Një dhomë izolimi është ndërtuar në portin e Vlorës ku do të mbahet çdo i dyshuar me koronavirus. Deri tani nuk është raportuar asnjë i infektuar në Shqipëri.
Për çdo person që paraqitet me simptomat e virusit vdekjeprurës, do të kujdesen tre mjekë, të cilët do ti mbajnë nën vëzhgim.
Për kontrollin e të gjithë pasagjerëve është krijuar një formular që duhet ta plotësojë secili prej tyre. Aty ka pyetje që i drejtohen rreth simptomave që shfaq sëmundja dhe pasi e plotësojnë, i nënshtrohen ekzaminimeve me termometër special për të parë gjendjen e temperaturës në trup.
Dhoma e kontrollit në portin e Vlorës u ngrit këtë të shtunë dhe është një dhomë që bën të mundur evidentimin e rasteve me korona virus, e cila vjen në kuadër të masave të shtuara në portet e vendit për të përballuar rrezikun e virusit që po kthehet tashmë në rrezik botëror.
Deri më tani, janë raportuar 259 viktima në Kinë dhe një në Spanjë. Mbi 12 mijë të infektuar janë në të gjithë botën, teksa shkencëtarët po punojnë për vaksinën që mund të parandalojë përhapjen.
/a.r












