Katër persona janë shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë janë proceduar penalisht për dy ngjarje të dhunshme, të ndodhura në Fier dhe Ksamil.
Policia në Fier sqaron se 4 personat në kërkim kanë dhunuar një efektiv policie.
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier shpallën në kërkim shtetasit A. M., 36 vjeç, E. N., 37 vjeç, E. R., 31 vjeç dhe M. P., 31 vjeç, të katërt banues në Fier, pasi dyshohet se kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, një punonjës të IEVP Fier”, informon policia.
Ndërkohë në Ksamil 5 të proceduarit janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit A. M., 37 vjeç, E. M., 32 vjeç, M. O., 24 vjeç, A. M., 21 vjeç, dhe K. M., 43 vjeç, pasi më datë 09.03.2025, në lagjen nr. 2, Ksamil, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin”, sqaron policia.