Në mbledhjen e datës 18 janar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shqyrtoi raportin mbi situatën e çështjeve gjyqë- sore të dhunës në familje në 28 gjykatat e shkallës së parë, ku u konstatua një rritje shqetësuese e çështjeve të tilla.
Në 16 muaj, rezultoi se në gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Dytë në Shqipëri, janë regjistruar 6307 çështje të dhunës në familje. Gazeta “Panorama” ka siguruar procesverbalin e mbledhjes ku janë prezantuar të dhënat e inspektimit të kryer në gjykatat e vendit për gjykimin e dhunës në familje. Një inspektim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi proceset gjyqë- sore, me objekt dhunën në familje, në gjykatat e vendit janë raportuar të dhëna shqetësuese. Sipas raportit të paraqitur në mbledhjen 18 janarit 2018 të këtij këshilli, rastet e dhunës në familje të marra në shqyrtim nga gjykatat, gati janë trefishuar, krahasuar me vitin 2014.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e datës 15 shtator 2017, ka diskutuar mbi situatën e çështjeve të dhunës në familje në gjykata dhe ngarkoi Inspektoratin dhe administratën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për marrjen e informacionit mbi situatën aktuale të këtyre çështjeve në sistemin tonë gjyqësor. Për këtë qëllim është kërkuar informacion nga 28 gjykata të shkallës së parë dhe të apelit dhe informacioni u kërkua për dy grup çështjesh: zbatimin e rekomandimeve të raportit të inspektimit të miratuar nga KLD-ja në 2014 dhe grupi i dytë i çështjeve ishte përditësimi i të dhënave, që lidhen me dhunën në familje për periudhën janar 2016 – prill 2017.
INSPEKTIMI
Raporti u prezantua në mbledhjen e KLD, nga kryeinspektorja Marsida Xhaferllari, e cila tha se, sa i takon situatës aktuale të dhunës në familje, është kërkuar informacion për volumin e çështjeve, për ecurinë e afateve ligjore të këtyre çështjeve. Gjithashtu, edhe për numrin e rasteve që është refuzuar dhënia e mbrojtjes nga gjykatat, edhe për numrin e rasteve kur çështjet janë pushuar, duke përfshirë edhe rastin kur vendimet e dhëna nga gjykatat e shkallëve më të ulëta, janë cenuar nga gjykatat më të larta. Sa i takon volumit të çështjeve të regjistruara në gjykatë, është shqetësuese rritja shumë e ndjeshme e volumit të këtyre çështjeve.
Konkretisht, për 16 muajt e fundit raportohet nga gjykatat që janë regjistruar 6307 çështje të tilla dhe këtu duhet të kujtojmë që për një periudhë 18-mujore apo për një periudhë më të lartë, në vitin 2014, numri i çështjeve ishte 2689 çështje të tilla, që lidhen me dhunën në familje. Pra, është lehtësisht e konstatueshme që ka një volum të shtuar, një volum që tregon se është rritur ndjeshëm problematika. Nga ana tjetër, konstatojmë që është rritur edhe numri i ankimeve ndaj vendimeve gjyqësore, ka shkuar në numrin 1128. Në inspektimin tematik të vitit 2014, kujtojmë që kjo ishte një çështje sensitive, pasi konstatohej që palët nuk ankimonin vendimet e dhëna nga gjykatat më të ulëta. Ne, kjo na çon në konkluzionin që është rritur aksesi i viktimave në sistemin gjyqësor.
Sa i takon kohës së gjykimit të çështjeve, mund të themi që nuk është evidentuar problematikë nga raportimet që kanë bërë vetë gjykatat. Dhe konkretisht, janë raportuar 250 çështje që janë gjykuar përtej afatit. Kjo shifër, pra 250 çështje, në raport me numrin total të çështjeve të regjistruara, zë 4.8% të volumit, që është problem, por nuk mund të identifikohet si problem shqetësues. Sa i takon refuzimit të dhënies së mbrojtjes, raportohen vetëm 283 vendime, të cilat janë refuzuar dhënia e mbrojtjes nga gjykatat për dhunën në familje. Në raport me numrin e përgjithshëm të vendimeve të dhëna në shkallë të parë prej 5179, konstatojmë që ky numër i refuzimit zë 5.5% të volumit. Numri më i lartë i rasteve të refuzuara i përket Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan me 42 raste.
Nëse aplikojmë këtë të dhënë, pra numrin e rasteve të refuzuara, në raport me numrin e çështjeve të regjistruara për çdo gjykatë, numrin më të lartë të refuzimit e ka sërish Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me 13.6% të volumit.
PUSHIMI I ÇËSHTJEVE
Sa i takon pushimit të gjykimit të çështjeve, që ka qenë një çështje sensitive e identifikuar në raportin e inspektimit tematik, sërish mbetet problem, raportohen 1245 raste (1223 në shkallë të parë dhe 22 çështje në shkallë të dytë), në të cilat gjykimi i çështjeve për dhunën në familje është pushuar. Konstatohet që është 20% e volumit të çështjeve të paraqitura. Numri më i lartë i përket Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, në numër relativ, ndërsa, nëse e krahasojmë këtë të dhënë në raport me numrin e çështjeve të regjistruara, numri më i lartë i përket Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat me 50.7%. Shkaqet janë: Heqje dorë nga e drejta e padisë; Mosparaqitje e paditësit; Normalizimi i marrëdhënieve; Për të njëjtën çështje, është dhënë një vendim tjetër gjyqë- sor; Kërkesa është kthyer pasi ka qenë me të meta procedurale; I padituri është ndjekur penalisht; Vdekje e personit, që ka ushtruar dhunën. Për ne, shqetësim mbetet situata e pushimit të çështjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis të dëmtuarit dhe dhunuesit në familje.
Raporti u kërkua pas vrasjes së gjyqtares Hafizi
Presidenti Republikës, Ilir Meta, drejtoi më 15 shtator 2017 mbledhjen e parë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në cilësinë e kryetarit. Një mbledhje, që në rend të parë të ditës kishte ligjin e Vettingut, ndërsa jo më pak të rëndësishëm, pati edhe raportin për dhunën në familje. Porosia e parë kjo që vetë kryetari i KLD e la pas vrasjes së gjyqtares Fildes Hafizi, e që megjithatë, nuk rezultoi e përmbushur, pasi raporti nuk ishte ende gati. Në mbledhjen e datës 18 janar 2018, raporti ishte gati dhe u lexua nga kryeinspektorja e KLD, Marsida Xhaferllari.
“Janë vendosur një sërë rekomandimesh edhe për organet e sistemit të drejtësisë në formën e nxitjes për të trajtuar me seriozitet, efikasitet dhe shpejtësi maksimale këto raste. Të mbajë në konsideratë në mënyrë të veçantë mbajtjen e posaçme të dhënave në proceset hetimore dhe gjyqësore, që ne mund të themi që jemi në rrugë të mbarë për krijimin e regjistrave dhe për nxitjen e organeve të inspektimit të sistemit të drejtësisë, që të vlerësojnë me seriozitet shkeljet e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, u shpreh Xhaferllari gjatë prezantimit të raportit./panorama
a.ç