. Mali i Zi është ai që kryeson me përqindjen më të lartë të borxhit të jashtë ndaj Kinës, i cili përbën plot 39 për qind të borxhit të jashtëm total.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç takohet me Presidentin kinez Xi Jinping në Pekin, Kinë, 18 shtator 2018
Marrja e një kredia prej 809 milionë eurosh për të ndërtuar një autostradë nga Podgorica në Serbi e ka çuar nivelin e borxhit të Malit të Zi në 80 për qind të PBB-së së saj, duke ngritur shqetësimet se Kina është duke “nënshtruar” vendin fqinj. Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave më 8 mars të vitit 2018, borxhi i jashtëm i Shqipërisë ndaj Kinës ishte 42 milion euro, kjo “falë” bonuseve në bujqësi dhe industri.
Së fundmi, Ambasadorja Kineze në Shqipëri i ka bërë thirrje Tiranës zyrtare të bëhet pjesë e projektit gjigand infrastrukturor “Një Rrip një Rrugë”.Duke bërë një bilanc të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Pekinit dhe Tiranës, ambasadorja Yu theksoi se të dyja palët kanë nënshkruar gjithsej 28 dokumente bashkëpunimi që mbulojnë 17 fusha, ndërsa investimet kineze në Shqipëri janë rritur me 40 herë. “Nga 20 milion dollarë amerikanë në vitin 2014, tanimë investimet kineze kanë arritur më shumë se 800 milion dollarë amerikanë, duke e bërë Kinën burimin kryesor të investimeve të huaja në Shqipëri”,deklaroi ajo.
Në intervistën e fundit përpara se të largohej Shqipëria në fund të mandatit të saj në vendit tonë, Jiang Yu deklaroi se Kina mbetet gjithmonë një mike e sinqertë dhe një partnere e besueshme e Shqipërisë. “Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve kinezo-shqiptare është në interes të përbashkëta të të dyja vendeve tona dhe njerëzve”, tha ambasadorja kineze.
Ndërkohë, Maqedonia renditet e dyta për borxhin ndaj Kinës. Një e pesta e borxhit të jashtëm vjen nga kreditë e marre Kina. Ajo pasohet nga Bosnja Hercegovina dhe Serbia, të cilat i detyrohen përkatësisht 14 dhe 12 për qind të totalit të borxhit të tyre të jashtëm Pekinit.
Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se vendet e Ballkanit duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat e investimeve kineze dhe të pranojnë se mungesa e transparencës nuk është bonus, por një frenim i ambicieve të tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Mikal Vit, një hulumtues në Institutin “Europeum” deklaroi para pak kohësh se politikanët në Ballkan kishin “humbur shpresën” në fuqinë e BE-së dhe se thjesht po përqafonin fuqitë që ” që sjellin përfitime”. Sipas tij, Ndryshe nga BE-ja, Kina nuk parashtron kërkesa në aspektin e sundimit të ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut përpara se të investojë.
Edhe raporti i Mynihut ngre alarmin se aktivitetet e Pekinit po ngrenë dyshime brenda Bashkimit Europian se Kina mund të shfrytëzojë përparësinë e saj ekonomike për përfitime politike.
Ai shton se një problem tjetër është se projektet kineze nuk janë domosdoshmërish në përputhje me rregullat e transparencës dhe të qëndrueshmërisë së BE-së. Raporti citon shembuj të tjerë të ndikimit kinez në rajon, siç është promovimi i mbulimit “pozitiv” të Kinës në mediat serbe dhe organizimi i simpoziumeve për “gazetarinë e shëndoshë”.
Ai gjithashtu vë në dukje se ndërkohë që BE-ja mbetet donatori dhe investitori më i madh në rajon me një diferencë të konsiderueshme, ajo është ndërgjegjësuar vetëm së fundmi për rrezikun e rritjes së Kinës dhe Rusisë në rajon.
Përgjatë viteve të fundit, Perëndimi ka qenë vazhdimisht i shqetësuar për ndërhyrjen e Rusisë në Ballkan dhe tentativat për të ndezur konfliktet ndër-etnike në rajonin. Komisionerit Johannes Hahn ka paralajmëruar disa muaj më parë se Kina po josh demokracitë e dobëta të Ballkanit të aplikojnë formën e saj të qeverisjes. Hahn ka deklaruar në një intervistë për “Politico”, se kombinimi i kapitalizmit dhe diktaturës politike, mund të “inspirojë” disa prej udhëheqësve në rajon të ndjekin shembullin e qeverisë kineze.
Ish-ministri austriak ka paralajmëruar unionin europian se afrimi dhe bashkëpunimi me Kinën mund t’i çojë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt kapitalizimit autoritar. Sipas tij, Pekini është tanimë në në rrugën e duhur për t’i kthyer vendet e rajonit në “kuaj troje”, brenda Bashkimit Europian.
Frika më e madhe e ekspertëve duket se nuk është vetëm rritja e ndikimit ekonomik, por edhe atij politik, pasi vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende demokraci të brishta, ta karakterizuara nga problemet endekime të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria, vendi i fundit komunist i kontinentit, mund të jetë pa dyshim më e rrezikuara nga strategjitë e errëta politike të qeverisë kineze, e cila ka shprehur indicie të qarta për t’u afruar me qeverinë shqiptare.
Shqipëria është një pjesë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor për Kinën, kryesisht falë vendndodhjes së saj në bregdetin e Adriatikut, një pozicion kyç në “Rrugën e re të Mëndafshit Detar”, një nismë gjigande infrastrukturore e qeverisë kineze.
Gjatë një takimit me Kryeministrin Edi Rama, në Bullgari verën e kaluar, kryeministri kinez, Li Keqiang u shpreh se Kina është e gatshme të punojë me Shqipërinë për të përshpejtuar zbatimet e strategjive të zhvillimit rural në vendin tonë dhe për t’i çuar marrëdhëniet e ndërsjellta në një nivel të ri. Li përshëndeti zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin praktik mes Kinës dhe Shqipërisë, duke theksuar se të dyja vendet do të festojnë 70 vjetorin e lidhjeve diplomatike vitin e ardhshëm.
Por duket se rritja e populizmit dhe trazirat politika në vendin tonë dhe në rajon, bën që udhëheqësit ballkanikë t’i drejtohen Pekinit për alternativa të ndryshme ekonomike dhe politike. Në një kohë kur Ballkani Perëndimor ballafaqohet me një politikë gjithnjë e më autoritare, investimet e qeverisë kineze dhe mjetet e tjera financiare janë shndërruar shpesh në levat kryesore të liderëve të rajonit për të për të mbetur në pushtet.
Kjo, nga ana tjetër, përkeqëson dhe thellon krizën e qeverisjen ekzistuese, përfshirë edhe atë të vendit tonë. Projektet e infrastrukturës kineze shërbejnë shpesh si kanal për ndikim politik, dhe për të joshur liderët e qeverive të brishta të Ballkanit Perëndimor, me modelin kinez të qeverisjes.(gazeta SI)
/a.meta