Z.DioGuardi, edhe pse shqiptarët ju njohin shumë mirë, le të flasim rreth fillimit të aktiviteteve tuaja në mbështetje të shqiptarëve. Si e filluat karrierën tuaj dhe kur filloi ‘lufta’ juaj në Shtetet e Bashkuara, në mbështetje të shqiptarëve, në përgjithësi, dhe shqiptarëve të Kosovës, në veçanti?
Karriera ime e parë ishte si Kontabilist i Çertifikuar Publik. Ajo filloi kur iu bashkëngjita firmës ndërkombëtare kontabiliste Arthur Anderson & Co. në vitin 1962, pasi mbarova me nderime fakultetin në Universitetin e Fordham në qytetin e New York-ut. Unë punova tek ajo firmë e mrekullueshme për 22 vite, nga ku 12 vite si partner, para se të vendosja të bëja diçka më të rëndësishme me jetën time, të konkurroja për Dhomën e Përfaqësuesve, për të përfaqësuar banorët e Qarkut të Westchester të shtetit të New York-ut. Ishte një vendim i vështirë dhe pas një fushate nxehtësisht të kontestuar, të cilën e fitova si Republikan, në një votim të ngushtë në një Qark Kongresional (zonë zgjedhore) të dominuar nga Demokratë të regjistruar, unë isha i suksesshëm duke u bërë në janar të 1985 kontabilisti i parë dhe shqiptaro-amerikani i parë, që u zgjodh në Kongresin e Amerikës.
Përderisa familja ime, nga ana e babait, kishte trashëgimi arbëreshe në Itali, nuk do të ndodhte deri në shtator të 1985, në një organizim për mbledhjen e fondeve për fushatën time të dytë kongresiste, kur shqiptarët që jetonin në Qarkun e Westchester zbuluan se familja ime flisnin shqip. Ishte ai organizim kur babain tim, dy vite para se ai të vdiste papritmas, e dëgjuan shqiptarët duke folur në gjuhën arbëreshe/shqipe me motrën e tij të vogël, Ida. Për shkak të kësaj, shumë shqiptarë ishin këndshëm të habitur dhe erdhën të më vizitonin në shtëpinë time në Qarkun e Westchesterit si dhe në zyrën time në Washington, që të më tregonin për problemet me të cilat përballeshin familjet e tyre në ish-Jugosllavi, veçanërisht në Kosovë. Unë fillova të mësoj shumë për historinë e shqiptarëve në Evropën Juglindore dhe vendosa, pothuajse menjëherë pasi dëgjova për shtypjen e rëndë të popullit shqiptar nga qeveria e Jugosllavisë, e kontrolluar nga sllavët racistë, që ta bëj çështjen e të drejtave njerëzore dhe vetëvendosjes së shqiptarëve, një prej interesave të mia kongresiste më të rëndësishme, edhe pse unë nuk isha në Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. (Udhëheqësit Republikanë kishin vendosur që përvoja ime unike si kontabilist përshtatej më mirë për angazhimet në komitetin për Banka & Financa dhe atij të Funksionimit të Qeverisë).
Ish-Presidenti serb Milosheviç, ka thënë në televizion ndërkombëtar se ju jeni shkaktari i të gjitha problemeve mes Serbisë dhe Amerikës. Në çfarë mënyre janë munduar serbët të ndalin aktivitetet tuaja në Amerikë?
Në vitin 1987, vetëm disa vite pas zgjedhjes sime në Kongresin amerikan, Slobodan Miloshevic erdhi në pushtet si Kryetar i Republikës Serbe dhe Partisë Komuniste Jugosllave. Ishte në këtë kohë që aktivitetet armiqësore kundër popullit shqiptar eskaluan shumë, dhe unë u bëra shumë aktiv duke u munduar të organizoj një seancë dëgjimi në Kongres për të sensibilizuar Kongresin dhe popullin amerikan rreth asaj se çfarë po ndodhte me të vërtet ndaj popullit shqiptar në ish-Jugosllavi. Për shkak të miqësisë sime të mëparshme me Dante Fascellin, Kryetarin italiano-amerikan të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, unë ia arrita që të organizoj seancën e parë dëgjimore në Kongresin amerikan rreth shtypjes së 3.5 milion shqiptarëve në ish-Jugosllavi, veçanërisht të 2 milion shqiptarëve në Kosovë. Ishte në këtë kohë që zyrtarët nga Republika Serbe dhe nga qeveria Jugosllave filluan të ndërhyjnë në aktivitetet në Kongres, që unë po inicioja kundër trajtimit të tyre çnjerëzor ndaj popullit shqiptar të Jugosllavisë së atëhershme.
Unë ia dola që të mposht propagandën serbe që zhvillohej kundër meje dhe popullit shqiptar, sepse unë punova me kongresistë të rëndësishëm amerikanë, të cilët ishin Anëtarë të Partisë Republikane dhe asaj Demokrate, veçanërisht në fillim me Kongresistin Tom Lantos (Demokrat) i cili ishte Kryetar i Grupit për të Drejtat Njerëzore në Kongres dhe më pas me Bob Dole (Republikan), i cili ishte Udhëheqës i Pakicës (Opozitës) në Senatin Amerikan. Me ndihmën e këtyre udhëheqësve të të dy partive, që ishin udhëheqës të lartë e të respektuar, unë ia arrita që ta sfidoj Departamentin e Shtetit, që ishte duke punuar me Ambasadorin Jugosllav për ta ndaluar seancën dëgjimore në Kongres. Duhet nënvizuar se Departamenti i Shtetit në atë kohë kishte një histori të marrëdhënieve të mira me Jugosllavinë dhe hezitonte t’i vinte këto marrëdhënie në rrezik me seanca dëgjimore dhe deklarata të cilat po publikonin shkeljet skandaloze të të drejtave njerëzore të popullit shqiptar në Jugosllavi, edhe pse këto shkelje veçse ishin demaskuar për publikun në raportet vjetore mbi vendin, që Departamenti i Shtetit kishte lëshuar.
Ju jeni sponsorizues i shumë Rezolutave si dhe veprimeve të tjera mbi Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan. Në çfarë mase këto veprime kanë ndikuar mbi politikat e jashtme të Amerikës ndaj Kosovës? Pse ishte e rëndësishme që të kishte Rezoluta, deklarata, dhe seanca dëgjimore në Kongresin amerikan?
Pas suksesit, kundër të gjitha shanseve, që pata në organizimin e seancës së parë dëgjimore në tetor të 1987, unë ia dola që të krijoj më shumë mbështetje për popullin shqiptar duke përdorur Rezoluta të Kongresit dhe deklarata në Dhomën e Përfaqësuesve. Këto Rezoluta dhe deklarata ishin të nevojshme për njoftimin e shumë kongresistëve të tjerë dhe stafit të tyre me veprimet barbare të regjimit serbo-komunist kundër grupit të tretë më të madh etnik në ish-Jugosllavi. Në deklarimet e mia zyrtare unë i paralajmërova se mosveprimi nga ana e Kongresit do të çonte në destabilizimin serioz të Jugosllavisë dhe më pastaj të Ballkanit. Në mars të 1989, frika ime më e madhe u konfirmua kur Slobodan Miloshevici e okupoi brutalisht Kosovën me ushtri dhe i hoqi të gjithë të drejtat e Krahinës Autonome Jugosllave të Kosovës. Pasi isha larguar nga Dhoma e Përfaqësuesve në janar të 1989, në këtë kohë unë themelova Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA) për të vazhduar agjendën time kongresiste si zëri i pavarur për popullin shqiptar 7 milionësh në shtetet e kontrolluara nga komunistët e Jugosllavisë e Shqipërisë. Meqë Miloshevici e kishte okupuar Kosovën në mars të vitit 1989 e Shqipëria ishte vend i mbyllur sikurse Korea e Veriut është sot, unë i fokusova aktivitet e para të LQSHA-së mbi të drejtat njerëzore dhe vetëvendosjen e popullit shqiptar në Jugosllavi.
Një prej veprimeve më të rëndësishme, si Kryetar i LQSHA-së, ishte udhëtimi im për në Beograd në nëntor të 1989 për ta sfiduar okupimin brutal ushtarak të Kosovës nga Slobodan Miloshevici. Më pas, unë shkova për ta vizituar Ambasadorin Amerikan në Serbi, Warren Zimmerman, për t’ia dhënë atij një letër të nënshkruar nga Tom Lantos dhe Bob Dole, e cila thoshte se ata donin që unë të shkoja në Kosovë në një mision fakt-mbledhës. Ambasadori Zimmerman nuk ishte i lumtur për këtë, mirëpo ai nuk mund të më ndalte për të udhëtuar për në Kosovë. Pastaj unë shkova papritmas në Qendrën Ndërkombëtare të Shtypit për t’i informuar mediat në Jugosllavi, të cilat ishin të privuara nga shumica e informacionit në lidhje me atë që unë isha duke bërë në Washington, DC. Kjo ishte shumë e vështirë për ta bërë dhe pas shumë pengesave dhe kërcënimeve me dëbim nga zyrtarët Jugosllavë tek Qendra Ndërkombëtare e Shtypit, unë vendosa që ta lë Serbinë dhe të shkoj në Kosovë, në mënyre që të fotografoja okupimin brutal ushtarak në Kosovë dhe të sillja ato fotografi tek Kongresisti Lantos, i cili ishte Amerikan hebre, që kishte shpëtuar nga Holokausti Nazist në Luftën e Dytë Botërore dhe që për shkak të këtij përjetimi do ta kuptonte personalisht e do të ndjente dhembje të thellë për shtypjen e rëndë të popullit shqiptar. Rezoluta e parë në Kongres për pavarësinë e Kosovës, H. Con. Res. 264, u propozua në Dhomën e Përfaqësuesve në janar 1992 nga Tom Lantos, përmes përpjekjeve të LQSHA-së, rezolutë e cila kishte parimin bazë se pavarësia ishte e nevojshme për të mbajtur paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Meqë Miloshevici kishte filluar Luftërat Ballkanike në Slloveni në 1990 (kur Sllovenia vendosi të mbante konventën e partisë së parë demokratike, në të cilën mora pjesë së bashku me Dr. Ibrahim Rugovën në janar 1990), dhe pastaj në Kroaci në vitin 1991, pasuar nga Bosnja në vitin 1993, tashmë ishte vonë për ta mbrojtur paqen dhe stabilitetin e Jugosllavisë. Kështu unë duhej të fokusoja përpjekjet lobuese të LQSHA-së për të siguruar se krahinës së Kosovës, së cilës nuk i ishte dhënë statusi i Republikës në Shtetin konfederal të Jugosllavisë për shkak të shovinizmit serb, do t’i jepej pavarësia si një shtet më vete në rast se Jugosllavia ndahej. Pasi e pamë kërdinë në Bosnje nga 1993-1995, veçanërisht masakrën në Srebrenicë, ishte e qartë për mua dhe Bordin e Ligës Qytetare se populli shqiptar i Kosovës do të ishte në rrezik të madh, ashtu siç ishin populli i Bosnjës (veçanërisht pasiqë ne kishim parë vrasjen e 200,000 civilëve të pafajshëm nga forcat ushtarake e paralimtare serbe, të përbëra nga kriminelë të rrezikshëm që ishin liruar nga burgu për të brutalizuar dhe terrorizuar popullin).
Me ndihmën e Shirley Cloyes, e cila iu bashkua LQSHA-së në vitin 1994 si publiciste, gazetare e studiuese e pavarur e marrëdhënieve ndërkombëtare, ne përshkallëzuam dhe përshpejtuam punën tonë për Kosovën në Washington. (Shirley dhe unë u martuam në vitin 1998).
Ne udhëtuam në Turqi dhe shumë vende të tjera në Evropë ku organizuam mbledhje e konferenca shtypi për të zgjuar popullin, shtypin dhe mediat e Evropës, ndaj asaj që ne shihnim se po vinte – një masakrim i popullit shqiptar në Kosovë. Kjo veprimtari ishte shumë e rëndësishme, meqenëse do ta përgatiste terrenin për bombardimin e Serbisë nga SHBA/NATO për të mbrojtur popullin shqiptar të Kosovës. (Shikoni në YouTube videon ku Milloshevici në gjykimin e tij në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi është duke më fajësuar mua dhe LQSHA-në për demonizimin e tij dhe të popullit serb në sytë e publikut amerikan). Për të parë rezolutat, deklaratat dhe seancat e shumta dëgjimore që ne kemi mbajtur në Kongres, para dhe pas bombardimit të NATO-s, secili mund të vizitojë rrjedhën kohore në websitin e LQSHA-së (www.aacl.com), i cili përmban vegza të videove, fotografive, dhe materialeve të shkruara duke evidencuar kështu punën e gjerë të LQSHA-së për të shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës.
A mund ta përshkruani Kosovën atëherë dhe se si e shihni sot atë?
Për herë të parë kam shkuar në Kosovë në nëntor 1989 për të sjellë evidencë tek Kongresi dhe Departamenti i Shtetit, të shtypjes së rëndë të shqiptarëve dhe Shirley e unë kemi bërë udhëtime të shumta për në Kosovë nga viti 1996 deri më 2006. E konsideroj veten me shumë fat që i zura autoritetet serbe të papërgatitura dhe që u ktheva i paprekur në Amerikë mu para Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1989, gjë që më mundësoi të flas kundër Miloshevicit në festime të ndryshme për nder të “Ditës së Flamurit” në rrethinën metropolitane të New York-ut. Megjithatë, pavarësisht nga rreziku, kur Enver Hadri, një aktivist shqiptar në Belgjikë, u vra nga policia sekrete serbe “UDBA” në shkurt të 1990, unë vendosa të udhëtoj për në Belgjikë për të marr pjesë në varrimin e tij, (Për shkak të kërcënimeve anonime për të më frikësuar mua, meqë kisha bërë përpjekje për të publikuar punën që kishte bërë Enver Hadri, që të nxjerr në shesh rolin e policisë sekrete serbe (UDBA) në vrasjen e 34 shqiptarëve gjatë okupimit që filloi në mars të 1989, unë duhej të vishja jelek anti-plumb në mënyrë që të shkoja në varrimin e tij bashkë me gruan dhe djalin e tij, për të bërë protesta para Misionit Jugosllav atje, dhe për të shkuar në Gjenevë që të dorëzoja tek Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut listën e 34 shqiptarëve të vrarë, gjë të cilën Enver Hadri u mundua ta bënte para se të vdiste).
Në vitin 1989 Kosova ishte vend shumë i rrezikshëm për njerëzit të shpreheshin të lirë, dhe shihej qartë se ajo ishte një nga vendet më të pazhvilluara prej të gjitha gjashtë republikave dhe dy krahinave autonome në ish-Jugosllavi. Për shkak të punës së LQSHA-së me Kongresin amerikan, Presidenti George W. Bush e shpalli Kosovën shtet të pavarur me 17 shkurt 2008 dhe që atëherë mbi 100 vende të botës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Serbia vazhdon të luajë një rol shqetësues duke u përpjekur të minojë stabilitetin politik dhe ekonomik të Kosovës, i cili ende është shumë i brishtë si shtet në zhvillim e sipër në Evropën Juglindore. Papunësia e madhe, sidomos mes të rinjve në Kosovë, vazhdon të jetë shumë shqetësuese dhe problem i madh i pazgjidhur. Problemi kryesor me të cilin Kosova përballet sot është paqëndrueshmëria e brendshme politike që ka lejuar korrupsionin të lulëzojë në të gjitha nivelet e qeverisë. Gjithashtu, shqetësim i madh është se Serbia dhe katër vende të mëdha Evropiane ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke krijuar një masë pasigurie, e cila e parandalon Kosovën që të arrijë potencialin e plotë të saj si shtet i pavarur e sovran. Kjo pasiguri po bllokon investimet e jashtme, duke çuar edhe në më shumë korrupsion politik i cili po e ngulfat potencialin për demokraci të vërtetë dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.
Si ndodhi që lobi hebre u rreshtua në anën e lobit shqiptar në emër të Shqipërisë dhe Kosovës?
Për shkak të fotografive shumë shqetësuese që i kisha sjellë nga Kosova Kongresistit Tom Lantos në vitin 1989, ai vendosi se kishte ardhur koha që të shihte për vete se çka po ndodhte aje dhe të dërgonte një sinjal të fuqishëm diktatorit komunist serb, Slobodand Miloshevic, se Shtetet e Bashkuara po i vështronin veprimet e tij kundër popullit shqiptar të Kosovës. Dhe meqë diktatori komunist i shtetit fqinj, Shqipërisë, Presidenti Ramiz Alia, më kishte ftuar për vizitë në kryeqytetin, Tiranë, kur ai dëgjoi se po shkoja në Kosovë, Kongresistin Lantos u bë kureshtar dhe më nxiti që ta pranoja ftesën vetëm nëse edhe atij i lejohej të vinte. Qeveria e Shqipërisë me hezitim u pajtua, dhe neve na u lejua që të hynim në Shqipëri nëpërmes një dere të vjetër e të braktisur afër Prizrenit, pasi ne iu ishim drejtuar turmave të mëdha të shqiptarëve në Prishtinë dhe Gjakovë.
Ishte në këtë udhëtim që udhëheqësi komunist vendosi që t’i lajkatohej Lantosit si Kongresist hebre amerikan, duke i dhënë atij një dosje të trashë nga arkivat shqiptare komuniste e cila përmbante letra, copa të prera të gazetave dhe fotografi të hebrenjve të cilët shqiptarët i kishin shpëtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këto letra kurrë nuk iu kishin dorëzuar atyre shpëtimtarëve shqiptarë si dhe historitë në këto letra ishin varrosur në raftet e arkivave komuniste nga 1945 deri në maj të 1990. Dosjen që ma dha Kongresisti Tom Lantos unë e dorëzova tek Yad Vashem në Izrael. Që nga ajo kohë, 69 persona janë deklaruar “Të drejtë mes kombeve” dhe u janë dhënë nderimet më të larta që shteti i Izraelit i jep atyre të cilët shpëtuan popullin hebre nga Holokausti Nazist.
Duke e kuptuar fuqinë e lobit hebre në Amerikë dhe pasiqë isha bërë mik me shumë kongresistë hebre në Dhomën e Përfaqësuesve, unë isha në gjendje të publikoja tregimin e shpëtimit unik të hebrenjve në Shqipëri, shumë prej të cilëve kishin ardhur nga Evropa Perëndimore nëpërmjet krahinës Jugosllave të Kosovë, në Shqipëri. Kur Shirley Cloyes iu bashkua LQSHA-së në 1994, kjo u bë një prej fushave të saj të interesimit dhe ajo filloi të shkruante artikuj dhe të mbante fjalime me mua në shumë sinagoga nëpër Amerikë dhe në ngjarje hebreje në Washington, DC. Kjo ende është punë e sipër pasiqë shumë amerikanë dhe evropianë po e zbulojnë kurajën e popullit shqiptar të Kosovës dhe Shqipërisë në shpëtimin e mbi 3,000 hebrenjve duke përfshirë 200 familje hebreje që kishin jetuar në Shqipëri për shekuj të tërë, shumë prej të cilave kishin ikur nga Kryqëzata Spanjolle në shekullin e 15-të. Për më shumë informacione mbi Rolin Shpëtues të Shqiptarëve Gjatë Holokaustit Nazist, ju lutem lexoni artikullin e Shirley Cloyes DioGuardi “Mbijetesa Hebreje në Shqipëri dhe Etika e Besës” dhe shikoni fjalimin e saj tek Dita e Përkujtimit të Holokaustit te Kombet e Bashkuara më 27 Janar 2014. Për shkak të këtyre aktiviteteve, lobi hebre është bërë mbështetës i madh i popullit shqiptar të Kosovës dhe Shqipërisë. -“dritare.net”.