“Një paketë propozimesh konkrete do të ketë për problemet me Shqipërinë”. Kjo ishte deklarata e ministrit të jashtëm grek, Nikos Kotzias.
Sipas tij, zgjidhja do të jetë realiste, shpresëdhënëse dhe në dobi të të dy popujve. Kotzias e ka bërë këtë deklaratë gjatë ligjëratës që mbajti në qendrën e studimeve europiane në Kolegjin Saint Antony’s College të Universitetit të Oksfordit. Një pjesë e mirë e ligjëratës me temë “Politika e jashtme greke në kohën e krizës”, u kushtohej marrëdhënieve të Greqisë me vendet fqinje, marrëdhënie që mbartin jo pak problematika.
“Me Shqipërinë në lidh një e kaluar e përbashkët e pasur, ëndërra dhe perspektiva të përbashkëta. Ekzistojnë edhe shumë probleme nga e kaluara, por edhe për shkak të pikëpamjeve të një pjese të lidershipit të vendit fqinj, si mos zbatimi i atyre për të cilat është rënë dakord, kundërshtimi i zbatimit të dispozitave të së drejtës ndërkombëtare, të drejtat e minoritetit grek”, ka thënë shefi i diplomacisë grek.
“Ne kemi predispozicionin t’i zgjidhim problemet dhe të kapërcejmë çdo vështirësi. Planifikojmë të propozojmë ditët e ardhshme një paketë zgjidhje për të gjitha problemet, që do të jetë realiste, shpresëdhënëse dhe në dobi të të dy popujve”, ka deklarur Kotzias.
Ai ka theksuar se zgjidhja e propozuar do të jetë larg nacionalizmave të tipit ballkanik dhe sjelljeve me të cilat prodhohet më shumë histori nga sa mund të konsumojë rajoni.