Teksa kryeministri Edi Rama po flet nga foltorja e parlamentit për Unazën e Re, banorët e Astirit janë mbledhur para Kuvendit dhe po përplasen me policinë. Ata tentuan të futen me forcë në Kuvend, ndërsa hodhen shashka dhe tymuese.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se shumica është e dënuar që ta udhëheqë vendin pa opozitë, ndërsa e cilësoi mbështetjen e protestës së banorëve të Unazës së Re nga PD dhe LSI si të turpshme, shkruan javanews
Edi Rama shpjegoi në Kuvend se pse nuk mund të ketë dëmshpërblim për ata që i quajti “zaptues profesionistë”.
“Në thelb, buxheti i shtetit, janë 30 milionë dollarë për rritjen e pagave të mësuesve, ushtarakëve, policëve, mjekëve, infermierëve etj. Ndërsa abuzuesit e Tiranës së Re kërkojnë 30 milionë dollarë për diçka që nuk është e tyrja”, tha Rama.
“Jemi të dënuar ta udhëheqim vendin pa opozitë, ndërsa opozita udhëheq protestën me të turpshme, në mbrojtje të ndërtimeve të paligjshme kundër interesit publik. Ahmetaj do të bëjë një paraqitje shteruese të buxhetit. Do të sqaroj edhe psenë e protestës së lartpërmendur. Që nuk ka bërë kurrë vaki. Pse zaptuesit e pronave ti marrin lekët e bebeve. Kadri Vasili, meqë nuk e kemi këtu, do të thoshte, nga lekët e vetë Unazës së Re, merrini dhe jepuani zaptuesve. Kjo qasje është e përhapur nga opozita është një kadriotizëm me Yllin në ballë dhe Andin në shalë. Abuzuesit e unazës së re kërkojnë mbi 30 mln dollarë për të liruar pronën që nuk është e tyrja. Zaptuesit profesionistë nuk do të paguhen, e kanë kthyer në biznes ndërtimtarinë pa leje, por kujt tia marrim rrogën që tia japin Gjovalinin nga Laci, i cili është në proces dhe do dëmshpërblim 100% edhe pse ka dy godina të tjera pa leje në njësinë 7. Janë legalizuar të dyja, ka një tjetër pa leje në Kashar i është legalizuar, edhe një në Lac nga ku e ka nisur zaptimin. Apo Ramazani..”
Ai tha se nuk ka bërë kurrë vaki një protestë e tillë që kur nisi epoka e prishjeve masive në parkun Rinia në Tiranë.
“Buxheti i ri, 440 dollarë për beben e parë, 800 për beben e dytë, 1200 për të tretin e më tej. 1600 për binjakët dhe 2400 dollarë për trenjakë. Totali miliona e miliona dollarë që për herë të parë vihen në dispozicion të nënës e familjes. Një politikë e re sociale, shumë vite pas bonusit të bebes, vetëm 5 mijë lekë të reja që u vendos nga bashkia e Tiranës që kur s’mbahet mend dhe mbeti si detyrim por rëndom i paplotësuar. Në 2014 shlyem 5 mln dollarë borxhe të pashlyera nga qeverisja e mëparshme. Kjo është një politikë e re që merr jetë falë mundësive të reja që janë krijuar nga reformat e dhimbshme dhe rritjes së kontributeve. A ke njeri normal dhe me një minimum morali qytetar që të thotë se këto dhjetëra miliona dollarë s’duhet t’i marrim 30 mijë familje për bebet por duhet ti marrin zaptuesit e tokave”, u shpreh Rama.
Javanews