Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Ballsh, ku Armand Aliaj, ish-drejtuesi i repartit zjarrfikës në Mallakastër, është dhunuar me sende të forta në lokalin e tij.
Sipas informacioneve paraprake, ndaj Aliajt kanë ushtruar dhunë fizike dy persona, të cilët ende nuk janë identifikuar. Si pasojë, ai ka pësuar dëmtime në pjesën e ballit.
Burime nga spitali bëjnë me dije se Aliaj ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ka pasur nevojë për qepje të plagës. Më pas, ai është transportuar drejt Spitalit të Fierit për ekzaminime të mëtejshme. Gjendja e tij shëndetësore raportohet e qëndrueshme.
Për ngjarjen është njoftuar Komisariati i Policisë Mallakastër, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Deri në publikimin e këtij lajmi, policia nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për ngjarjen. Ende nuk dihen motivet e dhunës dhe rrethanat e sulmit.

