Koha e mirë dhe pa reshje është një event i mirëpritur për qytetarët por një lajm jo i mirë për rezervat ujore të Fierzës, të cilat për shkak të dimrit të thatë kanë rënë në 174 metër kub për sekondë, duke shënuar kështu nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit.
Kjo ka sjellë edhe uljen e prodhimit të energjisë nga hidrocentrali më i madh në vend, ndërsa niveli i Fierzës është në kuotën 276,4 m.
Gjatë muajit dhjetor, në verilindje nuk ka rënë shi dhe dëbore, duke shënuar muajin më të thatë për periudhën e dimrit. Edhe ato pak reshje dëbore që ranë në fillim të dhjetorit, tashmë kanë shkrirë, ndërsa temperaturat vijojnë të ruajnë vlerat e tyre pozitive.
KESH po importon energji jashtë parashikimeve, për shkak se është e detyruar të kufizojë prodhimin, për të mbajtur rezervën hidrike në liqenin e Fierzës dhe kaskadën e Drinit.