Përfshirja e diasporës në të ardhmen e përbashkët nuk është çështje ndjeshmërie kulturore, por pjesë e arkitekturës sonë kombëtare në kuptimin më të gjerë. Ajo mund dhe duhet të jetë një urë e vazhdueshme ndërmjet vendlindjes dhe botës, ndërmjet së kaluarës së pashlyer dhe një të ardhmeje të projektuar me maturi.
Nga Prof.dr Skender ASANI
Sot jemi mbledhur në këtë konferencë për të ndriçuar një dimension të shpeshanashkaluar të historisë sonë – atë të atij faktori që, ndonëse i pranishëm përtej kufijve gjeografikë, ka qenë vazhdimisht pjesë përbërëse e zhvillimeve të brendshme kombëtare. Ky faktor nuk është tjetër veçse komuniteti shqiptar jashtë atdheut – një komunitet që nuk e përjetoi largësinë si ndarje, por si angazhim; që nuk e kuptoi mërgimin si mospjesëmarrje, por si thirrje për ndërveprim.
Në harkun kohor 1912–2008, historia shqiptare është shoqëruar me tensione të pandërprera ndërmjet aspiratave të natyrshme dhe rrethanave të imponuara. Brenda këtij konteksti, komunitetet shqiptare në mërgim – të krijuara si pasojë e migrimeve të detyruara, zhvillimeve ekonomike, apo valëve të trysnisë politike – kanë mbajtur të gjallë një vetëdije që nuk u varros as nga distanca dhe as nga koha. Në vend që të shuheshin në kujtesën e qytetarisë globale, ato ndërtuan ura komunikimi që tejkalonin kufijtë administrativë dhe barrierat ideologjike.
Që nga përpjekjet e para në fillimshekullin XX për të afirmuar një prani shqiptare në qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare, e deri te angazhimet e organizuara në dekadat e vona të shekullit të kaluar, diaspora nuk ka vepruar thjesht si faktor mbështetës, por si pjesë e mekanizmave që ndikonin rrjedhat e brendshme.
Në periudhat kur rrëfimi i brendshëm rrezikonte të fshihej nga rrjeti i interesave gjeopolitike, diaspora shqiptare shërbeu si bartëse e rrëfimit alternativ. Duke përdorur mjetet e shtypit, platformave kulturore dhe kanaleve diplomatike, ajo krijoi një pasqyrë të realitetit të heshtur në hapësirat shqiptare – një realitet që shpesh nuk përkonte me përfaqësimin zyrtar.
Kjo energji, e kanalizuar përmes organizimeve shoqërore dhe politike në qendrat perëndimore, nuk përbënte vetëm një reagim emocional, por ishte ndërtuar mbi një vetëdije strategjike për nevojën e ndërkombëtarizimit të çështjeve që përndryshe mbeteshin të mbyllura në një rreth të ngushtë rajonal.
Në këtë kuptim, diaspora veproi si reflektim i një kujtese kolektive, por edhe si instrument për të përkthyer këtë kujtesë në gjuhën e diplomacisë dhe të interesit ndërkombëtar.
Nga fundi i shekullit XX, sidomos në dekadën e fundit para shpalljes së pavarësisë, veprimtaria e mërgatës shqiptare mori një trajtë gjithnjë e më të organizuar. Pavarësisht mungesës së një statusi zyrtar, ajo e krijoi një formë përfaqësimi të pashpallur, duke vepruar në hapësira që u qëlluan të mbeteshin bosh nga strukturat e ligjshme.
Mobilizimi i diasporës në atë periudhë nuk ishte vetëm reagim ndaj rrethanave, por pjesë e një filozofie që e konsideronte lirinë si projekt afatgjatë, të përbashkët dhe jo të përkufizuar nga një lokalizim gjeografik. Rrjedhimisht, çdo qytet ku u ngrit një zë për të drejtat e të pambrojturve në trojet shqiptare, u bë vazhdimësi e rezistencës që zhvillohej në mënyrë më të drejtpërdrejtë brenda vendit.
Në kohën kur konturet e shtetformimit filluan të bëhen më të dukshme, diaspora shqiptare në botë u shndërrua në një ndërmjetëse mes brendisë dhe jashtësisë. Ajo nuk e kërkoi vetëm përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, por më shumë se kaq – ndikoi që ky faktor të kuptonte natyrën e çështjes shqiptare si një kërkesë për përfshirje në arkitekturën e vlerave perëndimore, jo thjesht si problem rajonal.
Kjo arritje nuk ishte rastësi. Ajo ishte rezultat i një pune të gjatë, të heshtur, të organizuar dhe të përkushtuar, nëpër ambasada joformale, në zyre avokatësh, në universitete dhe salla konferencash. Në këtë mënyrë, zëri që doli nga zemra e diasporës shqiptare nuk u dëgjua vetëm si klithmë emocionale, por si arsyetim politik, i ndërtuar mbi parime të drejtësisë ndërkombëtare.
Nuk mund të anashkalohet një e vërtetë thelbësore: diaspora shqiptare nuk dha vetëm zë, por edhe kapital – kapital financiar, moral, kulturor dhe diplomatik – në funksion të çështjes së Kosovës. Ajo nuk ishte vetëm përkrahëse, por bashkëfinancuese e lirisë. Ndihmat ekonomike, organizimi i lobimeve ndërkombëtare, strukturimi i ndihmës humanitare dhe financimi i aktiviteteve politike e kombëtare në dekada të ndryshme, ishin pjesë e një investimi që nuk kërkoi kthim, por drejtësi. Tashmë është koha që ky kapital të transformohet në shtetformim.
Politikëbërja, që doli nga ky investim, ka për obligim të ndërtojë institucione që nuk harrojnë burimin e energjisë së tyre. Ndërsa diaspora ndihmoi në krijimin e shtetit, shteti ka për detyrë të rikthejë këtë borxh historik në formën më të dinjitetshme: me investim për institucionalizimin dhe përkujdesjen e qëndrueshme ndaj diasporës. Jo si dekor simbolik, por si pjesë aktive e strategjisë kombëtare për zhvillim, integrim dhe bashkëvendimmarrje në të gjitha nivelet e mundshme.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ndërsa sot analizojmë me sy shkencor rrugëtimin e gjatë të diasporës shqiptare në raport me zhvillimet në Kosovë e më gjerë, ne nuk jemi thjesht përballë një kapitulli të mbyllur. Përkundrazi, jemi në prag të një kapitulli të ri që kërkon të ndërtohet mbi trashëgiminë e këtij kontributi.
Përfshirja e diasporës në të ardhmen e përbashkët nuk është çështje ndjeshmërie kulturore, por pjesë e arkitekturës sonë kombëtare në kuptimin më të gjerë. Ajo mund dhe duhet të jetë një urë e vazhdueshme ndërmjet vendlindjes dhe botës, ndërmjet së kaluarës së pashlyer dhe një të ardhmeje të projektuar me maturi.
Konferenca jonë sot nuk është vetëm një reflektim retrospektiv, por një ftesë për bashkërendim. Sepse në fund të fundit, kombi nuk matet me metra katrorë toke, por me thellësinë e lidhjes që mbijeton edhe kur gjithçka tjetër tenton të harrohet.
Le ta bëjmë këtë takim një nisje të re për të trajtuar diasporën jo si një trup të jashtëm, por si një pjesë të pandashme të vetes sonë.
(Fjalë përshëndetëse mbajtur në Institutin e historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në kuadër të Konferencës shkencore “Diaspora shqiptare dhe çështja e Kosovës (1912–2008)”)