Autorët e supergrabitjes në pistën e Aeroportit të Rinasit, kanë arritur të vjedhin 995 mijë euro, para që një bankë e nivelit të dytë do t’i transferonte me avion drejt Austrisë.
Por një shumë edhe më e konsiderueshme, e një tjetër banke të nivelit të dytë, arriti të shpëtojë, pasi autorët u larguan vetëm me thasët e njërës bankë.
Burime nga Aeroporti “Nënë Tereza” thanë dje së drejt Vjenës do të niseshin njëkohësisht paratë e dy bankave, ndërsa shpjegojnë edhe procedurat se si kryhet ky transferim.
Ditën e enjte, përfaqësues të dy bankave, bashkë me agjentët doganorë, punonjës që operojnë privatisht dhe kontraktohen nga bankat, kanë dorëzuar dy deklarata të ndryshme, shkruan “Panorama”.
Deklaratat kanë qenë të nënshkruara nga bankat dhe me përshkrimin e nevojshëm, që nënkupton shumën e parave që transferohen, avionin me të cilin do kryhet transferua dhe orarin e nisjes.
Për shkak të sigurisë së shumave të parave, deklaratat e bankave dorëzohen vetëm pak minuta para nisjes së avionit.
Në këtë mënyrë edhe miratimi nga Kargo, i oficerëve të Doganës, bëhet në kohë rekord, maksimumi brenda 3 minutave.
Kaq ka zgjatur edhe dje miratimi i dy deklaratave për transferuat e parave, 6 minuta për të dyja. Burimet sqarojnë se ngarkesa të tilla transferohen disa herë në muaj, kryesisht ditë të enjte dhe gjithmonë me avionin që fluturon drejt Vjenës./a.m.