Një 31-vjeçar nga Memaliaj është ndaluar nga Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pasi akuzohet për 3 vepra penale gjatë kohës që ishte punësuar në bashkinë e këtij qyteti.
Bëhet fjalë për Ergi Shehun, i cili dyshohet se me anë të falsifikimeve ka dhënë tendera për persona të caktuar.
Sipas njoftimit të Policisë ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
“Nga hetimet e kryera për disa muaj, me metoda proaktive, dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës 2023-2024, kur ka qenë i punësuar në bashkinë Memaliaj, ka shpërdoruar detyrën si kryetar i komisionit për prokurimet publike, duke mashtruar administratorët e disa subjekteve tregtare dhe duke falsifikuar dokumentet e nevojshme për disa procedura prokurimi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.