Partia Socialiste synon të organizojë dhe strukturojë diasporën shqiptare pas pjesëmarrjes së parë të saj në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Sipas një projekt-vendimi të socialistëve, do të krijohet një regjistër të anëtarësisë dhe të përkrahësve nga diaspora shqiptare, duke nisur me vendet kryesore ku jetojnë gati 90% e shqiptarëve.
Bëhet fjalë për në Itali, Greqi, Gjermani, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në këtë mënyrë, duket se PS kërkon të ruajë kontaktet me votuesit jashtë vendit dhe t’i kthejë ata në anëtarë ose përkrahës aktivë.
Synohet ndërtimi i strukturave organizative të PS në diasporë, të ngjashme me ato në Shqipëri, si koordinatorë, asamble, këshilla koordinues.
Procesi do të zhvillohet në dy faza:
Regjistrimi i anëtarëve dhe krijimi i databazës (30 mars – 30 shtator 2026)
Ngritja e strukturave dhe zgjedhja e drejtuesve (1 tetor 2026 – 1 mars 2027)
Sipas përcaktimeve në Statutin e PS, strukturat e Partisë Socialiste në diasporë do të kenë edhe përfaqësuesit e tyre në Asamblenë Kombëtare të PS.












