Ardit Ferizi, hakeri 19-vjeçar nga Gjakova, që u arrestua ditë më parë në Kuala Lampur të Malajzisë, ishte shndërruar në makth edhe për Qeverinë e Kosovës dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Megjithatë, ai me shumë komoditet ka arritur të dalë nga Kosova.
Burime të gazetës “Zëri” në Policinë e Kosovës bëjnë të ditur se ndaj Ferizit kanë ushtruar shtatë kallëzime penale nën dyshimin se i njëjti në mënyrë të paautorizuar ka ndërhyrë në sisteme kompjuterike të institucioneve të ndryshme, organizatave, bizneseve e individëve.
Të gjitha kallëzimet penale ndaj tij kishin shkuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës. Pavarësisht hetimeve që po i zhvillonte Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ardit Ferizi ishte lejuar që ta lëshonte Kosovën.