Cilat do të jenë mesazhet e kancelares Merkel në Shqipëri, Serbi dhe Bosnje? Analistët mendojnë se më vështirë ajo do ta ketë në Sarajevë, por probleme të mëdha ka dhe në Beograd dhe Tiranë.
Papunësia e lartë, korrupsioni i gjërë dhe elitat autoritare politike – janë disa nga gjërat e përbashkëta të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë. Në sondazhe thuhet se Bashkimi Evropian po humb atraktivitetin në këto vende. Kjo ka të bëjë edhe me paralajmërimet nga Brukseli se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE.
Loja gjeopolitike?
Ballkani me shekuj të tërë konsiderohet si një fuçi baroti. Kjo metaforë fiton në peshë në kohët e tanishme të tendosjeve të shtuara mes Perëndimit dhe Rusisë. Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel ka për synim ndër të tjerash edhe kufizimin e influencës ruse në Ballkan, mendon Gunther Krichbaum, Kryetar i Komisionit të BE në Bundestag. “Vendet duhet të vendosin vet se në ç’drejtim duan të shkojnë. Vlerat të cilat i respektojmë ne në BE dallojnë nga ato të cilat i respekton Rusia dhe qeveria e zotit Putin”, thotë Krichbaum.
Me këtë vizitë kancelarja Merkel do të dëshmojë “rëndësinë e Ballkanit për Gjermaninë dhe BE”, mendon Dusan Reljic, drejtues i Zyrës së Fondacionit gjerman për Shkencë dhe Politikë, në Bruksel. Merkel do t’u tregojë “lojtarëve të mëdhenj” në Lindje – para së gjithash Rusisë, por edhe Kinës dhe Turqisë se Bashkimi Evropian edhe më tej është spiranca e këtij rajoni. Reljiq mendon se për shkak të krizës në Greqi, i gjithë rajoni i Ballkanit mund të shndërrohet në një vend “turbulent” për investime. Kancelarja Merkel me këtë vizitë mund të zbutë këtë përshtypje.
Afërsia me Brukselin
Serbia është kandidate për anëtarësim në BE që tre vjet, por ky status është vënë nën akull për shkak të përparimit tepër të ngadalshëm të negociatave me Kosovën. Kosova e ka shpalluar pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi nuk e njeh këtë shtet. Me 2013 është nënshkruar Marrëveshja e Brukselit, e cila i mundëson Kosovës liri të mëdha për vendosje në fushat e drejtësisë dhe administrimit dhe garanton të drejtat e serbëve në rajonet ku ata përbëjnë shumicë në Kosovë. Por shumë pjesë të kësaj Marrëveshjeje nuk janë zbatuar deri tani.
“Këtu duhet të veprohet”, mendon pilitikani i CDU, Krichbaum. Në BE nuk dëshiron askush të ketë “një Qipro tjetër”, pra një vend me probleme territoriale. “E di që në Serbi flitet shumë se cilin kapitull duhet hapur të parin në negociatat për aëntarësim në BE”, thekson Krichbaum. Por ajo që është me rëndësi, është që vendi të përgatitet mirë për anëtarësim në BE.
Problemet e vjetra dhe të reja
Edhe në Bosnje-Hercegovinë ka probleme shumë të mëdha në raport me BE-në. Në mars është futur në fuqi një Marrëveshje për stabilizimin e vendit, me të cilin duhet të krijohen disa instrumente për partneritet më të fuqishëm ekonomik dhe politik mes BE dhe Sarajevës. Por kushti kryesor për funksionimin e tyre janë reformat kushtetuese – të cilat deri tani nuk janë kryer. “Realiteti nuk është edhe tepër premtues”, pohon Krichbaum. Politikanët dhe administrata në Bosnje ende është e ndërtuar mbi bazat e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në këtë vend para dy dekadash. Marrëveshja parashikon që vendimet e rëndësishme të merren me konsensus mer Federatës boshnjako-kroate dhe Republikës Serpska. Kjo ka shkaktuar bllokada të shumta në vendmimmarrje.
Vëzhguesit thonë se Kancelarja Merkel në Tiranë do ta ketë më lehtë se në Sarajevë apo Beograd. Nga këndvështrimi i Perëndimit, Shqipëria “është një faktor stabiliteti në Ballkan”, thotë Dushan Reljiq. Ai pret që Merkel të kërkojë në mënyrë diskrete nga Kryeministri Edi Rama që të mos deklarohet më për Shqipërinë e Madhe dhe projektet e ngjashme nacionaliste, të cilat përfshijnë Shqipërinë, Kosovën dhe disa pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
“Berlini me siguri që do të kërkojë edhe ndonjë zgjidhje për numrin e shtuar të azilkërkuesve nga Shqipëria”, mendon Reljiq. Partia CSU dhe disa politikanë të tjerë kanë kërkuar kaherë që edhe Shqipëria të renditet në radhën e vendeve me prejardhje të sigurt, që do të thotë se personat nga këto vende nuk kanë kurfarë shansi për azil në Gjermani.
DW