Deputeti Armando Prenga nuk shfaq rrezikshmëri të theksuar shoqërore, nuk rrezikon t’i fshihet hetimit dhe as të zhdukë apo deformojë provat.
Këto janë disa nga argumentet thelbësore të përdorura nga Gjykata e Lartë në vendimin që liroi nga qelitë e burgut deputetin Armando Prenga në 23 nëntor 2015. Kolegji Penal ka zbardhur arsyetimin e vendimit përmes të cilit u zëvendësua masa e sigurisë ndaj deputetit të akuzuar për tri vepra penale nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Në vendimin e arsyetuar, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, shumica 4-anëtarëshe e Kolegjit Penal vlerësonte se rrethanat penale ndaj deputetit kishin ndryshuar.
Duke iu referuar hetimeve, Kolegji Penal shprehej se nuk kishte rezultuar ndonjë e dhënë e drejtpërdrejtë që të vërtetonte praninë e deputetit Prenga në Komisariatin e Kurbinit gjatë përplasjes mes fisit të tij dhe fisit Cali.
“Nuk ka rezultuar ndonjë e dhënë rënduese në ngarkim të të hetuarit”, shprehej Gjykata, duke vlerësuar se masa “arrest shtëpie” ishte e përshtatshme për deputetin e dyshuar për “prodhim dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake”, “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “kanosjes”.
Në kërkesën e paraqitur në Gjykatën e Lartë mbrojtësit e deputetit pretenduan se nuk ka asnjë dyshim të bazuar në prova që deputeti Prenga të ketë qenë i pranishëm në ngjarjen para Komisariatit të Policisë së Kurbinit. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e akuzës kërkuan lënien në qeli të deputetit. Sipas Prokurorisë, deputeti ka qëlluar me një armë pa leje kur është përballur me Gjok Calin në Fushë- Kuqe dhe po ashtu para Komisariatit.
ARSYETIMI I GJYKATES
Nga dinamika e veprimeve dhe e akteve të hetimeve paraprake rezulton se të dhënat në ngarkim të shtetasit nën hetim kanë ndryshuar, dhe që gjendja e rrezikut nuk është e pranishme në atë shkallë e rëndësi që të bëjë ende të zbatueshme masën e sigurimit “arrest në burg”, pasi në rastin në gjykim, nga të dhënat e akteve të hetimeve paraprake të deritanishme, në armën me leje rezulton prania e një grimce, dhe për gëzhojat e gjetura në Komisariat, rezultojnë të jenë qitur nga armë të tipit pistoletë “TT” dhe automatik kallashnikov.
Po ashtu, për ngjarjet e ndodhura në Komisariat, nuk ka rezultuar ndonjë e dhënë e drejtpërdrejtë që të vërtetojë praninë e të hetuarit në Komisariat. Nga të dhënat e personave që kanë dijeni rreth veprës penale, punonjësve të policisë që kanë qenë atë natë me shërbim në Komisariat, dhe pikërisht punonjësve të policisë: Gj.Kola, A.Vathi, B.Haderaj, V.Vata etj., nuk ka rezultuar ndonjë e dhënë rënduese në ngarkim të të hetuarit.
Nga ecuria e deritanishme rezulton se thika e gjetur më pas, nga rikëqyrja, plotëson parametrat e armës së ftohtë, që mund të jetë përdorur nga anëtari i familjes Cali dhe nga këqyrja e ambienteve të lokalit dhe e dokumenteve filmike të regjistruara nga kamera, nuk rezulton të identifikohet me armë personi i hetuar, Armando Prenga.
NDRYSHIMI I MASES
Kolegji vëren se në rastin konkret ndodhemi përpara një konflikti mes dy familjeve dhe ku kemi akuza e pretendime të ndërsjella e kundërthënëse me njëratjetrën, dhe deklarimet e personave të përfshirë duhet të shqyrtohen me kujdes.
Në këtë kuadër të krijuar, Kolegji çmon se nevojat për sigurim personal të vlerësuara me masën e arrestit në burg, nuk duken më të jenë në përshtatje me rëndësinë e pasojës penale.
Ky Kolegj çmon se masa e sigurimit “arrest në shtëpi” nuk pengon hetimin e plotë, objektiv e të shpejtë të çështjes, nisur edhe nga fakti që një pjesë e mirë e hetimeve paraprake është kryer. Për sa u përket pretendimeve të ngritura nga ana e mbrojtjes lidhur me moscaktimin e masës së sigurimit dhe mungesës tërësore të dyshimeve, Kolegji Penal çmon se ato nuk janë të mbështetura në akte.
Në bazë të akteve të fashikullit, caktimi i çdo mase tjetër sigurimi veç asaj të arrestit në shtëpi për të hetuarin, do të ishte e papërshtatshme për nevojat e sigurisë, pasi në kundërshtim me sa pretendon mbrojtja, çmohet se akoma ekzistojnë nevoja të procedimit penal, dhe nuk jemi përpara rastit kur mungon tërësisht prania e dyshimeve të arsyeshme.
MUNGON RREZIKSHMERIA
Por, nga ana tjetër, Kolegji krijon bindjen se me kalimin e një periudhe kohore relativisht të konsiderueshme të fazës së hetimeve paraprake dhe mosevidentimi i një kuadri rëndues i të dhënave që janë vlerësuar kundër të hetuarit me vendimin për caktimin e masës së sigurimit personal, disa nevoja të procedimit penal, janë lehtësuar.
Kjo për faktin sepse nuk ka rezultuar një rrezikshmëri e theksuar shoqërore e personit nën hetim, edhe për shkak se të dhënat që dyshojnë për veprën e plagosjes shkojnë drejt plagosjes së lehtë dhe jo asaj të rëndë, sipas aktit të njoftimit të akuzës.
Gjykata vlerëson rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, për të cilat dyshohet i hetuari, si dhe përshtatshmërinë e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” me nevojat e sigurisë, ku janë mbajtur parasysh rrethana si: a) Gjendja sociale; b) Profesioni; c) Arsimimi; d) Gjendja familjare; e) Gjendja gjyqësore, domethënë faktin që ai është familjar, cilësia e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, që disponon një armë me leje dhe, nisur edhe nga interesi dhe figura e tij, krijon bindjen se ai nuk shfaq ndonjë shkallë rrezikshmërie të theksuar, por edhe që ai në asnjë rast nuk do t’i fshihet hetimit apo të ketë tendencën dhe rrezikun e ikjes dhe shmangies së hetimit, apo aq më tepër të zhdukjes ose deformimit të provave.
MENDIMI I PAKICES
Kryesuesja e Kolegjit Penal, Mirela Fana, ka qenë kundër ndryshimit të masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj deputetit Prenga. Në arsyetimin e saj gjyqtarja Fana shprehet se jo çdo ndryshim i rrethanave faktike të evidentuara nga veprimet hetimore të kryera, passjell detyrimisht një ndryshim të asaj natyre që të mbështesë nevojën për zbutjen e masës së sigurimit personal.
Në vlerësimin e Fanës, ekziston rreziku që i dyshuari Prenga të kryejë krime të rënda, ose të njëjta me ato për të cilat po hetohej. “Jam e mendimit se komunikimi i akuzës ndaj këtij shtetasi për kryerjen e tre veprave penale të sipërcituara vazhdon të provojë sërish përshtatshmërinë e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’ me shkallën e nevojave të sigurimit, të cilat janë ende të pranishme për kërkuesin, pasi vazhdojnë të ekzistojnë kushtet e parashikuara në pikat ‘a’ dhe ‘c’ të nenit 228/ 3 të Kodit të Procedurës Penale, e konkretisht ekzistenca e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, si dhe ekzistenca e rrezikut që, për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të shtetasit nën hetim, ky i fundit mund të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet”, thuhej në mendimin e pakicës. Panorama