Pas ngjarjes tragjike të mëngjesit të së mërkurës kur një gardistv vrau bashkëshorten vetëm 28 vjeçe, fshihet një histori e trishtë dhe e gjatë dhune. Ilda Dervishi ishte prej kohësh nën presionin e Admir Dervishit dhe nën dhunën fizike të tij. Një vendim gjykate i publikuar nëj ditë më parë tregon shkakun e vërtetë të krimit monstruoz që la jetim dy fëmijë e mitur.
Edhe pse u raportua se xhelozia ishte shkaku që Admiri arriti të godiste për vdekje me 5 plumba Ildën, kjo nuk rezulton të jetë e vërtete pasi nëna e re ka pasur dy urdhra mbrojtjeje për dhunë të ushtruar nga bashkëshorti i saj në vitin 2013, pasi u vërtetua me ekspertizë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhuna e ushtruar prej tij.
Ajo ka rrëfyer në polici se nëna e saj e paralizuar ka qënë shkaku pasi Admiri nuk e lejonte 28 vjeçaren të shkonte të takonte dhe të ndihmonte nënën me argumentin se ajo kërkon ta ndajë prej tij.
“Ka filluar t’i fusë stres djalit, nuk më lë të shkoj as te nëna e paralizuar. Më ka kërcënuar dhe me pistoletë se do të më vrasë”, ka thënë para gjykatës 28-vjeçarja shrkuan Dritare.net
“I thotë djalit të vogël gjëra të këqija për mua dhe ai më merr inat dhe më gjuan”, ka thënë Ida, e cila ka tërhequr disa muaj më pas urdhrin e mbrojtjes për hir të djalit.
Ndërkohë sipas gardistit, problem i vetëm është nëna e bashkëshortes pasi ajo kërkon ta marrë në shtëpi. Sipas tij, ajo ia ka thënë shprehimisht se për të pasur nënën e saj afër pranon edhe të divorcohet.
Ndërsa për dhunën e ushtruar ia ka deklaruar: “Nuk e kam dhunuar, jam mbrojtur nga paditësja se më kishte zënë derën me thikë dhe i futa vetëm një pëllëmbë”.
Më poshtë është vendimi i plotë i Gjykatës i vitit 2013 në të cilin del qartë në pah se 28 vjeçarja e dinte në njëfarë mënyre dhe ishte e paralajmëruar se do të vritej prej tij e pikërisht me amrën e shërbimit.
-VENDIM-
“Për vërtetimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes”
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e përbërë prej:
MANJOLA BEJLERI – Gjyqtare
Asistuar prej sekretares Eliana Sharra, sot me dt. 24.05.2013, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen civile me Nr.12883 Akti, që i përket:
PADITËSE: Ida Dervishi, e bija e Agimit dhe Ferides, dtl.1986, lindur e banuese në Tiranë, Rr. “Muhamet Deliu” tek “Fresku”, Pll. i Ri, e martuar, me 1 fëmijë, arësim i mesëm, me shtetësi shqiptare.
I PADITUR: Admir Dervishi, i biri i Astrit dhe Floresha, dtl.1987, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, Rr. “Muhamet Deliu”, i martuar, me një fëmijë, arësim i mesëm, me shtetësi shqiptare.
OBJEKTI: Lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes për paditësen Ida Dervishi.
BAZA LIGJORE: Ligji Nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata pasi administroi provat, shqyrtoi e bisedoi çështjen në tërësi dhe dëgjoi paditësen e cila kërkoi pranimin e kërkesë-padisë dhe të paditurin i cili deklaroi se është dakort,
VËREN:
Se paditësja Ida Dervishi ka paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesë-padinë me objektin e sipërpërmendur.
Gjykata, në bazë të nenit 18/1/b të Ligjit Nr.9669, dt.18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar, brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesë-padisë, shqyrtoi këtë cështje në seancë gjyqësore në prani të paditëses dhe të të paditurit.
Gjykata pasi studoi materialet e cështjes civile të paraqitur për gjykim, në bazë të nenit 36 të K.Pr.Civile në të cilin parashikohet shprehimisht se: “Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile e mosmarrëveshje të tjera të parashikuara në këtë kod e në ligje të vecanta”, duke qenë se ndodhemi përpara një mosmarrëveshjeje civile, cmoi kryesisht se cështja e paraqitur është në juridiksionin gjyqësor.
Lidhur me kompetencën tokësore, Gjykata vëren se në nenin 41 të K.Pr.C. parashikohet se: “Paditë që rrjedhin nga marrëdhënie civile, mund të ngrihen si në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri, ashtu edhe në gjykatën e vendit ku ka banimin paditësi”. Gjithashtu, në bazë të nenit 42 të K.Pr.C.: “Padia ngrihet edhe në vendin ku i padituri ka venbanimin ose vendqëndrimin e tij”. Duke qenë se i padituri Admir Dervishi e ka vendbanimin në Tiranë, kjo Gjykatë është kompetente nga pikëpamja tokësore për të gjykuar këtë cështje.
Gjithashtu Gjykata, në vështrim të neneve 71, 72 dhe 73 të K.Pr.C, konkludoi se nuk ekzistojnë për të shkaqe papajtueshmërie ose përjashtimi nga ky gjykim.
Në bazë të nenit 13/1/a të Ligjit Nr.9669, dt.18.12.2006 në të cilin thuhet se: “Kërkesën për urdhërin e menjëhershëm të mbrojtjes mund ta paraqesin: a) vetë viktima ….”, paditësja Ida Dervishi legjitimohet për të ngritur këtë kërkesë përpara kësaj Gjykate.
Gjatë këtij hetimi gjyqësor, paditësja Ida Dervishi parashtroi se me të paditurin Admir Dervishi kanë lidhur martesë ligjore dhe bashkëjetojnë prej 6 vjetësh. Nga kjo bashkëjetesë ata kanë lindur një fëmijë: djalin Kledion Dervishi me dtl.23.08.2010.
Paditësja deklaroi në seancë gjyqësore se: “Marrdhëniet me të paditurin kanë qenë shumë të këqija që në fillim duke më sharë dhe duke më rrahur. Ka filluar t’i fusë stres dhe djalit, pasi i thotë gjëra të këqija për mua. Ai nuk më le të bëj asgjë, as të dal, as të shkoj tek nëna ime e cila është e paralizuar dhe unë i bëj shërbim të shtunën dhe të dielën, duke e larë, pasi ajo nuk ka njeri. I padituri nuk më lejon dhe më bërtet. Ai më ka qëlluar dhe me grushte , më ka ngritur lart e më ka hedhur poshtë në tokë. Ngjarja e fundit ka ndodhur pardje kur pasi erdhi nga puna ku punon si gardist, më qëlloi me grushta në fytyrë. Ai më ka kërcënuar dhe me pistoletë se do të më vrasë. Ai i thotë djalit gjëra të këqija për mua dhe pastaj djali më merr inat dhe më gjuan. Unë e kam kërkuar dhe një herë tjetër urdhërin e mbrojtjes, por nuk e mora letrën pasi e fala të paditurin për hir të djalit”.
Paditësja tregoi në seancë gjyqësore disa shenja të nxira në trup në pjesën e kurrizit, qafës dhe fytyrës dhe deklaroi se janë bërë nga dhuna që ka ushtruar i padituri mbi të. Në materialet e ardhura nga Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë rezulton se nga oficerët e policisë gjyqësore është marrë me dt.02.05.2013 vendim për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor lidhur me dëmtimet që vihen re në trupin e paditëses Ida Dervishi. Ky fakt u provua me Akt Dëshmi Mjeko-ligjore Nr.519, dt.04.05.2013 të Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili u paraqit si provë në seancën gjyqësore të dt.24.05.2013.
Gjatë shpjegimeve të saj, rezultoi se e ndodhur në këtë situatë paditësja ndjehet shumë e kërcënuar dhe e frikësuar për jetën e saj nga veprimet e dhunshme të të paditurit.
Ndërsa i padituri Admir Dervishi deklaroi se: “Sa deklaroi paditësja nuk janë të vërteta. Problemi ynë i vetëm është nëna e paditëses, e cila është e paralizuar dhe ajo do që ta marrë në shtëpinë tonë dhe më ka thënë se do të ndahet nëse nuk e marrim. Unë i kam thënë se po qe për mamanë unë nuk e dua në shtëpi dhe le të ndahemi. Unë jam mbrojtur nga paditësja, por nuk kam ushtruar dhunë. Pardje ajo më kishte zënë derën me thikë dhe unë i futa vetëm një pëllëmbë. Pastaj ajo iku tek komshia.”
Paditësja deklaroi se: “Nuk është e vërtetë se dua të marr nënën në shtëpi, por dua vetëm t’i shërbej. I padituri nuk do që të shkoj tek nëna, pasi më thotë se nëna do të më gjejë burrë dhe të më ndajë prej tij. Unë e heq bukën nga goja ime për t’ja dhënë tim biri, ndërsa ai shpenzon nëpër lokale. Ai e mëson djalin të më thotë fjalë të këqija, qelbësirë, budallaqe, debile dhe më qëllon me cfarë të ketë në dorë.”
Lidhur me sa shpjegoi dhe pretendoi paditësja Gjykata vëren se në kuptim të nenit 3/4 të Ligjit Nr.9669, dt.18.12.2006, në të cilin thuhet se: “Viktimë është personi mbi të cilin është ushtruar dhunë”, Gjykata krijon dyshimin e arësyeshëm se paditësja është një viktimë në kuptim të këtij neni, pasi sic u deklarua prej saj, ndaj saj është ushtruar dhunë psikike, morale dhe fizike nga bashkëshorti i saj, i padituri Admir Dervishi.
Në kuptim të nenit 3, pika 1 të Ligjit Nr.9669, dt.18.12.2006, në të cilin thuhet se: “Me dhunë kuptohet cdo veprim apo mosveprim të një personi nga një person tjetër, që sjell si pasojë cënim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, socialekonomik”, Gjykata krijon dyshimin e arësyeshëm se i padituri Admir Dervishi ka ushtruar dhunë psikike dhe morale e fizike ndaj paditëses Ida Dervishi.
Për këtë arësye paditësja me të drejtë ka kërkuar lëshimin e menjëhershëm të urdhërit të mbrojtjes duke kërkuar mbrojtje ligjore për vehten e saj në bazë të Ligjit Nr.9669, dt.18.12.2006, i ndryshuar.
Duke u mbështetur në këtë konkluzion, me Vendimin Nr.12883 Akti, dt.04.05.2013 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndër të tjera, vendosi:
– “Pranimin e kërkesës për lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes për paditësen Ida Dervishi që konsiston në marrjen e masave si më poshtë:
– Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër tjetër dhune në familje ndaj paditëses Ida Dervishi.
– Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të mos cënojë, ngacmojë, kontaktojë apo komunikojë drejtpërdrejtë ose tërthorazi me paditësen Ida Dervishi.
– Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të mos i afrohet paditëses Ida Dervishi përtej një distance prej 500 m.
– Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të largohet dhe të mos i afrohet banesës ku jeton aktualisht paditësja Ida Dervishi përtej një distance prej 500 m.
– Ky urdhër i menjëhershëm mbrojtje i fillon efektet që nga dt.04.05.2013.
– Data e gjykimit për vërtetimin e këtij urdhëri në Gjykatë do të jetë dt.24.05.2013, ora 14.00.”
Gjatë seancës gjyqësore për vërtetimin e këtij urdhëri në dt.24.05.2013, paditësja deklaroi se i qëndron pretendimeve të dhëna më parë në seancën e kaluar. Ajo deklaroi gjithashtu, se gjatë periudhës kohore ndërmjet dy seancave gjyqësore, i padituri nuk e ka respektuar tërësisht vendimin e Gjykatës, pasi ajo nuk ka mundur të shkojë në shtëpi nga frika se aty mund të shkojë edhe i padituri. Paditësja deklaroi se nuk heq dorë nga kërkesa për urdhërin e mbrojtjes dhe kërkoi që urdhëri i mbrojtjes të shtrihet për një periudhë 12 mujore.
I padituri Admir Dervishi, deklaroi në seancë gjyqësore se: “Unë që ditën që ka dhënë urdhërin Gjykata, kam marrë gjërat e mia dhe jam larguar nga shtëpia. Unë pagova qiranë e shtëpisë për muajin maj dhe dritat e ujin dhe ia dorëzova kopjen time të celësave zonjës së shtëpisë. Unë mora disa rroba, e të tjerat i kam lënë aty.
…Nuk kam kontaktuar fare me paditësen që nga ajo ditë dhe as e kam shqetësuar fare.
…Në telefon më ka marrë paditësja me numër të fshehur dhe më ka nxjerrë djalin për të folur. Pastaj më ka folur vetë dhe nëna e saj e cila më ka thënë se djalin nuk do ta marr sa të jetë ajo gjallë. Kur më ka dalë paditësja në telefon i kam thënë se nuk doja të flisja me të. Hera e fundit kur kam folur me djalin mund të ketë qenë ditën e hënë në darkë.” Në përfundim të gjykimit i padituri deklaroi se është dakort me kërkesat e paditëses.
Këto thënie të të paditurit u konfirmuan dhe nga paditësja në gjykim.
Lidhur me pretendimin e paditëses se ajo nuk ka mundur të shkojë në shtëpi për shkak të të paditurit, Gjykata vëren se përvecse konstatohet fakti që paditësja ka ende frikë nga i padituri, ky i fundit nuk rezulton që të ketë kryer ndonjë veprim tjetër dhune ndaj saj, apo që ta ketë penguar paditësen të shkojë në shtëpi, që prej datës së dhënies së urdhërit të menjëhershëm nga Gjykata. Ndaj ky pretendim i paditëses është i pabazuar.
Në përfundim, në bazë të nenit 20 të Ligjit Nr.9669, dt.18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar, Gjykata pasi verifikoi urdhërin e menjëhershëm të mbrojtjes të lëshuar me Vendimin e saj Nr.12883 Akti, dt.04.05.2013, konkludon se kërkesë-padia duhet pranuar si e bazuar në prova e në ligj, sipas kërkimeve të bëra nga paditësja sa sipër.
PËR KËTO ARSYE:
Gjykata në bazë të nenit 306 e vijues të K.Pr.Civile dhe Ligjit Nr.9669, dt.18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar, Kodit të Familjes, n.29, n.26 të Konventës së Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”,
VENDOSI:
– Vërtetimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes të dhënë nga Gjykata me Vendimin Nr.12883 Akti, dt.04.05.2013 si më poshtë:
– Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër tjetër dhune në familje ndaj paditëses Ida Dervishi.
– Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të mos cënojë, ngacmojë, kontaktojë apo komunikojë drejtpërdrejtë ose tërthorazi me paditësen Ida Dervishi.
– Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të mos i afrohet paditëses Ida Dervishi përtej një distance prej 500 m.
– Urdhërohet menjëherë i padituri Admir Dervishi të largohet dhe të mos i afrohet banesës ku jeton aktualisht paditësja Ida Dervishi përtej një distance prej 500 m.
– Ky urdhër i menjëhershëm mbrojtje i fillon efektet nga dt.24.05.2013 deri në dt.24.05.2014.
– Shkelja e këtij vendimi përbën vepër penale sipas nenit 320 të Kodit Penal.
– Shpenzime gjyqësore nuk ka.
– Nga një kopje origjinale të këtij vendimi i jepen paditëses Ida Dervishi dhe të paditurit Admir Dervishi.
– Një kopje e këtij vendimi dërgohet në Komisariatin e Policisë Nr.4, Tiranë për komunikim.
– Një kopje e këtij vendimi dërgohet në Zyrën e Shërbimeve Sociale pranë Njësisë Vendore Qesarak, Dajt, Tiranë për komunikim.
– Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brënda 15 ditëve nga dita e shpalljes.
U shpall sot me datë 24.05.2013, Tiranë./Shqiptarja